Ish-anëtari I KQZ-së, Hysen Osmanaj/ Qeveria merr peng edhe pushtetin vendor me ligjin “Për zhvillimin rajonal” si dhe Kartën Europiane të Autonomisë

429
Sigal

Hysen Osmanaj, Ish- anëtar i KQZ-së dhe ish drejtor i Përgjithshëm i politikave të qeverisjes vendore dhe decetralizimit në Ministrinë e  Brendshme

Mendoj se ky ligj cënon jo vetëm amandamentët  kushtetues për qeverisjen vendore, por dhe Kartën Europiane  të Autonomisë  Vendore, e cila është ratifikuar nga Parlamenti Shqiptar, cënim që ka filluar që me miratimin e reformës territoriale, duke cënuar autonominë vendore

Qeveria merr peng edhe pushtetin vendor me ligjin “Për zhvillimin rajonal dhe kohezionin”

Jakup B. GJOÇA  

Hysen Osmanaj, ish- anëtar i KQZ-së dhe ish- drejtor i Përgjithshëm i politikave të qeverisjes vendore dhe decetralizimit në Ministrinë e  Brendshme  në intervistën për gazetën “Telegraf”, thotë së ligji “Për zhvillimin rajonal dhe kohezionit”,  shkel edhe Kartën Europiane të Autonomisë Vendore, duke cënuar autonominë vendore. Vetë qeveria, me këtë ligj pohon dështimin e reformës së saj territoriale, që miratoi me konsensus para disa vjetësh. Zoti Osmanaj, pohon se ky ligj është i nxituar nga ana procedurialë dhe ka shkelur të gjitha praktikat e hartimit të projektligjeve, nuk është diskutuar fare nga asnjë grup interesit. Zoti Osmanaj, thotë se në kuptimin kushtetutës këto rajone nuk mund të quhen njësi vendore, pasi në Kushtetutë është e përcaktuar saktë kush janë njësitë e qeverisjes vendore.

– Zoti Osmanaj, ju si e konsideroni votimin e ligjit organik “Për zhvillimin rajonal dhe kohezionin” i votuar nga parlamenti pa diskutime?

– Ligjin për zhvillimin rajonal dhe kohezionin jo vetëm unë, por kushdo me njohuri sa do të pakta juridike quan një ligj të nxituar nga ana proceduriale dhe të mangët nga ana ligjore. I nxituar sepse ka shkelur të gjitha praktikat e hartimit të draftligjeve, ligj i cili  nuk është diskutuar me grupet e interesit, nuk është  diskutuar me organet bazë të njësive të qeverisjes vendore, nuk është diskutuar me këshillat e qarqeve dhe as nga ekspertët vendorë, ka mangësi ligjore, pasi në ligj duhet të ishin përcaktuar cilat janë këto katër (4) rajone dhe kriteret e përdorura për të bërë ndarjen e tyre, ndarje këto që të mundësojnë një zhvillim rajonal sa më të qëndrueshëm e bashkëpunues dhe sa më eficent në ndihmë të  zhvillimit të njësive të qeverisë vendore përbërëse të rajonit zhvillimor.

“Ligjin për zhvillimin rajonal dhe kohezionin jo vetëm unë, por kushdo me njohuri sa do të pakta juridike e quan një ligj të nxituar nga ana proceduriale dhe të mangët nga ana ligjore. I nxituar sepse e ka shkelur të gjitha praktikat e hartimit të draftligjeve, ligj i cili  nuk është diskutuar me grupet e interesit, nuk është  diskutuar me organet bazë të njësive të qeverisjes vendore”

– Cili është qëllimi i ndarjes teritoriale të Shqipërisë në 4 njësi vendorë, sipas këtij ligji të ri?

– Në kuptimin kushtetues këto rajone nuk mund të quhen njësi vendore, pasi në Kushtetutë është përcaktuar saktë kush janë njësitë qeverisjes vendore, qëllimi i këtij ligji është përcaktuar në nenin 2 të këtij ligji dhe duke i parë me kujdes pikat a dhe b të nenit 2 “qëllimi i ligjit”, mendoj se ato duhet të jenë prioritete e detyrime të qeverisë qendrore dhe nuk është e nevojshme të krijohen institucione të tjera ndërmjetëse mes qeverisjes qendrore dhe asaj vendore për të realizuar ato objektiva, ndërsa pikat c dhe ç të këtij neni,  janë detyra të  cilat Kushtetuta dhe ligji për organizimin dhe funksionimin e pushtetit local,  ia ngarkon këshillit të qarkut. Në paragrafin 2 të nenit 110 të Kushetutës, është e përcaktuar qartë se Qarku është njësia, ku ndërtohen e zbatohen politikat rajonale dhe ku ato harmonizohen me politikat shtetërore. Unë mendoj  që qëllimi nuk është ai, qëllimi është në rradhë të parë se ka dështuar tërësisht reforma territoriale për sa i përket realizimit të  programeve zhvillimore, shërbimeve ndaj komunitetit (duke mos respektuar një nga parimet bazë të qeverisjes vendore se “qeverisja më e mirë, Ajo sa më afër qytetarit”), është mos- rritja e investimeve të domosdoshme për komunitetin si dhe është rritja deri më së dy herë e shpenzimeve për pagat e kësaj administrate vendore me 61 bashki. Dihet tashmë nga i gjithë opinioni publik dhe më gjërë,  se niveli i parë i qeverisjes vendore në Shqipëri, ka qenë i konsoliduar dhe shumë funksional,  gjë të cilën e kanë pranuar dhe ekspertët e  Kongresit të Autoriteteve Lokalë të Këshillit të Europës, pra reforma e re territoriale mund të quhet një hap mbrapa.

– Ky ligj parashikon ngritjen e një Komiteti Kombëtar të kryesuar nga zv/ kryeministri , i cili do përcaktojë  dhe ritmet e zhvillimit, dhe mënyrat e financimit të njësive të qeverisjes vendore. A bie ky  ligj në kundërshtim me ligjin kushtetues “ Për funksionimin pushtetit vendor”?

– Mendoj së ky ligj cënon jo vetëm amandamentet kushtetuese për qeverisjen vendore, por dhe Kartën Europianë  të Autonomisë  Vendore, e cila është ratifikuar nga Parlamenti Shqiptar, cënim që ka filluar që me miratimin e reformës territoriale, duke cënuar autonominë vendore dhe duke e zbehur atë hap pas hapi, decentralizimin në kryerjen e funksioneve e shërbimeve ndaj komunitetit dhe duke i larguar ato sa më larg nga qytetari. Organizimi dhe funksionimi i bashkive të ngjan më shumë me organizimin dhe funksionimin e komiteteve ekzekutivë të rretheve në kohën e monizmit. Komiteti Kombëtar, ky institucion ndërmjetës midis qeverisjes qendrore dhe asaj vendore cënon decentralizimin dhe autonominë organeve të qeverisjes vendore, zhbën të gjitha projektet dhe strategjitë zhvillimore të njësive vendore të hartuara me ndihmën e ekspertëve vendorë dhe të huaj si dhe të miratuara në organet përfaqësuese të njësive vendore.

“Ka mangësi ligjore, pasi në ligj duhet të ishin përcaktuar cilët janë këto katër (4) rajone dhe kriteret e përdorura për të bërë ndarjen e tyre”

– Praktika e deritanishme e qeverisjes në Shqipëri ka dëshmuar se qeveria  (cilado qeveri) ka diskriminuar me mungesa fondesh e finanancimesh, ato bashki, që kryetar kanë zgjedhur nga partia kundërshtare. A nuk thellohet ky diskriminim qeverisës, derisa ligji e prish decentralizimin e pushtetit vendor, duke e vënë nën tutelën e kryetarit të Komitetit kombëtar për Zhvillim e Kohezion, që është zv/Kryeministri?

– Tanimë nuk bëhet fjalë për decentralizim dhe autonomi vendore, aq më tepër kur pushteti vendor është i tëri i një ngjyre si organet përfaqësuese dhe ato ekzekutive të njësive bazë të qeverisjes vendore, decentralizimi fiskal dhe transferimi i disa funksioneve të qeverisjes qendrore në atë vendore të bëra nga Qeveria Demokratike dihet tashmë se janë suprimuar dhe marrë nga Qeveria e Rilindjes. Diskriminimi apo favorizimi i një njësisë të qeverisjes vendore me financime nga ky komitet, apo qeverisja qendrore, tani do të varet nga fenomene tjera më shumë korruptivë, se sa politikë.

–  A do të këtë ndikim elektoral kjo ndarje e re e territorit të Shqipërisë në 4 njësi vendore?

-Nuk mendoj se ka ndikim electoral,  pasi është  e përcaktuar saktë në Kodin Zgjedhor në nenin 74 “zona zgjedhore përputhet me territorin e qarkut i cili  shërben si njësi zgjedhore për zgjedhjen e një numri të caktuar deputetësh”. Pra kjo kurrësesi nuk mund të ndodhë në një shtet të së Drejtës, ku sundon ligji dhe vendi qeveriset, duke u bazuar në ndarjen dhe balancimin ndërmjet pushtetit ligjëvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor, kjo mund të ndodhë në një shtet diktatorial.

“Në kuptimin kushtetues këto rajone nuk mund të quhen njësi vendore, pasi në Kushtetutë është e përcaktuar saktë kush janë njësitë e qeverisjes vendore”

– Deri tani, kjo ndarje e re territoriale, nuk është diskutuar fare në Këshillin Politik, ku opozita reale të paktën nga reagimet e para, e ka kritikuar ashpër  këtë ligj. Si mund të bëhet pjesë e Kodit Zgjedhor kjo ndarje e re territoriale  e  Shqipërisë?

-Nuk mendoj se mund të diskutohet në Këshillin Politik, nuk ka as një tagër ky këshill t’i diskutojë këto rajone, pasi në Kushtetutë është e përcaktuar saktë, se njësitë e qeverisjes vendore janë komunat ose bashkitë dhe qarqet, e thënë shkurt,  këto rajone zhvillimore nuk janë dhe nuk mund të quhen njësi të qeverisjes vendore. Pjesë e kodit zgjedhor, kjo ndarje territoriale mund të bëhet vetëm po qe se bëjmë përsëri ndryshime në Kushtetutë dhe në ligjin për ndarjen territoriale, duke i shkrirë 12 qarqet dhe duke i emëruar këto 4 rajone zhvllimore si 4 qarqe, gjë e cila  mua më duket një ndërmarrje e pamundur të paktën për zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

– Faleminderit!