KE kryqëzon qeverinë për patronazhistët, korrupsioni dhe sulmet ndaj gazetarëve

89
Sigal

Komisioni Europian zbardh Progres -Raportin vjetor për Shqipërinë. Në zgjedhjet e 25 prillit ka pasur keqpërdorim të fondeve, blerje votash dhe abuzim me të dhënat personale të mbi 910 mijë votuesve. Korrupsioni i zyrtarëve, vrasja e një 25 vjeçari nga policia, politizimi i AMA-s dhe sulmet ndaj medias e gazetarëve janë të papranueshëm. Eurodeputeti David Lega: Shqipëria duhet të plotësoj 15 kushtet nëse dëshiron BE-në

 

Komisioni Europian ka përgatitur Progres-Raportin vjetor për Shqipërinë në kuadër të integrimit në Bashkimin Evropian. Në këtë raport ngrihen shqetësime mbi nivelin e lartë të korrupsionit dhe mosndëshkimin e zyrtarëve të lartë. Sa i përket zgjedhjeve të 25 prillit, Komisioni Europian thekson se ka patur keqpërdorim të fondeve në fushatë si dhe abuzim me të dhënat personale. Një tjetër kritikë e fortë është bërë për cenimin e lirisë së medias, ku theksohet se ka pasur presione të vazhdueshme ndaj gazetarëve apo deri në sekuestrime apo arrestime në krye të detyrës.Zbardhet Progres Raporti i Komisioni Komisionit Europian për Shqipërinë, ku sërish vijojnë të ngrihen shqetësimet në funksionimin e shtetit të së drejtës problemet me korrupsionin në nivelet e larta, liria e shprehjes, por edhe për zgjedhjet e 25 prillit. Sa i përket zgjedhjeve të 25 prillit, progres-raporti i vlerëson si pozitive por ngre shqetësimin e përdorimit të fondeve publike në fushatë dhe keqpërdorim të të dhënave personale.

Korrupsioni mbetet një çështje serioze

“Shqetësimet mbetën të lidhura me keqpërdorimin e burimeve dhe funksioneve publike, me pretendimet për blerjen e votës dhe rrjedhjen e të dhënave personale të ndjeshme që mbulojnë preferencat politike të qytetarëve. Këto janë duke u hetuar. Në fushën e shtetit të së drejtës dhe korrupsionit, progres raporti thekson se rekomandimet nuk janë zbatuar dhe se korrupsioni mbetet një çështje serioze.Rekomandimet e raportit të fundit vjetor janë zbatuar vetëm pjesërisht. Përpjekjet dhe vullneti politik duhet të rriten drejt konsolidimit të një historiku të konfiskimit dhe konfiskimit të pasurive kriminale, si dhe krijimin e një historiku të fortë në luftën kundër korrupsionit. Në përgjithësi, korrupsioni është i përhapur në shumë fusha të jetës publike dhe të biznesit dhe mbetet një çështje shqetësuese serioze. Dënimet në rastet që përfshijnë zyrtarë të nivelit të lartë mbeten të kufizuara, duke nxitur ende një kulturë mosndëshkimi brenda niveleve më të larta të Shtetit.

Tensionet midis aktorëve politikë dhe gazetarëve janë rritur

Një tjetër sektor, për të cilin Komisioni europian ka ngritur shqetësim është media dhe fjala e lire. Raporti liston disa prej rasteve të presionit mbi median e madje deri tek arrestimi  gazetarëve në krye të detyrës si dhe Opinionin e Venecias mbi projektligjet për censurimin e medias.Atmosfera e sulmeve verbale, fushatave shpifëse dhe akteve të frikësimit ndaj gazetarëve nuk është përmirësuar gjatë periudhës raportuese. Tensionet midis aktorëve politikë dhe gazetarëve janë rritur gjatë pandemisë dhe në kontekstin e zgjedhjeve parlamentare. Në Dhjetor 2020, policia ushtroi forcë të tepruar të pajustifikuar dhe arrestoi dy gazetarë që po mbulonin protestat që shpërthyen në Tiranë pas vdekjes së një 25-vjeçari të qëlluar nga policia duke zbatuar një shtetrrethim të lidhur me COVID. Në Prill 2021, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut lëshoi një vendim të përkohshëm që impononte një masë sigurie për të parandaluar konfiskimin e serverëve dhe të dhënave kompjuterike të një media online, e cila kishte zbuluar një bazë të dhënash që përmbante informacionin personal të më shumë se 910,000 votuesve në rajonin elektoral të Tiranës, kinse krijuar nga Partia Socialiste për qëllime elektorale’.Gjithashtu kritika jepen edhe mbi emërimin në krye të AMA-s të një drejtuesi politik apo për ngritjen e Agjencisë së Informacionit nga kryeministri. Në korrik 2021, Parlamenti zgjodhi Kryetarin e ri të institucionit. Organizatat lokale dhe ndërkombëtare të medias dhe opozita kanë ngritur shqetësime mbi procesin e emërimit, si dhe në lidhje me paanësinë politike të kreut të sapozgjedhur të organit rregullator. Parlamenti i ri duhet të plotësojë këto vende bosh dhe të bëjë AMA plotësisht funksionale. Qeveria krijoi në shtator 2021 një Agjenci për Media dhe Informacion. Në këtë drejtim, është e rëndësishme të sigurohet qasje e drejtpërdrejtë dhe transparente e mediave në institucionet qeveritare dhe aktivitetet e tyre, si dhe në informacionin publik jopartiak.

Pandemia e COVID-19 ka dobësuar më tej stabilitetin financiar të shoqërisë civile

Regres ka pasur edhe në legjislacionin dhe aktivitetet e shoqërisë civile, roli i të cilëve u zbeh edhe prej pandemisë. Pandemia e COVID-19 ka dobësuar më tej stabilitetin financiar të shoqërisë civile, tashmë e dobët për shkak të kornizës së pafavorshme ligjore dhe fiskale. Pavarësisht nga kjo sfidë, shoqëria civile shqiptare ka ofruar mbështetje dhe shërbime për njerëzit më të prekshëm të prekur nga pandemia COVID-19, duke plotësuar ose ndonjëherë duke zëvendësuar ndërhyrjet shtetërore.

Të forcohet aktiviteti në konfiskimin e pasurive të vendosura nga aktiviteti kriminal

Duke vlerësuar funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe ecurisë me procesin e vetingut, Komisioni Europian konstaton se ka ende shumë punë për të bërë në konsolidimin e institucioneve të reja si dhe të forcohet aktiviteti në konfiskimin e pasurive të vendosura nga aktiviteti kriminal.

 

David Lega: Kusht për të nisur negociatat e pranimit për Shqipërinë, janë 15 kushtet

Eurodeputeti suedez, David Lega komenton progres raportin e BE për Shqipërinë. Në një postim në Twitter, Lega shprehet se kushtet që i janë vënë Shqipërisë për të nisur negociatat e pranimit janë 15 kushtet. Sipas tij, minimizimi i kritereve të pranimit do të rrezikonte kredibilitetin dhe besueshmërine Bashkimit Europian. Komisioni Europian vazhdon të përsërisë se besueshmëria e BE varet nga hapja e negociatave të pranimit me Shqipërinë. Ndërsa më duhet të theksoj se besueshmëria e BE-së varet nga përmbushja e 15 parakushteve të BE-së nga Shqipëria, para se të vazhdohet me procesin e pranimit në BE.Rruga drejt anëtarësimit në BE është një nga kërkesat që synojnë garantimin e demokratizimit, modernizimit, sundimit të ligjit dhe garantimit të stabilitetit. Nëse anëtarët e rinj bashkohen pa respektuar plotësisht vlerat thelbësore të BE-së, do të minonin besueshmërinë e BE-së në tërësi.Minimizimi i kushteve të pranimit do të rrezikonte kredibilitetin e BE-së, si dhe të ardhmen demokratike të shqiptarëve. BE -ja i detyrohet si qytetarëve të BE-së ashtu edhe miqve tanë shqiptarë që të shqyrtojnë me seriozitet reformat themelore të nevojshme në Shqipëri.