KLSH dhe 600 milionë eurot që iu falën CEZ

450
Populli thotë: “Mirë gomari na ngordhi, po nuk na lënë rehat as mizat”. Buxhetit të shtetit, do t’i mungojnë mbi 479 milionë euro, që qeveria shqiptare ia fali vëllazërisht CEZ, teksa në 24 qershor 2014 firmosi me dëshirë dhe vullnet miqësor marrëveshjen paqësore për kompaninë e shpërndarjes të energjisë elektrike në Shqipëri. Ministri Gjiknuri, meqë ka autorizimin e 1 milionë votave që mori në 2013, kujtoi se mund të bëjë si të dojë me mallin e shtetit, me një të shkruar të lapsit, bëri që deri në 2018 taksagapuesit shqiptarë t’i paguajnë CEZ mbi 100 milionë euro si dëmshpërblim, ndërsa dëmi ekonomik, sipas auditit të KLSH është 479 milionë euro. 
Deputeti Bare, sejmeni i ministrit të akuzuar

Për këto shpërdorime dhe përgjegjësi penale, KLSH ka paditur penalisht në prokurori ministrin Gjiknuri. Mirëpo, meqë prokuroria ende “fle” mbi dosjen e kallëzimit penal të KLSH, deputeti I PS, Besnik Bare, me zellin e vet kërkon të bëhet sejmen i hajdutëve të 600 milionë euro që qeveria jonë i bëri “kurban” vëllazërisht CEZ, teksa dje me deklaratë “bombë”, akuzoi publikisht edhe KLSH, thua se është një institucion partiak dhe jo kushtetues. Deputeti i Partisë Socialiste, Besnik Bare doli të mërkurën pasdite në një deklaratë për mediat, ku theksoi se Partia Demokratike dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit janë kthyer në zëdhënësa të njeri-tjetrit, këtë e kanë marrë vesh të gjithë. Skema është shumë e qartë; Partia Demokratike akuzon, KLSH merr akuzat e PD dhe i kthen në raporte dhe në fund, PD merr këto raporte dhe i paraqet si të vërteta. Deputeti Bare, si sejmen i zellshëm, ndoshta harroi, që të përgënjeshtrojë një për një akuzat që ka paraqitur KLSH në prokurori për ministrin socialist. Dhe, deputeti Bare, duke dëftuar edhe vetëmohim sejmeni të bindur, harroi sërish që politikani nuk duhet të flasë para se drejtësia të thotë fjalën e saj, për një akuzë penale nga KLSH, që ende hetohet. Dhe zoti Bare, duke harruar që është deputet, flet si sejmen i ministrave të akuzuar, derisa mundohet të zhvlerësojë KLSH, si institucion kushtetues, duke dashur ta banalizojë me instrument partiak. Pyetja e vetme që i bëjmë sejmenëve dhe agallarëve të politikës: Kush do t’i paguajë 600 milionë euro, paratë e taksapaguesve shqiptarë që shpërdoruan, duke nënshkruar marrëveshje vëllazërore me kompaninë CEZ? Të tjerat, propagandën e sillazhit, për sukseset e erës qeveritare, nuk mund ta konsumojnë më elektorati i lodhur nga pritja, i mbërthyer nga ankthi i papunësisë dhe i pashpresë nga mjerimi ekonomik i keqqeverisjes. 
PD: Raporti i KLSH në Kuvend dëshmon akuzat e opozitës

Partia Demokratike, nëpërmjet deputetes Jorida Tabaku, deklaroi se ndryshe nga pretendimet e “qeverisë së gjeneratës tjetër se kishte krijuar një buxhet që do ta nxirrte vendin nga prapambetja në rritje ekonomike, raporti i KLSH-së, i dorëzuar pak ditë më parë në Kuvend, dëshmon atë çfarë opozita ka denoncuar, por edhe çdo qytetar i këtij vendi ka përjetuar”. ”Nga një anë merr paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe ua jep kompanive të miqve qeveritarë me tendera abuzivë, ndërkohë që nga ana tjetër është rritur kontrabanda, abuziviteti për miqtë biznesmenë të cilët kanë rritur fitimet e tyre, ndërkohë që të ardhurat nuk realizohen edhe pasi qeveria ka riparë për mbi dy herë buxhetin e vitit 2014. Drejtoria e tatimeve dhe doganave, të cilat vitin e shkuar u dekoruan për tejkalimin e planit, kanë mbledhur 70 milion euro më pak të ardhura, ndonëse taksat për qytetarët u rritën”, u shpreh Tabaku në një deklaratë për mediat ditën e mërkurë. ”Ndërkohë që kërbaçi dhe burgu ndaj të varfërve dhe të dobëtëve u shiten si shtetformim, institucionet qeveritare kanë abuzuar me 399 tendera ku janë vërejtur 1254 shkelje duke i shkaktuar një dëm ekonomik buxhetit, prej 777 milionë euro”, shtoi Tabaku.
Sigal