Dhjetra tonelata hashash dalin nga Shqipëria drejt vendeve të Europës, paratë e të cilave do të shkojnë për blerjen e votave. Dje policia e Podgoricës ka bllokuar një kamion me 2 ton drogë me destinacion Gjermaninë, duke e çuar në rreth 6 ton sasinë e kapur brenda 20 ditëve. Ngjarja e Vjenës, alarm për Sigurinë Kombëtare, pasi refugjatët nga Lindja e Mesme kanë pushtuar rrugët e qyteteve shqiptare.
Gazeta Telegraf
Ripërsëritet skenari i 2016, viti paraelektoral i zgjedhjeve parlamentare të 2017-s. Ishte viti, kur Shqipëria u “jeshilua” nga hashashi i kultivuar. Trafikimi i drogave nga trafikantët prej Shqipërisë në Europë u bë shqetësimi kryesor i shteteve europiane dhe këto u pasqyruan edhe në raportet zyrtare të DASH dhe Interpolit, duke e cilësuar Shqipërinë si “Kolumbia” e Europës dhe Mafien shqiptare, si më të rrezikshmen, saqë e detyroi Bashkimin Europian, që të mos hapte negociatat me Shqipërinë, si kandidate për anëtarësim, pasi çdo vit, luftën kundër trafikimit të drogave e ka kushtin kryesor ndaj Shqipërisë për procesin e integrimit. Këtë vit, Greqia, Italia kanë dhënë alarmin, pasi kanë kapur me dhjetëra tonelata hashash, të trafikuar nga Shqipëria, mirëpo dje ministri i Brendshëm Lleshaj u mundua të fshehë këtë realitet, kur deklaroi se shifrat që ai disponon, tregojnë se këtë vit kemi nivelin më të ulët të kultivimit të hashashit, që nga viti 1991.
Dje, 2 ton hashash nga Shqipëria në Malin e Zi
Shqipëria po mbyt Europën me kanabis, meqë është në fushatën elektorale. Kështu, që vetëm dje 2 ton kanabis u kapën në Podgoricë të Malit të Zi. Lënda narkotike është gjetur brenda një kamioni, i cili kishte hyrë përmes Shqipërisë. Sipas gazetës malazeze “Vijesti”, një shqiptar është arrestuar. Ai quhet Elvis Çalik. A mundet të justifikojë dot ministri i Brendshëm Lleshaj, se ku u kultivua kjo sasi prej 2 ton hashash? Pse nuk u sekuestrua në Shqipëri? Në cilat depo u përpunua? Kush janë kupola e mafies së trafikimit të 2 ton hashashit të sekuestruar dje? A ka ndonjë zyrtar “garant” të hashashit? Dhe, kush na garanton, që një shumë e trafikimit të hashashit nuk do të përdoret për të blerë votat në 25 prill 2020?
A mundet të justifikojë dot ministri Lleshaj, se ku u kultivua kjo sasi prej 2 ton hashash? Pse nuk u sekuestrua në Shqipëri? A ka ndonjë zyrtar “garant” të hashashit? Dhe, kush na garanton, që milionat e trafikimit të hashashit nuk do të përdoren për të blerë votat në 25 prill 2020?
Refugjatët bredhin të lirë nëpër qytete, qytetarët dhe Siguria Kombëtare në rrezik
Sulmet terroriste të ndodhura ditët e fundit në Francë dhe një në Vjenë kanë rritur gjendjen e alertit dhe në Shqipëri. Sirianët kohët e fundit kanë çarë kufirin shqiptar, duke u bërë të pandashëm në rrugët e qyteteve kryesore në vend. Ata janë jashtë çdo kontrolli shtetëror, lëvizin lirshëm nëpër gjithë territorin e Shqipërisë, nuk kanë një vendstrehim të rregullt, nuk kanë punë, nuk kanë ku të ushqehen. Atëhere në kushte të tilla, secili nga këta refugjatë mund të tentojë që të kryejë çfarëdo krimi ordiner, për të siguruar bukën e përditshme. Por, të mos harrojmë, se me refugjatët sirianë, kanë ardhur në Shqipëri edhe militantët e ISIS, të cilët janë një rrezik dhe kërcënin potencial për Sigurinë Kombëtare të Shqipërisë. Mësohet se në ambiente publike, në aeroporte, porte dhe në godinat e selive diplomatike, pra ambasadave, do të ketë prezencë të shërbimeve civile të organeve të sigurisë dhe të policisë. Do të rritet edhe numri i patrullimeve me uniformë të policisë. Shqipëria nuk operon me nivele të veçanta sigurie, sipas shteteve, por mund të thuhet se niveli i sigurisë është rritur nga ai jeshil në atë portokalli.





















