Ish-aleati i Ramës: Votë kundër pazareve politike PS-PD

426
Një grupim prej 12 partish, shoqatash dhe grupesh të tjera interesi, të bashkuara nën drejtimin e Lëvizjes Çame dhe të udhëhequr nga Partia “Aleanca Popullore”, shprehën shqetësimin e tyre për zhvillimet politike dhe gjendjen aktuale ekonomiko-sociale në vend. Grupimi i partive, shoqatave dhe grupeve të interesit, të bashkuara në zgjedhjet e vitit 2013 me Partinë Socialiste dhe kryeministrin Rama, shprehën zhgënjimin e thellë me sjelljen politike të qeverisë dhe shumicës parlamentare, duke mos i respektuar marrëveshjen politike të firmosura dhe angazhimet e ndërsjella. “Aleanca Popullore dhe grupimet e bashkuara me të vlerësojnë se mënyra e zhvillimit të procesit elektoral për zgjedhjet e 25 qershorit është në kundërshtim të hapur me Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor. Shkeljet flagrante të Kushtetutës dhe Kodit kulmuan me marrëveshjen politike të 18 majit, duke dëshmuar se pushteti dhe opozita kanë dërrmuar hapur ligjet shqiptare dhe po ashtu kanë rrënuar standardet demokratike në vend”, thuhet në deklaratën zyrtare. Aleanca Popullore dhe aleatët e saj vlerësuan se numri i shqiptarëve të indinjuar me këtë politikë është i konsiderueshëm dhe angazhimi për ta kthyer në aksion politik është marrë duke parë masivitetin e deklaratave për t’i vënë kryq votës. Për këto arsye, grupimi prej 12 partish, shoqatash dhe grupesh të tjera interesi, të bashkuara nën drejtimin e Lëvizjes Çame, dhe të udhëhequr nga Partia “Aleanca Popullore”, bëjnë thirrje që mbështetësit e tyre të votojnë kundër në fletën e votimit më 25 qershor.
Sigal