Sigal

Ish-Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka zhvilluar një takim përshëndetës me drejtues të lartë të policisë, të cilët i ka falenderuar për punën e bërë gjatë periudhës që ai ka qenë në krye të Punëve të Brendshme. Xhafaj u dërhoq nga py post disa ditë më parë dhe gjatë fjalës përshëndetëse, krahas të tjerave, renditi një sërë suksesesh të shënuara nga policia e shtetit gjatë drejtimit të tij.

Ministri tha se gjatë 11 muajve i dhanë fund historisë së turpshme të kanabisit. “Kemi përmbyllur operacionin e madh të anti-kanabisit të këtij viti. Po pres me padurim të shoh rezultatet e certifikuara nga partnerët tanë ndërkombëtarë që asistojnë e monitorojnë këtë operacion, të cilat do të ri-dëshmojnë se si një histori turpi e dështimi në vite të tëra më në fund e kthyem së bashku në një histori suksesi. Tashmë është fakt i pranuar dhe certifikuar prej partnerëve ndërkombëtarë. Shqipëria nuk është më në hartën e vendeve evropiane ku kultivimi i kanabisit është një fenomen.”, tha ai.

Pjesa e fjalimit të Fatmir Xhafaj për kanabisin:

1. Lufta kundër kultivimit e trafikimit të kanabisit – ishte një ndër prioritetet tona kryesore dhe ndër të parat premtime publike që ne e kemi përmbushur plotësisht.

Në 27 mars të vitit të kaluar në këtë sallë deklaruam një luftë pa kompromis kundër këtij fenomeni kriminal, të zhvilluar prej 25 vitesh në këtë vend. Dëshiroj t’ju kujtoj të gjithë kritikëve tanë, por edhe skeptikëve të ndryshëm dhe veçanërisht atyre që e kanë harruar ose që me qëllim bëjnë sikur e kanë harruar për të minimizuar suksesin e arritur, që kanabisi kishte shërbyer ndër vite si burimi kryesor i ngritjes dhe fuqizimit financiar të krimit të organizuar në këtë vend dhe që gati po shihej si normalitet i jetës sonë dhe si një pamundësi e shtetit e shoqërisë ta fitonin betejën me të.

Nuk ka qenë një sfidë e thjeshtë lufta kundër tij, por kemi patur gjithë vullnetin dhe aftësinë organizuese që t’i jepnim fund një herë e mirë një prej fenomeneve më kriminale në këtë vend. Dhe e theksoj pa asnjë mbështetje shtesë në burime njerëzore, logjistike e financiare.

Kemi përmbyllur operacionin e madh të anti-kanabisit të këtij viti. Po pres me padurim të shoh rezultatet e certifikuara nga partnerët tanë ndërkombëtarë që asistojnë e monitorojnë këtë operacion, të cilat do të ri-dëshmojnë se si një histori turpi e dështimi në vite të tëra më në fund e kthyem së bashku në një histori suksesi. Tashmë është fakt i pranuar dhe certifikuar prej partnerëve ndërkombëtarë. Shqipëria nuk është më në hartën e vendeve evropiane ku kultivimi i kanabisit është një fenomen.

Ky sukses i jashtëzakonshëm është plotësisht tregues i seriozitetit dhe profesionalizmit të treguar nga ana juaj. Është tregues i ndershmërisë dhe i përkushtimit ndaj interesit të qytetarëve dhe angazhimeve tona ndërkombëtare.

Ju faleminderit të gjithëve e veçanërisht punonjësve të policisë të rolit bazë, që kanë vigjiluar në terren me një angazhim të veçantë!