Ja sesi gjyqtari e prokurori ndajnë lekët që u zhvatin qytetarëve

514
Sigal

 “Fiks Fare” nis transmetimin e një historie tronditëse të korrupsionit në gjyqësor në Gjykatën e Rrethit Pukë

Historia e një familjeje, 6 anëtarët e të cilës u arrestuan gjatë një proteste për të drejtat elementare të mbijetesës, zbuloi hallkat e korrupsionit në këtë sistem. Investigimi i “Fiks-Fare” solli një zinxhir sekserësh, të cilët kërkojnë para në emër të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke sjellë me zë dhe figurë të vërtetën e funksionimit të sistemit të drejtësisë në vend.

 Arrestohen për protestë, paguajnë shtrenjtë  ndryshimin e masës së dënimit

“Unë jam banor i Fushë -Arrëzit. Në muajin prill më arrestuan gjashtë pjesëtarë të familjes në një mënyrë kriminale. Arsyeja e arrestimit ishte një protestë e realizuar për arsye se kompania “Beralt” na ka shkatërruar ekonomikisht, na ka bllokuar tokën, ujin, ndot ambientin e shumë të tjera, diçka për të cilën nuk na ka kompensuar kurrë”, denoncoi në mikrofonat e “Fiks-Fare” banori që nuk deshi të identifikohej me emër dhe fytyrë.  “Protesta u zhvillua në 15 prill 2013. Gjatë protestave u arrestova dhe unë. U lirova pas dy muajsh e gjysmë, kur më ndryshuan masën e sigurisë në arrest shtëpie. Bëra kërkesë dhe u lirova me detyrim paraqitje. Nuk kishte shanse të liroheshe pa paguar. Liria më kushtoi katër milionë lekë (të vjetra)”, vazhdoi denoncimin viktima e kësaj skeme gjigante të korrupsionit në drejtësi. “Nga prilli deri në gusht mund të kem shkuar në gjykata 20 herë dhe nuk pranonin të më merrnin kërkesën, pasi kërkonin lekë. Unë s’isha mësuar me këtë, gjykatësit përdorin sekserë. Paratë kërkoheshin për prokurorin e gjyqtarin, kërkonin jo më pak se 5,5 mln lekë për lirim. Unë detyrohem të marr borxh, më vonë nëse vazhdon kështu do të detyrohem të shes shpinë dhe rrugë tjerë s’ka sepse nëse s’paguajmë ata s’do të dalin nga burgu”, vazhdoi denoncimin qytetari.

 Oficeri i policisë dhe avokati marrin paratë

 Kamerat dokumentojnë oficerin e policisë gjyqësore, Hasan Allën, i cili ndërmjetëson lirimin pas pagimit të lekëve. Kamerat dokumentojnë takimin me avokatin Fariz Xhuxhi, i cili thotë: “Paguaj dhe për dhjetë ditë lirohesh”. Ai del garant për të zgjidhur të gjithë situatën, ndërsa i pyetur nga qytetari se nëse ka rrezik që çështja të rihapet, Xhuxhi jep të sigurt se gjykatësi nuk do ta bëjë kurrë gjyqin.

“Unë do i them, në ta mban b…. liroje dhe merr lekët. Kështu funksionon, çështje interesi”, shton Xhuxhi, duke iu referuar gjyqtarit. Në “Fiks-Fare”, në këtë emision të parë që hap një seri emisionesh që demaskojnë korrupsionin në drejtësi, dokumentohet pjesëmarrja në këtë skemë madhore edhe e kancelares e sekretares së gjykatës.

Sekretarja dhe kancelarja e gjykatës ndajnë paratë te gjykatësi e prokurori

Sekretarja, nga ana e saj del garant që do të dorëzojë lekët gjykatësit dhe prokurorit, ndërsa kancelarja jep udhëzimet e duhura për mënyrën se si duhet të realizohet të gjitha veprimet. “Kam 21 vite që merrem me këtë punë, unë jam mafie”, thotë në një moment sekretarja.Ngjarjet e transmetuara këtë të martë në “Fiks Fare” i përkasin Shkallës së Parë të Gjyqësorit

 Reagim i Këshillit të Lartë të Drejtësisë

Këshilli i Lartë i Drejtësisë, pasi u njoh me videon e shfaqur  në datën 26 nëntor 2013 në emisionin investigativ “Fiks Fare”, i kërkon Prokurorisë, të hetojë sa më shpejt të jetë e mundur dhe me objektivitet ngjarjen dhe faktin nëse ka gjyqtarë të implikuar në këtë ngjarje.

Prokurori i Përgjithshëm pezullon prokurorin

I menjëhershëm është edhe reagimi i Prokurorit të Përgjithshëm, zotit Llalla, i cili urdhëroi pezullimin e menjëhershëm të prokurorit të rrethit Pukë, si edhe një zyrtar të dytë. Gjithashtu, zoti Llalla urdhëroi edhe Taks-Forcë të prokurorisë të hetojë në mënyrë të plotë rrethanat e përgjegjësitë që dalin nga akti korruptiv, i cili u publikua mbrëmë në emisionin investigativ “Fiks – Fare”.