Kim Mehmeti: Servilizmi nuk është mirënjohje!

89
Sigal

Nga Kim Mehmeti

Janë çuar të gjithë kundër Kurtit: media e analistë, opozitarë e ‘Grenellist’ të huaj, oligarkë e mendimtarë. Dhe të gjithë ata jo se kundërshtojnë ndonjë koncept politikë të Kryeministrit të sotëm të Kosovës, por i tmerron mundësia që përsëri t’i fitojë zgjedhjet një burrështetas i pakorruptueshëm dhe i pashantazhueshëm, i cili ua ka hequr grazhdin e hajdutërisë nga i cili majmeshin.

Dhe të gjithë sa janë, ku nuk mungon as Piktori i Tiranës, me vetëdije apo pa dashje, janë vënë në shërbim të armikut më të madh të Kurtit – Vuçiqit, i cili kurrë nuk mund të pajtohet me të vërtetën se përballë vetes ka një drejtues të Kosovës që e mbron shtetin e jo xhepin e vet.

Pra të gjithë këta që e luftojnë Kurtin, në njëfarë mënyre e ndihmojnë Serbin e sotme të drejtuar nga politikanët e dal nga kapota e Millosheviqit, që i del njësoj sikur Gjermaninë e pas Luftës së Dytë Botërore ta merrnin në duar ministrat e Hitlerit.

Me ditë të tërë ushtrohet terror mbi votuesit e Kosovës që nga mëngjesi e deri në mesnatë, duke i trembur ata se nëse do votojnë për VV do tregohen mosmirënjohës ndaj Amerikës. Pra duke i përbuzur dhe shpallur aq të paditur sa ta kenë ngatërruar mbrojtjen e dinjitetit dhe mirënjohjen me servilizmin.

Sa i përket servilizmit të elitave tona të shpërfaqur rrejshëm si mirënjohje, ai më së miri e pasqyron të vërtetën pse kishim aq shumë vezirë, pse mbetëm më besnikët e Stalinit dhe Maos dhe pse posa e takojmë më të fortin e radhës ia kthejmë shpinën perandorit të mëparshëm .

Autori i këtij teksti ka mospajtueshmëri me disa politika të Kurtit, por kjo nuk e pengon të mos e thotë të vërtetën se votuesve kosovar u ka rënë në hise të dëshmojnë se ne si popull nuk kemi tipar njohës servilizmin dhe se dimë të dallojmë burrështetasit që i përkushtohen shtetit nga ata që i shërbejnë xhepit të vet.