Izet S Çulli: Shpopullimi dhe Shpopullim

333
Sigal

Analizë nga Izet Çulli:  Shpopullimi! Nuk ka më mjerim sesa të të vijë turp nga vendi yt! Skena të rënda migjeniane kanë kapluar familje që janë ngulur diku në një “banesë” me mjete rrethanore dhe me sytë nga qielli për ndihmë.

 

Izet ÇULLI

“S’ka gjë më mjerane sesa të të vijë turp nga vendi yt!”

Ç.Dikens

“Nuk ka në botë vend më të këndshëm se vatra atërore”

Ciceron

Specialistëve të demografisë ky titull mund  t’ju duket disi i pazakontë , por jo. Një dukuri e tillë e shpopullimit  ka lindur edhe në vende të tjera, por tek ne ka marrë përmasa më të paparashikuara. Ne kemi një shpopullim brenda vendit duke pikësynuar zonat qytetare dhe ato bregdetare,  ku dihet  që punësim të sigurt nuk mund të ketë , siç njerëzit mëtojnë. Ku mund të punësohesh në qytet: ku uzina e fabrika  të tëra u rrafshuan, përveçse ndonjë ndërmarrje private që funksionon alla shqiptarçe në këtë sistem ky hymë me bujë dhe zhurmë. Punonjësit  jo gjithnjë e ndiejnë veten të sigurt  se pronarët  mund të të hedhin në rrugë kur të duan për kapriçon me të vogël. Po në vendet  bregdetare, ç’mund të bësh, ku ato qytete  e qyteza janë të tejmbushura sidomos gjatë  këtyre lëvizjeve të ethshme e pa kriter.Të shikosh Sarandën e bukurisë p.sh. ku s’ka as ku të hedhësh  kokrrën e mollës, se mjaft të ngjeshura janë pallatet dhe ndërtesat. Ajo, Saranda e dikurshme që ishte ndarë  dikur nga projektuesi i huaj me kate, si një amfiteatër gjigant natyror. Sot shumë persona kanë lënë vendbanimet e tyre stërgjyshore, ku kanë pasur ekonominë bujqësore e blegtorale ( të cilave u këndoi  poeti  i madh Naim Frashëri) dhe rendin drejt qyteteve. Sigurisht ata kanë një farë të drejte se  në shumë prej atyre zonave, mungon  jo vetëm infrastruktura e duhur, por  edhe politikat nxitëse e ndihmëse në të holla (subvencionime), si edhe  arsimi që është tejet i mangët dhe shërbimi mjekësor, i cungët. Një shpopullim i  këtillë do të sjellë rrjedhoja të pariparueshme pë vendin tonë në të afërmen jo të largët: me hapësira të mëdha boshe, me fshatra të zhdukura nga harta se mungojnë njerëzit që i gjallërojnë ato. Po ashtu kemi parë edhe raste  që mediat na ndjeshmërojnë nëpërmjet ekraneve disa skena të rënda migjeniane (për të mos thënë mesjetare). Janë disa familje që janë  ngulur diku në një “banesë” me mjete rrethanore dhe me sytë nga qielli, kërkojnë ndihmë. Është pra një numër njerëzish që ka braktisur gjithçka  dhe tani kërkon përkrahje nga biznesi dhe shteti. Po gjer më sot  asnjë gazetar nuk i ka pyetur ata se: “nga cili vend i Shqipërisë   ke bujtur ti këtu dhe ç’të mungonte atje? A nuk kishe shtëpi, bagëti, tokë në pronësi etj?  Shpopullimi tjetër është ai jashtë vendit në shtete të ndryshme të botës, pothuajse në të gjitha kontinentet. Ne të gjithë  e kemi parë se kur shkojmë në  vendlindjen e dikurshme, sidomos në qytet p.sh. takohesh me njerëz që s’i kishe  parë  asnjë herë më përpara, të cilët ata tanimë atje janë bërë shumicë. Diçka e tillë ndodh edhe me tiranasit e djeshëm, që sot, si të thuash, e quajnë veten  si të huaj, ngase kanë pllakosur  gjithandej banorë të shumtë nga  rrethinat e largëta të vendit…Vetë kryeqytetasit (dhe jo vetëm) janë nisur  në botën mbarë. Një pjesë e tyre kanë  zënë vend mirë dhe janë rregulluar . Disa të tjerë, të shprehen të pezmatuar, se kur s’të bën mirë shteti yt, ç’pret  nga i huaji! Sidoqoftë kjo ka qenë  zgjedhja e tyre, por na vjen tmerrësisht keq kur mjaft nga ata  i janë  dorëzuar botës së krimit dhe dihen mirëfilli se ku përfundojnë.-Ata që dinë se ku shkojnë, mirë bëjnë, -tha dikush këto ditë me qesëndi, por diçka nuk e kuptoj mirë, se Shqipërinë e breznive të tëra kësisoj kujt ia lanë? Këtë ka sjellë globalizmi  dhe të shpopulluarit e këtij vendi të bekuar parajsor. Këto probleme i dinë mirë edhe politikanët  tanë të sotëm që ne i zgjedhim (ose jo) çdo katër vjet sipas ngjyrave  që përfaqësojnë. Po ç’është e vërteta  tek ne politikanët mendojnë  më së pari për veten, familjen dhe farefisninë sesa për popullin. Jemi ne që fanatikisht  dhe fatalisht i ndjekim me “besnikëri” nga pas… Më duket sikur edhe sot fshikullon ashpër vullnet-hekuri Fan S.Noli në vjershën  me dy vargje gjithaq sfidues:” Vaj vatani e mjerë mileti” si dhe më tej:”As i gjall’ , as i varrosur.”Shpopullim nga brenda dhe nga jashtë , po gjer kur kështu? Një Zot e di dhe s’e di…!!