Ja 13 ministra, që nuk vlejnë as për “bord pallati”

523
Sigal

Në 18 muaj “Rilindje”, u provua se vendin po e qeverisë prepotenca, megallomania, shpërfillja, informaliteti, paaftësia, korrupsioni, klientilezimi, familjariteti dhe dështimi

Qeveria “Rilindja” plotësoi 18 muaj. Kanë kaluar 540 ditë pushtet! Cili është profili i saj i kësaj periudhe qeversjeje? Deri tani, ministrat kanë bërë punë të prezantuara si “punë për shqiptarët”, por rezulton se shumica e ministrave kanë bërë “punët e tyre”, tipik si kryeministri, zv/kryeministri, ministrat dhe qeveritarët e tjerë të qeverisë së “partizanëve” të vitit 1945, të cilët kur krijuan qeverinë me familjet, katundarët, fiset dhe shokët e tyre, u betuan se do të punonin “për lumturinë e popullit” dhe pasi dhanë “ca triska mielli” për popullin, nisën e punuan për rehatinë e tyre. Kështu më duket se ka ndodhur e po ndodh pas 71 vjetësh edhe me qeverisjen “Rilindja”. Edhe kjo qeveri, nëse ju kujtohet, u krijua tipik si qeverisja e Enver Hoxhës e vitit 1945, ardhur në pushtet pas “çlirimit prej pushtimit Berisha” (siç thuhej në opozitë). “Rilindja” krijoji një qeveri me familjarë, me “profesorë të afërm, shokë e miqë të sjellë nga diaspora” (emigracioni), me komshij, shokë shkolle të vetes, grave, motrave e vëllezërve, me miqë, me tregëtarë që kishin “ndihmuar luftën” (financues), me “anëtarë të ish-qeverisë provizore (bashkisë Tiranë), me të besuar të “gjeneral kolonelit të partisë së re ” , me “bashkëjetues te Kasollja e Galigatit” (Pezë) dhe me 4 ministra të aleates LSI, si pjesë e koalicionit parazgjedhor. Çfarë ka bërë konkretisht në këto 18 muaj, kjo qeveri? Cilët janë ministrat, që përfaqësojnë qeverisjen? A duhej të krijohej qeverisja e “Rilindjes”, me këta ministra? A duhet të vazhdojë qeverisja, me këta? A e ndjen kryeministri Rama, “erën e keqe” të veprimtarisë së këtyre ministrave dhe “stuhinë” e pakënaqësive të popullit kundër tyre e pse jo edhe kundër krejt “Rilindjes” si kryeministër e si forcë politike nëse ky I fundit nuk vepron me shpejtësi? A ka ardhur koha, që ministrat të zbriten urgjent nga kolluqet? A do të bëhet ky pastrim qeverie nga kryeministri, apo gjendja do të lihet të shkojë deri atje, ku së fundi Berisha po e kërkon me thirrje popullore: “Në zgjedhje të parakohëshme”? Nëse kryeministri dhe “Rilindja”, nuk kanë frikë nga zgjedhjet e parakohëshme, a kanë bindje se do fitojnë me “çorbën e qelbur” që kanë “gatuar” ministrat dhe deputetët ndaj socialistëve të braktisur, të shpërfillur e mashtruar?! A i duket e drejtë kryeministrit, të sakrifikoj pushtetin, për të mbajtur në kolltuqe 3, 5, 7 apo qofshin edhe 13 ministra sharlatan ,të paaftë dhe të korruptuar. Ka një logjikë. Nëse kryeministri mandatohet politikisht nga forca politike fituese e zgjedhjeve, kjo është përgjegjësi dhe kosto e forcës politike. Por mandatimi i ministrave është kosto e kryeministrit. Të 20 meshkujt dhe femrat zv/kryeministër, ministra e ministresha që u përzgjodhën si ekip i qeverisë së “rilindjes shqiptare”, kryeministri i prezantoi si “më të mirët dhe të aftët e rilindjes”, si më të zotët e më të ndershmit e këtij vendi. Plotë 540 ditë më parë, me kryeministrin në krye, të zv/kryeministri “Tao-Tao” dhe 19 ministrat e kollarisur e të parfumosur, parakaluan në sheshin “21 janari”, u përulën në shenjë homazhi përpara vendit të 4 vrasjeve, u ngjitën tek shkallët e selisë së qeverisë, pozuan dhe u betuan nën “gjëmimin e daulleve”, se do të shpëtonin Shqipërinë nga “tradhëtarët”, nga korrupsioni, nga shkatërrimi ekonomik, se do të shpëtonin drejtësinë nga padrejtësia, shoqërinë nga krimi, arsimin nga analfabetizimi, administratën nga injoranca, shtetin nga mafia, policinë nga dhuna, diplomacinë nga “fshatarizmi”, kulturën nga “tallavaja”, turizmin nga shitja e akulloreve me gomerë, territorin nga rrumpalla ndërtimore, mjekësinë nga korrupsioni e primitivizmi, energjinë, tregun, karburantet, telefoninë, burimet ujore e minierat nga koncensionet mafioze, doganat nga aktiviteti “han pa porta”, tatim-taksat nga hajdutët, ushqimin nga produktet helme, popullin nga varfëria… Ata që 19 muaj më parë u betuan për “ndryshimin historik”, janë ende në kolltuqe. Prej 18 muajsh, ata flasin për hallet e popullit e të vendit dhe vazhdojnë punojnë për interesat e tyre. Deri sot, nuk kanë ngulur asnjë “gozhdë” në punët e shtetit, nuk kanë krijuar asnjë zgjidhje të problemeve të popullit, nuk kanë “shkrehur anjnjë kobure” kundër korrupsionit, nuk kanë thënë “gjysëm fjale” kundër koncensioneve… Përkundrazi, janë berë pjesë përbërëse, menazhuese dhe drejtuese e të keqes që ka pllakosur vendin. Nga 21 qeveritarët, referuar “profilit” zv/kryeministrit dhe 13 ministrave, rezulton se në 18 muaj “Rilindje”, vendin po e qeverisë prepotenca, megalomania, shpërfillja, informaliteti, paaftësia, korrupsioni, klientilezimi, familjariteti dhe dështimi…

EDI RAMA, Kryeministër: prej 18 muajsh ri e vështron se si vjedhin ministrat, u rreh shpatullat, shkon fle nëpër fshatra me ta, shkon në eskursione e bënë “selfie” me ta.

NIKO PELESHI, Zv/kryeministër: Një “urith” korrupsioni, që fshihet pas rolit “Tao Tao”, nëpërmjet pushtetit fiktiv nr. 2, që ka në qeveri, vazhdon të menaxhojë bizneset e vjetra dhe të krijojë biznese të reja. Nuk njihet për asnjë aftësi, në këto 18 muaj nuk mbahet mënd të ketë hedhur ndonjë ide, apo të ketë parqitur ndonjë projekt zhvillues. Në qeverisje nuk e përfillin drejtorët e bordeve të kullimit. Nivel i ulët intelektual, thjesht është një zyrtar shteti me gradë “zv/kryeministër” dhe kjo i krijon “lumturi”.

SHKËLQIM CANI: Ministër i Financave. Prej 20 vjetësh kryetar bordi tek shoqata “Konsumatori shqiptar”, me president babain e tij. U vetëshpall, qysh në opozitë, si “shpëtimtar i financave shqiptare”, duke prdikaur se do ta arrinte, duke rritur prodhimin dhe menaxhuar politikat financiare në dogana, tatime. Thelloi borxhin me 10%, duke marrë borxhe për të shlyer borxhet. Nuk menaxhoi dot politikat bankare të nivelit të dytë. Prej 12 muajsh ministër, fshehu krimin e vjedhjes së Bankës së Shtetit. Ka krijuar krizë financiare, deri në paaftësinë për të paguar edhe pensionet e invalidëve. Nuk ka asnjë punim shkencor për “rilindjen” e financave shqiptare.

SAIMIR TAHIRI, Ministër i Brendshëm: Vazhdon të kapardiset me pastrimin e Lazaratit nga droga dhe me zbulimin e disa grupeve kriminale, dosjet e të cilëve ishin gati, por që për efekte klientelizmi kriminal, nuk ekzekutoheshin nga ish-drejtuesit e policisë të përpara vitit 2013. Nuk po arrin dot, të krijojë një fizionomi të re ligjore, efiçente e komunitare të policisë së shtetit. Butaforia e reformimit të policisë me prurje të reja nga “bankot e shkollës”, rezultoi një “Party”. Nuk po pastron kupolën e policisë dhe strukturat bazë të saj, nga “garda e vjetër” e krimit dhe korrupsionit.

MIMI KODHELI, Ministre e Mbrojtjes: “Rezerviste e dalluar” e PS, ministre e rëndomtë e qeverisjes. Nuk njeh asnjë element të ushtrisë së NATO. Detyrën si ministre e konsideron si “sport”. Ushtrinë shqiptare e konsideron dhe e trajton si “klasë shkolle”, që duhet të vijnë në punë me “përparëse”. Në vend të pastrimit të ushtrisë nga korrupsioni dhe klientilizmi institucional, nisi “gjuetinë e shtrigave”, ndaj gjeneralëve, duke i zëvendësuar me militantë, që nuk dinë të lidhin as kambalet. Heshti ndaj informacioneve, për implikim të ushtarakëve të lartë në trafik droge. Hapi dhe mbylli dosjet e krimeve ekonomike në ushtri. Ka krijuar një klikë drejtuese klienteliste private e politike në ministri. Skandali me pilotin, që u vra në trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike nxorri në pah, se ushtria jonë është katandisur si vreshti pa zot.

DITMIR BUSHATI, Ministër i Jashtëm: Ministri më dështak, tipi si masovikët e ish-frontit demokratik kohës së dikaturës. Rezulton një “aksident” dhe turp emërimi i tij në krye të kësaj ministrie, në momentin kur e vetmja “përvojë e tij diplomatike” ishte aktiviteti me OJF-të në emigracion. Diplomacinë shqiptare po trajton si eskursion nëpër botë. Nuk ka arritur të krijojë dot asnjë raport funksional me shtetet partnere. E nisi detyrën me premtimin për diplomaci ekonomike, në 18 muaj nuk ka sjellë në Shqipëri qoftë edhe investim “kioskë” nga Afrika! Ka krijuar ngërç e klientelizëm me trupën diplomatike. Ministër të jashtëm me këtë nivel diplomatik, nuk ka as Samolia në Ugandë.

KLAJDA GJOSHA, Ministre e Integrimit Europian: Eshtë Ministre e Integrimit Europian e një vendi që nuk e pranojnë në Europë. Ndihet e vlerësuar, që nga ish-emigrante e pa integruar, prej 18 muajsh është ministre integrimi. Kur e thërrasin shkon në takime diplomatike, ku nëse protokolli nuk e prezanton, e quajnë përkthyese delegacioni.

NASIP NAÇO, Ministër i Drejtësisë: Specialist drejtësie i klasit të lartë, ministër në vendin e duhur dhe në kohën e duhur. I pari ministër drejtësie, që ka nisur procesin e dekriminalizimit dhe deklientelizmit të kupolës shtetërore të drejtësisë. Në çdo iniciativë e projekt reformues, i vlerësuar nga ndërkombëtarët për efiçencë idesh dhe hapa konkret në reformat në drejtësi. Ka nxjerrë nga “balta” dhe ka krijuar profil të ri për institucionet në varësi, sidomos në shërbimin përmbarimor, burgjet dhe hipotekat, po vazhdon betejën reformuese me gjykatat.

ARBEN AHMETAJ, Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Sipërmarrjes, Turizmit: Profesionist kualitativ në ekonomi, ka nisur detyrën i gjendur përballë një ekonomie të rrënuar e pa asnjë “sinjal” ndryshimi, ku pasuritë kombëtare ishin bërë “viktima” të pazareve klienteliste koncesinonare, që nuk investonin asnjë qindarkë në ekonominë shqiptare, me 100% dosje investimesh të huaja të anuluara nga investitorët e huaj, me një tregëti me 98% importe, me 2% prodhim kombëtar dhe 4.7% eksporte. Ka marrë rrugët e botës për të gjetur e sjell në Shqipëri investitor serioz e aftagjatë në sektorin industrive të lehta, të rënda, turizmit dhe të infrastrukturës.

DAMIAN GJIKNURI, Ministër i Energjisë dhe Industrisë: Ministër “aligator” korrupsioni, nëpërmjet akteve korruptive të bëra në emër të qeverisë po vazhdon shkatërrimin e shfrenuar në sektorin e energjisë. Ka krijuar lidhje korruptive me koncensionet, duke i shmangur nga detyrimet fiskale dhe duke u ricikluar licensat. Nuk ndalon veprimtarinë koncensionare korruptive në miniera dhe mbron vrasësit e minatorëve. Ka krijaur një klan mafioz në ministri, nëpërmjet të cilit realizon aktet korruptive. Ministër me nivel të ulët profesional e intelektual, denigrues i punëve dhe “baltosës” i moralit të qeverisë. Është i vetmi ministër që do mbahet mënd në histori i cili mbushi burgjet me fukarenj, që s’kishin mundësi të paguanin energjinë, ndërkohë, i fali CEZ-it 600 milion euro të papaguara, si dhe i kompensoi 90 milion të tjera, si shpërblim.

EDMOND HAXHINASTO, Ministër i Transportit dhe Infrastrukturës: Eshtë ministër model “pazarxhiu”, me këdo që i kërkon pazar për përfitime, realizon aferën korruptive. Ka krijuar bllokim të plotë të krejt investimeve ndërtuese, rikonsturktuese e infrastrukturore me rrugët e Shqipërisë. Veprimtaria e tij, si ministër, ka tregues klientelizmin. Ka krijuar kaos, informalitet dhe konfliktualitet të plotë në shërbimin e transportit rrugor. Është bërë pjesë e përfitimit personal prej koncensioneve mafioze, që mbron në porte, aeroporte, rrugë, linja transporti rrugor, ajror, detar etj. Është simboli i zyrtarit të “përshtatur” dhe intelektualit “dru me pre”, kosto e rëndë politike edhe për LSI. Është frymëzues i shkatërrimit të hekurudhës. Babëzi në Portin Detar, në mër të reformave, që nuk u bënë kurrë. Mos heqja e koncesioneve dhe dhënia në mënyrë pirate dhe klienteliste miqve të vetë, si rasti i mjeteve, janë “meritat” korruptive të ministrit. Haxhinasto do mbahet mënd si i vetmi drejtues i ministrisë së Transportit, ku nuk ka asnjë inxhinier transporti, duke filluar nga Titullari Kryesor dhe deri tek roja i portës..

EGLANTINA GJERMENI, Ministre e Zhvillimit Urban: Deri para 2 muajve, ishte edhe ministre e Turizmit e atij niveli qeveritari, sa, kur të huajt e interesuar për investime, e pyesin për mundësitë që kishte Shqiëpria për turizmin, ajo u thoshte: “Kemi det, male, kodra e pyje relaksuese, unë personalisht gjysëm e lejes vjetore e konsumoj në plazhet shqiptare”! Paguhet si ministre e Zhvillimit Urban, por nuk ka asnjë studim, projekt ose zgjidhje konkrete për zhvillimin urban, përveç aktivitetit shkatërrues të fadromave të INUK-ut. Ministre, që nuk i prish punë qeverisë, nëse nuk do jetë.

EDMOND PANARITI, Ministër i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit te Ujërave:

 Është i vetmi akademik në kabinetin e qeverisë, por që e ka të vështirë që të ambjentohet në punën e vet, edhe pse është një specialist përkatës, pasi ka probleme të njohura me ndarjen e drejtorive të ministrisë brenda koalicionit. Për problemet e cilësisë së miellit që importohet në Shqipëri, si edhe të cilësisë së qumështit, ministri Panariti, edhe pse u përball me shumë interesa, që kanë ndikim në qëndra vendimmmarjeje, ka ndërmarrë iniciativa, i duhet që të këmbëngulë më shumë te kryeministri, duke i kërkuar, të respektohen standartet njësoj, ose t’i kërkojë kryeministrit të rishikojë politikën e vet. Përballoi me sukses vështirësitë e mëdha që u krijuan gjatë përmbytjeve të mëdha, duke qënë nga anëtarët e kabinetit, që është më shumë operativ. Ndonëse, në fushat e tij, ndihet edhe efekti i “serrës” politike.

ILIR BEQJA, Ministër i Shëndetësisë: Është ministri “bloz”, që po nxin fytyrën e qeverisjes “Rilindja”. Përbindësh i korrupsionit, mjeshtër i sajimit dhe vjedhjes së tenderave deri në 100 miliardë lekë për shërbime fiktive. Shkatërrues i shërbimit mjekësor në spitale, ambulanca, klinika, urgjenca. Ministër shpërfillës dhe denigrues i mjekëve. Kryemafioz i kontrollit të tregut të ilaçeve, duke lejuar futjen e ilaçeve vrasëse e të skaduara në Shqipëri. I dënuar nga Gjykata Kushtetuese Shqiptare me heqje mandati deputeti, për vjedhjen e 242 milionë lekëve nga financat publike, në një tender me me aferë korruptive. Me arsim të lartë, por pa asnjë formim profesional. Prej 18 muajsh, po e konsideron dhe e trajton shëndetësinë shqiptare s,i pronë private. Ministër i damkosur nga media dhe nga mjekët, si “njoranca, mafiozllëku, llumi dhe turpi i qeverisë “Rilindja”. Këtij nuk i duhet besuar as administrimi i pallatit, mbasi të vjedh, duke të lënë pa ujë, pa drita, pa pastrim, pa kangjella shkallës, pa ashensor e pa llamba shkalle…

LINDITA NIKOLLA, Ministre e Arsimit dhe Sportit: Ministre “HIÇ”, ose “kolltuku është i xanun”! Nëse do futej në testimin e mësuesve, do të “mbetej në klasë”. Emërimi i saj, duhet konsideruar si “gabim njerëzor”, i bërë prej kryeministrit Rama. Ministre me titull “master”, blerë në korrik 2010, në një nga “universitetet piramida”. Ministre, që prej 15 vitesh nuk ka kryer kualifikimet pedagogjike e profesionale rutinë, të mësuesit parauniversitar. E vetmja ministre në Rajon e Europë, pa gradë shkencore dhe pa asnjë kualifikim pasuniversitar profesional në fushën e arsimit. Nuk kreu dot asnjë reformë, as në programet e kopështeve të fëmijëve. Arritje të vetme, ka firmosjen dhe vulosjen e tenderave dhe doktoraturat false, që shesin universitetet piramida.

ERION VELIAJ, Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë: Ministër “Lej-Fen”, servil, që për nga profili ia kalon edhe aktorit “Symbyl”, në filmin “Sulejmani i madhërrishëm”. Ministër, që nuk dihet, nëse ka apo jo shkollim universitar. Njihet për aftësi, si menaxher aferash korruptive dhe vjedhje fondesh publike të politikave sociale të punësimit, fermave të dhunuta, romëve, të moshuarve të braktisur, integrimit të përndjekurve, jetimëve, invalidëve, fëmijëve të rrugës, punësimit, mbështetjes ekonomike, politikave të partneritetit social e çfarë të mundet, “përvojë” kjo e fituar që nga koha e shoqatës “Mjaft”. Ministër, që nuk gëzon respektin e strukturave të PS-së në qendër e bazë, mbasi konsiderohet si “sillo e skuth” i kryeministrit. E ka tjetërsuar ministrinë, në rezidencë private.

MIRELA KUMBARO Ministre e Kulturës: Ministre që flet me kulturë, por nuk di të “rilind” kulturën. Prej 18 muajsh, kemi po atë profil kulture, nuk ka ndryshuar asgjë as në teatër, as në opera, as në bibilotekën kombëtare, as në politikat e librit, as në muzeun kombëtar, as në galerinë e arteve, as në akademinë e arteve, as në liceun artistik, as në qendrat e objektet muzeale, arkelogjike e historike, as në partneritetin kulturor me kulturën europiane e atë botërore, as në promovimin e vlerave artistike kulturore njerzore të gjala e të ikua nga kjo jetë. Por… është ministre!

LEFTER KOKA, Ministër i Mjedisit: Prej 18 muajsh, figuron në kabinetin “Rilindja”. si Ministër i Mjedisit…

ERMONELA FELAJ, Ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin: Ka rënë rehat në këtë kolltuk, as pyet dhe as e pyesin.

MILENA HARITO, Ministre për Inovacionin dhe Administratën Publike: Ministre, që duhej bërë ministre, si “kushërirë e kryeministrit”. Në 18 muaj detyrë ministore, vazhdon me atë historinë komike: “hap sirtar, mbyll sirtar” konkurimesh në administratë, pa bërë asnjë konkurs, mbasi zyrat e administratës i mbushin ministrat dhe deptuetët me “konkurim financiar”. Është e vetmja anëtare e qeverisë “Rilindja”, që posti i ministres do t’i mbetet thjeshtë si tregues në… “CV”!

BLEDAR ÇUÇI, Ministër për Çështjet Vendore: Eshtë i vetmi ministër, që i ngarkuan një detyrë dhe e realizoi. Tani pret urdhër tjetër. Djalë i urtë!
Kryeministër Edi RAMA nota 7
Zv/Kryeministër Niko PELESHI nota 5

1. Ministër i Financave Shkëlqim CANI nota 2
2. Ministër i Brendshëm Saimir TAHIRI nota 1

3. Ministre e Mbrojtjes Mimi KODHELI nota 4

4. Ministër i Jashtëm Ditmir BUSHATI nota 4

5. Ministre e Integrimit Europian Klajda GJOSHA nota 5

6. Ministër i Drejtësisë Nasip NAÇO nota 6

7. Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben AHMETAJ nota 6

8. Ministër i Energjisë dhe Industrisë Damian GJIKNURI nota 2

9. Ministër i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond HAXHINASTO nota 0

10. Ministre e Zhvillimit Urban dhe Turizmit Eglantina GJERMENI nota 6

11. Ministër i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit te Ujërave Edmond PANARITI nota 5

12. Ministër i Shëndetësisë Ilir BEQJA nota -4

13. Ministre e Arsimit dhe Sportit Lindita NIKOLLA nota 6

14. Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Erion VELIAJ nota 5

15. Ministre e Kulturës Mirela KUMBARO-FURXHIU nota 5

16. Ministër i Mjedisit Lefter KOKA nota 5

17. Ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin Ermonela FELAJ nota 5

18. Ministre për Inovacionin dhe Administratën Publike Milena HARITO nota 6

19. Ministër për Çështjet Vendore Bled ÇUÇI nota 6

Nota minimale është 0 dhe maksimale është 10!