Këshilli kombëtar i PD-së ka miratuar 11 emrat për sekretarë të Partisë dhe të Komisioneve parlamentare

183
Sigal

Dita e sotme  ishte e mbushur me zhvillime të pritura në selitë e PD dhe PS.  Kështu, PD sikur edhe kishte lajmëruar më parë, mblodhi Këshillin Kombëtar prej të cilit dolën edhe emrat e rinj që do të drejtojnë këtë parti. Kryetari aktual, Lulzim Basha hodhi për miratim ato kandidatura për të cilat edhe opinioni publik është njohur, duke e vënë theksin edhe në disa risi në përzgjedhjen e tyre, sikur është shtimi i prezencës së grave në drejtim, apo vendimi për të mos e ndarë pushtetin me LSI, gjë që është përfolur përgjatë fushatës zgjedhore. Në fjalën e tij Basha tregoi edhe objektivat e rinj të PD-së. Ai vuri theksin sidomos në hapësirën që u duhet lënë të rinjve për këdo që dëshiron të japë kontributin e tij, po ashtu, ai u ndal tek ndryshimet Kushtetuese të 2008 që nuk i përshtaten nevojës për demokraci.

Këshilli Kombëtar  i PD-së miraton emrat e të gjithë sekretarëve

Këshilli kombëtar ka miratuar 11 emrat për sekretarë të Partisë dhe të Komisioneve parlamentare. Për Sekretare për Pronarët dhe çështjet e pronave, Basha ka nominuar Ledina Mandian. Ndërsa Jonila Godole, një prurje e re në Partinë Demokratike, do të jetë Sekretare për të Përndjekurit Politikë. Për Sekretariatin për Klimën e Biznesit është propozuar emri i Drejtuesit Politik të Qarkut Kukës, Flamur Hoxha. Sekretari për emigrantët dhe diasporën dhe që krijohet për herë të parë është propozuar të drejtohet nga Belind Kelliçi. Oriela Nebiaj, që kontributin e saj të parë në PD e ka dhënë si zëdhënëse, për të vijuar si kandidate për kryesimin e FRPD-së dhe së fundmi me rikthimin si kandidate për deputete në Tiranë, do të jetë Sekretare për Organizatat Partnere. Për Sekretariatin e Burimeve Njerëzore dhe atë të Marrëdhënieve me Publikun janë nominuar dy zonja, Arta Sakja, me një kontribut të gjatë në Partinë Demokratike dhe deputetja e Shkodrës Greta Bardeli. Për postin e Sekretarit Organizativ, është propozuar z. Ervin Minarolli, ndërkohë që Sekretar për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore, emri i propozuar është Ivi Kaso. Për herë të parë krijohet Sekretariati i Koordinimit Elektoral si dhe Sekretariati i Organizimit Dixhital. Për këto dy poste janë nominuar Taulant Zeneli dhe Endri Hasa.