Kandidati i PD, Arnold Kariqi i përgjigjet Ramës: Kavaja nuk është plaçkë tregu, më 11 maj do t’ju tregojmë vendin…

Kandidati për deputet në listën e hapur të PD për qarkun e Tiranës, Arnold Kariqi, në një postim në rrjetin social Facebook i është përgjigjur kryeministrit Rama duke e akuzuar se po e trajton Kavajën si pronë private.

‘Kavaja nuk është lodër në duart e pushtetit! Kavaja nuk është plaçkë tregu që mund ta ndajnë mes klanit të tyre! Më 11 maj, ky qytet do të zgjohet dhe do t’i japë fund kësaj talljeje’- shprehet kandidati

Sigal

Postimi i Plotë:

Më 11 maj, Kavaja do t’i tregojë vendin uzurpatorëve të pushtetit!

Ky regjim i korruptuar, që kujton se mund ta trajtojë Kavajën si pronë private, e ka zhveshur qytetin nga institucionet dhe e ka lënë në harresë. Dikur simbol i demokracisë, sot Kavaja është e gjunjëzuar ekonomikisht, me të rinj që largohen çdo ditë dhe me qytetarë të braktisur nga një pushtet që kujtohet për ta vetëm kur vjen koha e votave.

Kryeministri, i cili sot sillet sikur na ka bërë ndonjë nder, është po ai që ka mbyllur zyrat e institucioneve, ka shkatërruar rrugët dhe ka falimentuar bizneset lokale. Ai nuk e do Kavajën, ai e përdor! Erdhi sërish me klanin e tij të korruptuar, duke na sjellë Pandeli Majkon, një relike politike pa asnjë lidhje me qytetin tonë, dhe Elisën Spiropali, propagandisten e pashpirt që e sheh Kavajën vetëm si një skenë për teatrot e saj boshe.

Dhe si për ta përmbyllur farsën, Rilindja na sjell edhe dy kandidatët anonimë të “Frontit Debatik”, të dalë nga lista e mbyllur e Tiranës, pa asnjë kontribut për këtë qytet. Kavaja nuk i njeh, nuk i ka parë kurrë në asnjë betejë për të drejtat e qytetarëve të saj, por pushteti mendon se mund të na i imponojë me arrogancën e zakonshme.

Por Kavaja nuk është lodër në duart e pushtetit! Kavaja nuk është plaçkë tregu që mund ta ndajnë mes klanit të tyre! Më 11 maj, ky qytet do të zgjohet dhe do t’i japë fund kësaj talljeje. Është koha të marrim fatin në duart tona dhe të largojmë njëherë e mirë ata që na kanë trajtuar si qytetarë të dorës së dytë.
Kavaja do të fitojë, arrogantët do të shporren!