Ja kush ka të drejtë për dekretin e ministrit, kostitucionalistët Zaganjori, Anastasi dhe Çani sqarojnë rastet kur ka përplasje mes institucioneve kushtetuese dhe çfarë zgjidhjesh parashikohen. 14 pyetjet e Presidentit Meta

852
Sigal

Kostitucionalistët më të njohur i japin të drejtë Presidentit Meta për dekretimin e ministrit

Kostitucionalistët Zaganjori, Anastasi dhe Çani sqarojnë rastet kur ka përplasje mes institucioneve kushtetuese dhe çfarë zgjidhjesh parashikohen. 14 pyetjet e Presidentit Meta, përgjigja e kryeministrit Rama, dhe kërkesa për dorëheqje nga grada e gjeneral Lleshit

Në vitin 2011, tre nga kostitucionalistët dhe juristët më të mirë të Shqipërisë, Xhezair Zaganjori, Aurela Anastasi dhe Eralda Çani kanë përgatitur bashkërisht një material voluminoz prej 296 faqesh të titulluar “Shteti i së Drejtës në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë” ku sqarojnë tepër profesionalisht jo vetëm mënyrën se si funksionon shteti ligjor dhe i së drejtës por dhe se çfarë zgjidhjesh parashikon jurisprundenca e Gjykatës Kushtetuese në rastet kur për çështje të caktuara ka përplasje mes institucioneve kryesore.

Referuar këtij materiali, të aksesueshëm edhe në internet, tre juristët më të zotë të Shqipërisë japin dhe një sqarim ezaurues lidhur me kompetencat e Presidentit të Republikës sa i takon të drejtës së tij për të shqyrtuar në themel një propozim të kryeministrit për emërim ministri. Në këtë material, Zaganjori, Anastasi dhe Çani, referuar precedentëve të mëparshëm i japin plotësisht të drejtë dhe e gjejnë tërësisht në respekt të Kushtetutës qëndrimin që po mban aktualisht Presidenti Meta në raport me propozimin e kryeministrit Edi Rama për emërimin e Sandër Lleshaj si ministër i Brendshëm.

Ky material edhe pse i hartuar gati 7 vite më parë i vjen i “freskët” dhe në ndihmë kujtdo që ka qoftë edhe pikëpyetjen më të vogël se Presidenti Meta është duke e respektuar dhe zbatuar në frymë dhe në germë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë për rastin “Lleshaj”.

Konkretisht në faqen 73 të këtij libri thuhet se: “në lidhje me ushtrimin e kompetencave të Presidentit, një ndër çështjet e debatuara dhe analizuara është edhe ajo e fuqisë juridike të dekreteve që miraton Presidenti në ushtrim të kompetencës së parashikuar nga N. 98 i Kushtetutës, pra e dekretit për emërimin e ministrave. Kushtetuta parashikon në këtë nen një kompetencë të Presidentit, e cila lidhet ngushtë me një kompetencë të Kuvendit, atë të shqyrtimit të këtij dekreti nga Kuvendi, duke përcaktuar kështu një marrëdhënie të ngushtë të Presidentit me Kuvendin në këtë rast”, – shprehen kostitucionalistët, qëndrim që ka respektuar së fundmi edhe Presidenti Meta duke vendosur një bashkëpunim të ngushtë me Kuvendin dhe kryetarin e saj, Gramoz Ruçi për rastin Lleshaj.

Gjithashtu në faqen 123 të këtij materiali, kostitucionalistët Zaganjori, Anastasi dhe Çani shkruajnë se: “Kushtetuta kërkon që ministri të emërohet (shkarkohet) me dekret të Presidentit të Republikës, brenda 7 ditëve nga propozimi i Kryeministrit. Ky dekret shqyrtohet nga Kuvendi brenda 10 ditëve. Në fakt, nga përmbajtja e Kushtetutës duket qartë se, Presidenti i Republikës është titullar i emërimit të ministrave, i cili vendos mbi bazën e propozimit të Kryeministrit”, – shprehen kostitucionalistët më të mirënjohur në vend. Çdo lloj pretendimi tjetër se në këtë proces (emërim ministri) Presidenti ka një rol formal gabohet rëndë dhe këtë e thotë jo vetëm Kushtetuta, por edhe tre nga juristët e njohësit më të mirë të ligjit themeltar të shtetit, Xhezair Zaganjori, Aurela Anastasi dhe Eralda Çani që në këtë studim të tyre i japin plotësisht të drejtë qëndrimit që po mban aktualisht Presidenti Meta.