Kur nisa të shkruaj për një njeri të thjeshtë, por shumë të nderuar, një burrë zamani dhe të spikatur në Nahijen e Beratit dhe Skraparit, pata parasysh se në “pyllin” e madh të burrav e skraparas, ka shumë “lisa”. Lisa të rëndë, si vetë jeta që këta burra kaluan. Zgjodha një nga këta lisa, lisin shekullor, të ndjerin Myftar Kalluçi, i cili ka lënë kujtime të pashlyera dhe u ka dhënë emër e dinjitet fëmijëve të tij, që prej shumë vitesh jetojnë e punojnë në Berat.E kam patur një mik, ose më saktë një “shkollë” prej të cilit kam mësuar shumë. Edhe pse nuk kishte ndonjë diploma shkollore, ai ka patur diplomën e jetës, jetë të cilën e gëzoi në kufijtë e një shekulli. Myftar Kalluçi, jetoi shumë dhe shijoi shumë, pasi “lisat” që lindi dhe rriti iu bën shokë dhe i qëndruan në krah deri në momentin që ai mbylli sytë. Djemtë e tij, i ndjeri Sali, ish – ushtarak dinjitoz, Fitimi, Fiqiriu, Shyqyriu (Çuçi), vajzat Xhevriko e Urma, mbajnë me nder emrin e babait të tyre. Secili ka kontribuar denjësisht në sektorin e tij professional, ashtu siç i kishte mësuar “lisi” i madh. Gjithsesi, Shyqyriu, e ka ndjerë më shumë largimin e babait, jo pse është më i vogli, por sepse e priste në lokalin e tij, ku ai shërben prej shumë vitesh si kuzhinier profesionist. Vetëm kur lexonte emrin Restorant “Çuçi”, Myftari gëzohej deri në ngazëllim. Aty ka patur selinë ku takohej me shokët e tij të luftës e të punës. Tashmë, përveç reklamës në derën e lokalit, në një faqe muri qëndron fotografia e Myftar Kalluçit, e mbushur plotë me dekorata lufte e pune….Gjithë gjenealogjia e familjes së madhe Kalluçi, (një lagje në Poliçan mban emrin “Kalluçi”), ngjason me një pyll të mbushur me lisa shekullorë me rrënjë të thella, nga ku kanë lindur dhe janë rritur filiza me degë të shëndetshme. Familja ku u lind dhe u rrit Myftar Kalluçi, është një nga më të shquarat në hartën patriotike dhe atdhetare të fshatit Bargullas (midis Beratit dhe Skraparit). Këtu ka rrënjët fidanishtja e vjetër e patriotizmit dhe po këtu janë ushqyer e rritur filizat e rinj, të cilët kudo që janë shëpërndarë, kanë ruajtur indentitetin e gjakut Kalluçi.

Një nga këta “lisa” degëshumë, me rrënjë të thella në Berat e Skrapar, ka mbetur përjetësishti i gjallë, atdhetari Myftar Kalluçi.
Dashuria midis Beratit dhe Skraparit

Bargullasi, vendlindja e Myftar Kalluçit, gjeografikisht herë ka bërë pjesë në rrethin e Beratit e herë në atë të Skraparit. Faktikisht, në memorien historike Kalluçët njihen si skraparllinjë, edhe pse aktivitetin e tyre e kanë më shumë në Berat. Myftari, i cili jetoi një shekull jetë, ndoshta mblodhi dy dashuritë, atë për Beratin dhe Skraparin dhe plotësoi shekullin…Gjithsesi ai dinte të zgjidhte atë që ishte më e mira. U lind më 20 korrik 1916 në fshatin Bargullas, pikërisht në kohën kur Shqipëria ishe pushtuar nga forcat austro – hungareze (1914 – 1916) dhe kur në vend sundonte skamja dhe varfëria ekstreme. Në fëmijërinë e tij, Bargullasi ishte aq i varfër, aq sa nuk sigurohej buka për gjysmën e vitit. Nuk mund të harroj kur vetë Myftari na thoshte shpesh: “Kishte ditë e netë të tëra që gdhiheshim pa ngrënë…”. I detyruar nga kushtet ekstreme të varfërisë, babai i tij, Hyseni, mërgoi në Izmir të Turqisë për të siguruar të ardhura sa për bukën e familjes së tij. Qëndroi në Izmir deri në vitin 1931 dhe arriti ta ndryshoj disi gjendjen ekonomike të familjes. Gjithsesi, në atë kohë Myftari ishte 14 vjeç dhe e kuptonte se duhej të shtrohej në punë pasi rehatia ishte sëmundje vdekjeprurëse. E nisi punën fillimisht si bari e më pas si bujk me mëditje, vetëm e vetëm për të mbajtur familjen me bukë. Në vitin 1925 ai kishte mbaruar shkollën e parë shqipe, të hapur në Bargullas, gjë që e kishte si privilegj për kohën. Në vitin 1933, kohë kur u projektua ndërtimi i rrugës Berat – Skrapar, ai punoi me grupin e projektuesve dhe në vitin 1934 fillli punë në si punëtor krahu në Ndërmarrjen e Ndërtimit në Tiranë. Qëndroi aty deri në vitin 1938, kohë kur u thirr nën armë, dhe shërbeu në një repart ushtarak në Tiranë si daktilografist. Erdhi dita e zezë e 7 Prillit, pushtimit të Shqipërisë nga Italia Fashiste dhe Myftari bashkë me disa shokë të tij, mobilizohet efektiv në luftë kundër fashizmit.

Inkuadrohet në Batalionin “Tomorri” që drejtohej nga gjeneral major Spiro Moisiu. Këtu qëndroi deri në vitin 1941, pasi në vitin 1941 ai u bë pjesmarrës në luftën kundër ushtrisë greke në Bilisht e Kapshticë. Më 5 gusht 1943 iu bashkua Frontit Nacionalçlirimtar dhe u inkuadrua partizan në Çetën e Dytë të Skraparit, komandant i së cilës ishte Xhemal Ujaniku, djali i atdhetarit Mestan Ujaniku. Me krijimin e Brigadës së XVI Sulmuese, u bë pjesë e këtij formacioni duke shërbyer si intendent deri në çlirimin e plotë të vendit. Qarkullon prej vitesh një humor i stisur nga Myftar Kalluçi, ai ishte njeri me humor të hollë dhe therës dhe ndoshta kjo ka ndikuar në jetëgjatësinë e tij. Ky humor lidhet me kohën e viteve të luftës. Pas çlirimit Myftari punonte në Ndërmarrjen e Zdrukthtarisë në Berat. Krahas pages mujora, ai përfitonte dhe njëmij lekshin e luftës, Një kolegu i tij e kishte vënë re ndryshimin midis pagave dhe duke u bërë xheloz, një ditë e pyet Myftarin: “Ore Myftar ne bëjmë të njëjtën punë dhe ti merr një mijë lekë më shumë se unë. Si ka mundësi?!”. “Pse nuk e di ti, – i thotë Myftari me atë humorin e tij “serioz”, unë marrë njëmijë lekë sepse kam qënë 6 muaj me Ballin gjatë luftës!”. Tjetri e hëngri dhe u zbërthye: “Po unë që kam qënë një vit me Ballin, përse nuk e përfitoj këtë shpërblim?!. Myftari e vazhdon më tej lojën: “Shko ankohu në Organizatën e Frontit se edhe fëmijës nuk I jep gji nëna po nuk qau!”Tjetri i bindur në atë ë i thotë Myftari shkon në organizatën e frontit dhe kërkon shpërblimin. Kush të ka dërguar këtu?, e pyesin. Myftar Kalluçi, përgjigjet tjetri, ai merr njëmijë lekë më shumë se unë. Shko, i thonë se tallet Myftari. Merr atë rrogën tënde se Myftari merr shpërblim si partizan e jo si ballist. Mos i hap telashe vetes? Tjetri u largua i turpëruar dhe që nga ajo ditë nuk u bë xheloz për të tjerët. Mësimin e mori nga mënçuria e Myftar Kalluçit.
Gjysëm shekulli vetëm punë e sakrifica
Pas çlirimit të vendit iu besua detyra e Komandanit të Vendit në Zonën e Matit ku shërbeu me përkushtim dhe më pas emërohet Shef i Degës Ushtarake në Kukës. Këtu shërbeu deri në vitin 1946, pasi nga ky vit deri në vitin 1948, shërben si instruktor rekrutimi pranë Shkollës së Bashkuar të Oficerëve në Tiranë. Në vitin 1950, kreu kursin për Teknik kadastre dhe emërohet përgjegjës kadastre në Berat ku kishte dhe familjen tij. Pas viteve 1957, ai punësohet në Ndërmarrjen e Zdrukthtarisë dhe Ndërmarrjen e Ujrave në Berat, der isa doli në pension pleqërie. Punoi gjysëm shekulli dhe falë shëndetit dhe zotit gëzoi gjysëm shekulli pension. Një jetë e kompletuar dhe e merituar. Pas daljes në pension u përkushtua maksimalisht me organizatën e veteranëve të luftës, duke qënë një nga aktivistët më të zjarrtë në mbrojtje të vlerave dhe idealeve patriotike, për të cilat ai vetë kishte luftuar. Për vite me radhë drejtoi organizatën e veteranëve të lagjes “10 Korriku” duke u bërë mode dhe shembull frymëzimi për brezin e ri të pasardhësve të veteranëve. Një fjalë e Myftarit, peshonte më shumë se një mal, sepse ai dinte të fliste, por edhe të ishte shembull burrërie e fisnikërie. Për kontributin e tij në luftë dhe në punë ai u vlerësua me shumë urdhëra e medalje trimërie, aq shumë saqë kur vishej për ditë festash e ngjarjesh të shënuara, dukej sikur ishte veshur i tëri me medalje. Gjithsesi, jeta e tij shekullore është mbushur me një kalvar të gjatë suksesesh, por edhe dhimbjesh. Ai u lind dhe u rrit në epokën e krizës së bukës dhe u largua nga jeta në moshën 100 vjeçare me brengën e madhe të bërjes apo jo të këtij vendi, për të cilin ai dhe shokët e tij luftuan dhe punuan një jetë të tërë. Shenjtëria e tij, deri në fund të jetës, mbeti familja e tij. Ai u martua në vitin 1944, tre muaj para çlirimit të Atdheut, me Hysnijen, bijë nga Bargullasi, me të cilën lindi dhe rriti katër djem e dy vajza. I madhi Saliu, ndarë nga jeta, shërbeu si oficer në Tiranë dhe Berat, duke qënë një ushtarak dinjitoz dhe besnik. Pas motrës së madhe Xhevrikos, familja u plotësua me Fitimin, Fiqiriun, Shyqyriun (Çuçin) dhe Urmanë. Vitet e fundit të jetës dukej shpesh nga lokali i Çuçit duke ftuar shokë dhe bashkëluftëtarë të tij. Këtu kishte selinë e takimeve të tij, pasi tek Çuçi kishte besim për faktin që bënte pjesë në organizatën e parardhësve të veteranëve dhe nuk ia prishte qejfin për asgjë. Po sjell në vëmendje një episod shumë domethënës, ndodhur në lokalin e djalit të tij Çuçit, pak vite para ndarjes së tij nga jeta. Atë ditë promovohej libri “Një shekull jetë”, kushtuar Myftar Kalluçit dhe që përkonte me ditëlindjen e tij. Kishin ardhur shumë bashkëluftëtarë, miq e dashamirës të tij. Ndihej i lumturuar që djali i tij nuk kishte kursyer asgjë. Mes shakash dhe dollies, Çuçi, gjeti një moment dhe e ngacmoi: “Myftar, zgjidh shokët, o me këta, o me ata, se kemi punë për të bërë. Siç e ke zënë ti, s’ke ndërmend të ikësh…!”. Ai aty për aty, hazer xhevap siç dinte vetëm ai iu përgjigj:” Nuk iki o jo! Këtu më kini. Kur të mbush njëqind do të ik vetë!”. Dhe Myftar Kalluç ishte burrë i fjalës së dhënë. Ai e mbajti fjalën që dha para shumë burrave dhe ju nda nga jeta në moshën 100 vjeçare. Tashmë që kanë kaluar dsa vite që ai nuk jeton më, bashkë me Çuçin e kujtojmë këtë episode si një epitaf të shkruar mba varrin e tij. Që nga ajo kohë Çuçi mban dy reklama në lokalin e tij: logon e lokalit te dera dhe foton e babait të tij në faqen e murit të lokalit.






















