Kejdi Mehmetaj: LSI, garancia që ju të përfaqësoheni me zërin tuaj në Parlament

518
Fjala e kandidates për deputete e LSI në qarkun e Tiranës në mitingun e zhvilluar në sheshin “Nënë Tereza”

Përshëndetje Tirana, përshëndetje Shqipëria, përshëndetje ju qindra mijëra të rinj shqiptarë që jeni sot këtu bashkë me ne. Jemi sot mijëra zemra që rrahin në të njëjtin ritëm për fitoren e padiskutuar të Shqipërisë më 25 qershor. Ky shesh është sot i mbushur si asnjëherë më parë, me vajza dhe djem të rinj të cilët në këtë shesh nuk po mbështesin një parti politike, por janë në këtë shesh, sepse ky shesh mbart ëndrrat tona për të ardhmen, ky shesh mbart shpresën tonë për përfaqësim dinjitoz, ky shesh mbart djersën dhe mundin tonë, për të çarë përpara me jetën tonë në të ardhmen.

Kauza e rinisë shqiptare
Këtu janë sot mijëra vajza dhe djem të rinj të cilët i kanë besuar LSI mundin e tyre, shpresën e tyre dhe janë të sigurt në këtë besim që kanë bërë, sepse LSI kurrë nuk e ka tradhtuar kauzën e rinisë shqiptare, kurrë nuk i ka lënë të rinjtë në vend, sepse LSI nuk i ka përdorur të rinjtë për të mbushur sheshet, por u ka dhënë atyre zërin e ngritur për të folur vetë, na ka dhënë ne mundësinë për të vepruar me mendjen tonë dhe aftësitë tona. Jam habitur shumë këto kohë se si ca të tjerë vijnë dhe kërkojnë votën tuaj. Por si mund të kërkojnë votën tuaj ata? Si mund të kërkojë kryetari i Rilindjes votën e rinisë shqiptare. kur e la rininë shqiptare pa shkollë, në rrugë? Si e kërkon ai votën tuaj, kur theu në mes ëndrrën tuaj? Dhe e dini përse e bëri? Nuk e ka hallin ai as ku shkojmë ne dhe as për shkollimin tonë. Halli i tij është se si të përkëdhel më shumë krenarinë dhe egon e oligarkisë, që ka mbytur këtë vend. Nuk e di se si e kërkon votën tuaj dhe se si i flet gjeneratës së re ky Kryeministër jo i denjë për këtë rini shqiptare, kur iu ka lënë pa punë, kur iu mësoi krimin nga Parlamenti, kur edukoi që droga është zgjidhje për këtë vend.

LSI, më e fortë se kurrë
Si e ka bërë dhe si kërkon votën tuaj kur Shqipëria sot është si Sierra Leone, kur të gjithë duan të ikin nga Shqipëria? E dini ju që të rinjtë e zemrës së Tiranës, e qendrës së Tiranës, një orë e më parë kërkojnë një mundësi të ikin nga Shqipëria? Por jo të jetë i bindur ai dhe ta harrojë që do të ikim nga ky vend. Ne do të jemi këtu më të fortë se kurrë, më bashkë se kurrë për të fituar për të rinjtë shqiptarë, për kauzën e të rinjve shqiptarë. Dhe ç’t’iu them pastaj për atë që nuk është kryetari, por zëdhënësi i selisë blu, që kërkoi të rinj 35% në lista dhe ndërkohë nuk ka asnjë të ri në listat e tij. Se prandaj është këtu LSI për t’iu përfaqësuar, për t’iu dhënë një program konkret për arsimin, për t’iu treguar se mund të hapen 100 mijë vende pune për të rinjtë, për t’iu treguar se ju mund të përfaqësoheni me zërin tuaj në Parlamentin e Shqipërisë dhe ne do të jemi garancia për këtë. Më 25 qershor do të jemi shumë më shumë se kaq, në këtë shesh, në sheshin e fitores së madhe, në sheshin ku do të fitojë rinia, sepse 25 qershori është dita e rinisë. Rinia voton numrin një, voton LSI.
Sigal