Klajda Gjosha: Vendi është në kolaps dhe në rrezik diktatorial

824
Sigal

Show i rradhës për negociatat imagjinare vazhdon të rëndoj mbi vendin tonë dhe të ardhmen tonë europiane. Show që la pa fjalë edhe Komisionerin Hahn, i cili priste te kryente një takim teknik, serioz dhe me dyer të mbyllura për të diskutuar konkretisht udhërrëfyesin që duhet të ndjekin institucionet për plotësimin e kushteve. Por si zakonisht qeveria tregoi edhe një herë që në vend të punës, ajo që di të bëj më mirë është propaganda, shpenzimet marramëndëse të buxhetit për fasadë dhe përbuzja ndaj realitetit të hidhur me të cilën përballet vendi ynë.

Flasim për screening si një proçes i cili në rradhë të parë duhej t’i shqipërohej qytetarëve. Dhe për transparencë dëshiroj t’ju informoj se kjo është thjesht një analizë e përafrimit të legjislacionit në çdo sektor. Është një punë e përditshme dhe detyrë e qeverisë të kryej një skanim të tillë, por nuk është çelje e negociatave! Përkundrazi ne do të duhet të presim dhe shumë kohë për këtë hap madhor, pasi ka shumë kushte që Shqipëria duhet të plotësoj deri qershorin që vjen. Vendimi do duhet t’i nënshtrohet një sërë hallkash ku përvec Komisionit Evropian dhe Këshillit Evropian, do të jenë vendet anëtare ato që do të kenë një zë të vecantë në këtë proces.

Sot ne jemi një vend pa Gjykatë Kushtetuese, pa gjykatë të lartë dhe shumë shpejt mund ta gjejmë veten pa Gjykatë Apeli. Vendi është në kolaps dhe në rrezik diktatorial, ku asnjë vend i BE nuk do të toleronte apo të konceptonte çelje negociatash në një moment të tillë kritik.

Flasim për një proçes që kërkon institucione, por institucionet qeveria i shkatërroi që në ditën e parë të ardhjes në pushtet si një forcë e vetme dhe arbitrare. Flasim për një proçes që kërkon kapacitete, por administratën e trajton si tepsi!

Ka ardhur momenti të kuptojmë se nuk ka perspektivë europiane me këtë arrogancë. Procesi Europian është i qytetarëve të thjeshtë dhe janë ata që do duhet të marrin vendimet dhe fatet e vendit në duart e tyre!