Jakup B. GJOÇA: Ambasadat në Tiranë, zëdhënëse të qeverisë

414
Sigal

Nga Jakup B. GJOÇA

Ambasadat sorosiane  në Tiranë, zëdhënëse politike të qeverisë

Në një njoftim të një ambasade në Tiranë të një shteti strategjik të Shqipërisë, jepet njoftimi se në 2 mars do të zhvillohet një demonstratë, por “  Demonstratat e kaluara kanë përfshirë dhunën. Shmangni vendet e mundshme të protestës përfshirë Bulevardin Kombëtar.”. Paniku bëhet njoftim zyrtar i ambasadave në Tiranë, dhe shërben si një tymnajë e shashkave që hedh  kundër protestuesve edhe Policia. Sa herë  në Tiranë, këto 2 vite të fundit kanë ndodhur protesta, apo “demonstrata të dhunshme” sikurse e cilësojnë ambasadat në Tiranë, shqiptarët protestuesë KURRË nuk kanë ushtruar dhunë kundër qytetarëve të tjerë, e ca më pak kundër shtetasve të huaj që ndodhen në Tiranë. Atëhere, përse ambasadat në Tiranë përhapin këtë panik? Përse ambasadat në Tiranë nuk flasin për mungesën e rendit kushtetues në Shqipëri, derisa ka 3 vjet që nuk ka Gjykatë Kushtetuese? Përse ambasadat në Tiranë nuk flasin përse nuk ka Gjykatë të Lartë? Përse ambasadat në Tiranë nuk flasin për ligjet që voton ky parlament monist, ligje që cenojnë rëndë të Drejtat themelore të Njeriut, sikurse është ligji i Antishpifjes  së qeverisë së Rilindjes? Përse ambasadat në Tiranë nuk flasin për audiopërgjimet e shitblerjes së votave? Përse ambasadat në Tiranë nuk flasin për korrupsionin e pandëshkuar?  Përse ambasadat në Tiranë nuk flasin për zgjedhjet moniste që bëri Rilindja, duke mos respektuar e shpërfillur dekretin e Presidentit?

Përse ambasadat në Tiranë nuk flasin për pastrimin e parave të krimit, korrupsionit që bëhen ën Shqipëri?

Ambasada në Tiranë, a e kanë lexuar ndonjëherë Presidentin e SHBA-ve  Thomas Jefferson, kur thotë se populli duhet ta rrëzojë me çdo kusht e çdo mjet një qeveri antipopullore?

A mund t’i thonë ambasadat në Tiranë shqiptarëve, se  a mund të ketë demokraci, pa reagime të fuqishme popullore kundër pushteteve totalitare? Kur ambasadat në Tiranë, nxjerrin njoftime stereotipe të tilla, që protestat e qytetarëve kundër qeverisë së korruptuar, të inkriminuar,  i “pagëzojnë” të dhunshme, atëhere, këto ambasada bëhen zëdhënëse politike të qeverive antipopullore.