“Java e Fëmijëve pa përkrahje prindërore”, Meta: Përpjekje të përbashkëta, të rriten të shëndetshëm

581
“Familja shqiptare me plagët e saj të vjetra dhe të reja është burimi më i madh i fëmijëve jetimë, problemet ekonomike dhe papunësia, grindjet, përplasjet dhe dhuna në familje provokojnë çdo ditë divorce dhe krim”
Presidenti i Republikës, Ilir Meta ngriti dje siparin e veprimtarive të Javës Presidenciale kushtuar fëmijëve pa përkrahje prindërore. Në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, në Institucionin e Presidentit të Republikës, në prag të Festës së Pavarësisë – 28 nëntorit, u zhvillua veprimtaria ndërgjegjësuese për fëmijët jetimë në prani të përfaqësuesve të qeverisë e të Kuvendit, ambasadorëve të huaj, aktivistëve të shoqërisë civile dhe të organizatave rinore, artistëve të shquar dhe personaliteteve të spikatur nga fushat të ndryshme të jetës, miqve të ardhur nga trevat shqiptare dhe fëmijëve të shumtë. Presidenti Meta vlerësoi me Dekoratën “Nënë Tereza”: Rauf Ficon (pas vdekjes) për veprimtarinë, atdhetare dhe intelektuale, me kontribut të çmuar për vendin, si dhe për meritën e veçantë si ideues dhe themelues i “Strehës së Parë Vorfnore” në Shqipëri”; Sheh Abdyrrahman Harasanin (pas vdekjes) për kontributin e çmuar si bamirës, mbrojtës dhe strehues i njerëzve në nevojë, veçanërisht për fëmijët jetimë, duke hapur “Strehën e Parë Vorfnore” në Shqipëri; Fondacionin “Shpresë për Botën” për kontributin e çmuar humanitar në dobi të fëmijëve jetimë që prej vitit 1991, duke u ofruar atyre përkrahje dhe mbështetje ekonomike, përmes shërbimeve të shumëllojshme në rritjen dhe edukimin në qendrat komunitare të fëmijëve jetimë në të gjithë Shqipërinë; zotin Ilir Çumani si veprimtar i njohur i shoqërisë civile, misionar i vlerave njerëzore dhe promovues i të drejtave të njeriut. Për kontributin e çmuar në mbrojtje dhe në ndihmë të fëmijëve e të rinjve jetimë, për rolin e shquar në mjaft nisma të rëndësishme kombëtare, duke u siguruar mundësi në drejtim të mirërritjes, shkollimit, punësimit dhe strehimit të tyre, për t’i bërë ata qytetarë të aftë e të denjë të shoqërisë.

Gjithashtu Presidenti i Republikës çmoi me Titullin “Mjeshtër i Madh” zotin Kolec Traboini për merita të shquara si personalitet i artit, publicistikës dhe kulturës shqiptare, duke u bërë shembull frymëzimi, në veçanti, për gjeneratat e fëmijëve jetimë, të cilëve ai u përket.

Varfëria, papunësia dhe dhuna, plagët më të madha
Këto ditë ne po përjetojmë si një familje e madhe “Ditët e Fëmijëve Jetimë’’. Po ndajmë me këtë kategori si asnjëherë më parë ndjenja dhe emocione të forta njerëzore, prindërore, familjare dhe mbarë shoqërore. Varfëria është plagë e madhe sociale dhe djepi, për fat të keq, që lind dhe rrit jetimë. Përballë varfërisë, shteti dhe mbarë shoqëria jonë duhet të bëjnë përpjekje më të mëdha. Ulja e nivelit të varfërisë, ngritja e minimumit jetik, kërkimi dhe gjetja e rrugëve të reja për të ndihmuar individët, familjet e shtresat më të varfra si dhe kategoritë me vulnerabël të vendit duhet të jenë në krye të prioriteteve të politikave tona. Familja shqiptare me plagët e saj të vjetra dhe të reja është burimi më i madh i fëmijëve jetimë në vendin tonë. Problemet ekonomike dhe papunësia, grindjet, përplasjet dhe dhuna në familje provokojnë çdo ditë divorce dhe krim. Divorci dhe krimi shkatërrojnë themelet e familjes. Shkatërrimi i familjes hedh në rrugë, për fat të keq, fëmijë jetimë. Jetimët bëhen kështu viktimat e para dhe më të pafajshme të divorcit, të dhunës dhe krimit në familje. Prandaj sa më e shëndetshme të jetë familja jonë aq më pak jetimë do kemi në shoqërinë tonë dhe aq më shumë fëmijë të lumtur do rritim në mjediset tona. Kujdesi për familjen është para së gjithash përkushtim për fëmijët tanë, dhe për ardhmërinë e vendit tonë. Fuqizimi i familjes shqiptare, rritja e mbështetjes për nënat kryefamiljare në veçanti, ulja e divorceve dhe akteve të dhunës e të krimit kërkojnë zgjidhje social-ekonomike, punë edukative, sensibilizime publike e mediatike, këshillime psiko-sociale, por edhe masa parandaluese, ndërmjetësuese dhe ligjore. Emigracioni është një tjetër plagë e hapur e shoqërisë shqiptare, hemorragjia e të cilit duhet të shërohet prej afro tre dekadash. Kjo plagë ka dobësuar në mjaft raste lidhjet familjare dhe ka dobësuar ndjeshëm lidhjet prindër-fëmijë. Emigracioni ka shpërbërë në mjaft raste institucionin tradicional të familjes si dhe ka gërryer kohezionin e shoqërisë shqiptare. Nuk janë të pakta rastet kur emigracioni ka prodhuar fëmijë jetimë si dhe ka provokuar përdorime, shpërdorime dhe abuzime të tyre nga kriminelë dhe trafikantë të paligjshëm brenda dhe jashtë vendit. Frenimi i i emigracionit është para së gjithash përkushtim për ruajtjen e vlerave të familjes dhe të kohezionit të shoqërisë shqiptare. Në përpjekjet për përkujdesjen ndaj fëmijëve jetimë, pa prindër dhe të sfiduar nga jeta, ne shqiptarët kemi një aleat shumë të fuqishëm. Ky aleat është tradita humanitare, bujare, mikpritëse dhe solidare shqiptare. Në çdo kohë e rrethanë tradita humane, bujare, mikpritëse dhe solidare ka kompensuar me vlerat e familjes se madhe shqiptare atë që u ka munguar fëmijëve jetimë në familjet e tyre më të vogla. Shtëpitë shqiptare kanë qenë streha e tyre. Vatrat shqiptare kanë qenë ngrohtësia e tyre. Sofrat shqiptare kanë qenë ushqimi i tyre. Fisnikëria e familjes shqiptare ka qenë edukimi më i mirë për ta. Për fëmijët jetimë, më shumë se për çdo shtresë tjetër shoqërore mos të lejojmë që historia të përsëritë vetveten. T’i japim fund tranzicionit, të forcojmë institucionet, të parandalojmë krizat politike dhe social-ekonomike, të forcojmë shtetin ligjor dhe rendin, të godasim krimin e organizuar dhe korrupsionin, të luftojmë drogat dhe trafiqet e paligjshme, të ndalojmë punën e detyruar dhe keqpërdorimin e të miturve. Edukimi dhe formimi profesional i tyre duhet të jenë prioriteti kryesor për të garantuar integrimin e tyre të suksesshëm dhe afatgjatë në shoqëri dhe në interes të të gjithë shoqërisë. Jo rastësisht e kemi organizuar këtë aktivitet në prag të Festave të Nëntorit. Të gjithë sot shprehim mirënjohje ndaj gjithë brezave jetimë në mënyrë të veçantë ndaj heronjve që sakrifikuan jetën e tyre për çlirimin e vendit si Manush Alimani, Ali Demi, Met Hasa e shumë e shumë të tjerë.
Sigal