Lulzim Basha: “Tirana moderne dhe europiane, është prioriteti ynë, zotimi ynë”

551
Sigal

Bashkia  e Tiranës përkujton 101 -vjetorin e ngritjes së flamurit në kryeqytet

Me një ceremoni të veçantë, Bashkia e Tiranës ka përkujtuar 101 -vjetorin e ngritjes së flamurit. Në vendin ku 101 vjet më parë u ngrit flamuri, sot krahas mozaikut do të valëvitet edhe flamuri kombëtar. Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha, përfaqësues të familjeve të firmëtarëve të pavarësisë, kryetari i Këshillit të Qarkut, prefekti i Tiranës, anëtarë të Këshillit Bashkiak, deputetë, etj., përkujtuan sot këtë ditë, ndër më të rëndësishmet për Tiranën që i parapriu ditës më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar, shpalljes së pavarësisë. Basha është përkulur me nderim, respekt e krenari qytetare e kombëtare, për firmëtarët e aktit të ngritjes së flamurit në Tiranë: Refik Toptani, Abdulla Gjinali, Xhelal Toptani, Sulejman Kadiu, Sheh Ahmed Pazari, Isuf Aqif Banka, Myderris Hysen Shehri, Muslim Beshiri, Selim Petrela e Papa Nikolla Papajani. “Kurajo, guximi dhe vendosmëria e përfaqësuesve të qytetarisë së Tiranës e mbajtën gjithmonë të pamposhtur këtë qytet, i cili sot qëndron denjësisht, si kryeqendra e kombit shqiptar. Mozaiku i rrallë me të cilin vitin e kaluar përjetuam në këtë vend momentin historik për Tiranën, ka në përbërjen e tij, gurë jo vetëm nga Tirana, por nga të gjithë trevat shqiptare, sepse e tillë është edhe përbërja e qytetit sot”, – u shpreh Basha dhe përsëriti zotimin e tij, të çdo bashkëpunëtori dhe të gjithë qytetarëve të Tiranës, për të qëndruar e punuar shumë për Shqipërinë e ëndrrave dhe dëshirave të çdo shqiptari, pasi sipas zotit Basha: “Shqipëria moderne dhe europiane është prioriteti ynë, zotimi ynë, sepse nuk mund dhe nuk do të ketë destinacion tjetër për ne”. “Sot, Tirana është kryeqyteti i një vendi anëtar të NATO-s, kryeqyteti i një vendi, qytetarët e së cilit udhëtojnë pa viza në Europën e bashkuar, është kryeqyteti më afër Brukselit, Uashingtonit dhe së bashku me Prishtinën, Shkupin, Ulqinin, Preshevën etj po ecën e sigurt drejt synimit tonë final, ribashkimit me familjen europiane. Tirana moderne dhe europiane, Shqipëria moderne dhe europiane është prioriteti ynë, zotimi ynë, sepse nuk mund dhe nuk do të ketë destinacion tjetër për ne. Sot, më lejoni në emrin tuaj, ta përsëris këtë zotim timin, të çdo bashkëpunëtori dhe të gjithë qytetarëve të Tiranës, për të qëndruar e punuar fort dhe shumë për Shqipërinë e ëndrrave dhe dëshirave të çdo shqiptari, për Tiranën e ëndrrave dhe dëshirave të çdo qytetari”, – theksoi kreu i Bashkisë së Tiranës.