Italia “mbytet” me drogën, që trafikohet nga Shqipëria

Dje policia italiane kap gomonen e mbushur me drogë, me vlerë 2 milionë euro, e cila,  vinte nga bregdeti i  Shqipërisë.  Dhjetëra tonelata hashash janë sekuestruar këtë vit në Itali dhe Greqi. Raportet e DASH-it, Antimafia-s Italiane dhe Interpol-it  e cilësojnë Shqipërinë si vendin e origjinës së drogës. Si ka mundësi, që Policia e Shtetit nuk kap dot kanabisin, as ku kultivohet, as kur trafikohet drejt Europës dhe as kur niset me skafe nga brigjet shqiptare?

Policia italiane kap gomonen e mbushur me drogë, me vlerë 2 milionë euro

Sigal

Raportet e DASH dhe të Antimafias italiane, të vitit 2019 theksojnë me të madhe, se Shqipëria është vendi i origjinës të drogave si hashashi, ndërkohë, që është shndërruar edhe si vendi tranzit për drogat e fuqishme, si kokaina dhe heroina, të cilat vijnë nga Amerika Latine dhe Afganistani, për t’u shpërndarë gjithandej Europës.

Hashashizimi i Shqipërisë

Pas vitit 2016, Shqipëria, sërish po “gjelbëron” nga kultivimi i hashashit. Sidomos, këtë vit, duke përfituar edhe nga izolimi, nga pandemia, trafikantët në Shqipëri kanë qenë më të lirshëm, që të mbjellin hashashin, në vende gjithnjë e më të sigurta, ndërkohë, që aksionet e policisë së Shtetit kanë qenë sporadike. Një tjetër fakt domethënës, është se sa herë Shqipëria ndodhet në prag të zgjedhjeve, kultivimi i hashashit është edhe më i madh.

Transport ndërkombëtar i hashashit

Greqia dhe sidomos Italia, thuajse përditë raportojnë se kapen ngarkesa të mëdha me hashash, i cili vjen nga Shqipëria. “Taksitë” e detit, që nisen nga bregdeti shqiptar, thuajse përditë vizitojnë brigjet e Italisë. Kështu, dje policia italiane kapi një gomone, me ngarkesë hashashi. Autoritetet italiane kanë vënë në pranga një shqiptar dhe 2 italianë, të cilët u kapën duke transportuar drogë nga Shqipëria me vlerë 2 milionë euro. Gomonia 6 metra me 152 kg marjuanë dhe 26 kg hashash në bord, u bllokua në Kastro, pas një ndjekjeje të gjatë nga policia italiane. Droga ishte fshehur në një fund të dyfishtë brenda gomones. Pas arrestimit të tre trafikantëve vijon puna për zbulimin e plotë të rrjetit të trafikut. Gomonia mund të jetë nisur nga derdhja e Vjosës në det, ose nga Karaburuni.

Policia e Shtetit bën sehir

Është e çuditshme, që këto ngarkesa disa tonëshe me hashash, mbërrijnë në Itali dhe Greqi, e nuk zbulohen dot në territorin e Shqipërisë. Pyetjet janë: Si ka mundësi, që sipërfaqet e mbjella me hashash, nuk u zbuluan nga Policia e Shtetit? Si u arrit që hashashi i kultivuar në sipërfaqe të mëdha, u korr dhe u përgatit në hangarë, pa u marrë vesh nga Policia e Shtetit? Si ndodh, që qarkullimi i tonelatave të hashashit nga parcelat, deri në brigjet e Shqipërisë nuk zbulohet nga Policia e Shtetit? Mos vallë, Policia e Shtetit ka dijeni, por, hesht, ose në rastin më të keq, është bashkëpunëtore e këtij trafiku të hashashit? Mos vallë kokat e trafikimit të hashashit në Shqipëri kanë lidhje me zyrtarët e lartë të shtetit, derisa askush nuk arrestohet, ndërkohë, që Greqia e Italia kanë sekuestruar dhjetëra tonelata hashashi të trafikuar nga Shqipëria? Nëse bëjmë një llogari, ngarkesa  me hashash që kapet nga policia greke dhe italiane, është shumë herë më e vogël nga sasisa e hashashit që ka mundur të trafikohet në Greqi dhe Itali. Pse deri tani, nuk ka asnjë të arrestuar në Shqipëri, si bosët e trafikimit të hashashit?

Shqipëria, e kryqëzuar nga DASH-i dhe Interpoli për trafikimin e drogave

Një nga shkaqet e refuzimit nga BE për hapjen e negociatave me Shqipërinë për anëtarësim, është edhe dështimi total i Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar, kundër trafiqeve ndërkombëtare të drogave, derisa çdo vit, ky problem është kryefjala e raporteve të DASH dhe Interpolit, Antimafias italiane për Shqipërinë.