Intervistë me Prof. Zamira Çavo/ Viti 2024 në 360 gradë: Shteti vihet në pikpyetje

193
Sigal

Sepse unë nuk mund ta pranoj që nëse nga qeverisja dërgohen në qeli e dënohen ministra e punonjës publikë, qeveria nuk paska përgjegjësi, apo të dëgjoj Kryeministrin, i cili thotë: Kush ha dardha pas shpinës sime të mbajë vetë përgjegjësi!  Po cili apo cilët janë ata që zgjedhin këta individë për t’i bërë ministra apo zëvëndësministra, kryetarë bashkishë apo deputetë?

Prof.Zamira Çavo në një intervistë për “Telegraf” ka analizuar vitin 2024 në lidhje më të gjitha ngjarjet që kanë prekur jetën e qytetarëve shqiptarë , ndikuar nga politika , problemet sociale dhe shoqërore. Ajo e cilëson si një vit kaotik, ku shoqëria është në kaos.

Pyetje: Nëse do të duhej ta përkufizonit me një fjali vitin që po lemë pas, si do ta përkufizonit?

Vit kaotik! Çelje e kapitujve me Bashkimin Europian, rritje pagash, bonuese të larta pensioni, rrugë që po përfundojnë e të tjera që po ndërtohen…burgosje politikanësh dhe emra shtetarësh që po gjykohen për korrupsion të madh. SPAK-u që po ndjek kriminelët dhe nuk ndjek paratë e politikanëve, që sekuestron pasuritë (vetëm disa prej tyre, duke u lënë pjesën e majme) dhe më pas ua rikthen në forma të tjera…Media që çorjenton 24 orë në 24 mëndjen e njerëzve Pra një formë Kaosi ku qytetari shqiptar endet si i vërbër pa ditur nga t’ja mbajë.

Dhe e dini përse?

Sepse gjatë gjithë këtij viti ne si popull jemi zhytur në një kaos POLITIK, MEDIATIK SOCIAL, MORAL, EKONOMIK.

Përgjegjësit e këtij kaosi jemi Ne të gjithë së bashku, sepse kemi rënë në kurthin e politikës infantile, medias tallava, rrjeteve sociale vrastare, reklamave tunduese të mallrave të skaduara e veshjeve pa fre…

Pyetje: Po ku e shihni këtë kaos ju?

Me disa fjali e thashë pak më sipër.Po e nis me qeverisjen, pasi kaosi që egziston në mëndjen dhe realitetin e shqiptarëve buron më së pari nga kjo qeverisje.  A ka bërë punë të mira qeveria? Sigurisht që po. Mbi të gjitha ka hapur kapitujt me Bashkimin Europian duke çelur rrugën drejt hyrjes në këtë organizatë. Ka rritur pagat e punonjësve të administratës publike, ka investuar në rrugë e ndërtime dhe ajo që është më kryesorja ka krijuar një imazh krejtësisht pozitiv në arenën ndërkombëtare duke çuar edhe në rritjen e numrit të vizitorëve nga bota. Në të vërtëtë asnjëherë Shqipëria nuk e ka patur këtë imazh dhe këtë duhet t’ja njohim si meritë, patjetër z Rama.

Nga ana tjetër kjo qeverisje, me aq sa na demonstron SPAKU, është zhytur në një korrupsion që po shkatrron jo vetëm gjendjen ekonomike të shqiptarëve, por edhe mëndjen e tyre. Perceptimi popullor sot është rritur frikshëm ndaj korrupsionit aq sa thuhet që në Administratën publike duhet dekoruar ai që nuk vjedh!  Dikush mund të thotë se kështu ka qenë edhe më parë, por tani transparenca ka bërë që të dalin në shesh të gjitha shpërdorimet, mashtrimet, apo korrupsionet galaktike. Jam dakord. Por një qeverisje e mirë kërkon jo thjeshtë dënimin e individit, por mbi të gjitha rritjen e përgjegjshmërisë kolektive!  Sepse unë nuk mund ta pranoj që nëse nga qeverisja dërgohen në qeli e dënohen ministra e punonjës publikë, qeveria nuk paska përgjegjësi, apo të dëgjoj Kryeministrin, i cili thotë: Kush ha dardha pas shpinës sime të mbajë vetë përgjegjësi!

Po cili apo cilët janë ata që zgjedhin këta individë për t’i bërë ministra apo zëvëndësministra, kryetarë bashkishë apo deputetë? Sigurisht që Kryeministri, sepse Ai ka tagrin që të mbajë pas vetes ata që do!! Ja pra si krijohet kaosi.  Nëse bën mirë disa gjëra, por shkatërron imazhin dhe realitetin me disa të tjera, sigurisht që perceptimi është Kaos, jeta e shqiptarëve është kaos!

A nuk është Kaos dhe fusha e investimeve në Shqipëri? Investohet në rrugë dhe shumë mirë bëhet, por a mund të më thotë kush se mbi çfarë rregulli apo strategjie, janë copëtuar pjesët e bukura të bregdetit jonian duke i dhënë “investitorëve” strategjikë copa të tëra të një pasurie që është e gjitha e jona?  Me çfarë turizmi do zhvillohet Shqipëria e do pasurohen shqiptarët? A ka investime në ekonomi? Investime që sjellin prodhim e sigurojnë zhvillim?  Turizmi sado të zhvillohet nuk do mund kurrsesi të sigurojë një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.

Dhe në fushën e investimeve .Kaosi nuk është thjeshtë perceptim, por realitet i frikshëm që ka pasuruar me hapa galopante një klan të caktuar politiko-mediatik dhe ka varfëruar pjesën tjetër të shqiptarëve.

E kemi poshtëruar rolin e mësuesit e pedagogut deri në atë pikë sa askush nuk ka më respekt, jo më për mësuesin e pedagogun por as për arsimin

Pyetje: Parlamenti shqiptar ka miratuar disa ligje gjatë këtij viti duke treguar një aktivitet intensiv në ligjbërje. Si e gjykoni këtë?

Kam vetëm një fjali për Parlamentin dhe median: Ju lutem mos transmetoni më pamje nga Parlamenti se e keni shkatërruar imazhin e institucioneve të shtetit deri në palcë! Dhe kur respekti për këto insitucione rrëzohet edhe në sytë e publikut, e më tej në mëndjen e tyre, shteti vihet vërtetë në pikpyetje.

Pyetje: Besoni që opozita shqiptare po ndjek një rrugë politike që do ta çojë drejtë fitores?

Unë nuk shikoj OPOZITË! Unë shikoj ca klane të babëzitura, ca për të fituar pasuri e ca pë të ruajtur atë pasuri që kanë fituar!  Opozita shqiptare, së bashku me parlamentin dhe qeverisjen, janë të prirur të krijojnë kaos, pasi vetëm kështu na shfaqen si “heronj” që po “luftojnë” për popullin. Dhe kaosi shprehet në dhunë verbale. fizike, ekonomike. Opozita që thoni ju është në kaos të brëndshëm, grupe dhe individë që luftojnë vetëm për interesa individuale e aspak partiake. Nuk ka strategji por vetëm spontanitet, vazhdon e krijon Kaos me ato kërkesat qesharake për rrëzim me dhunë të narkoshtetit, i cfilit militantët pa u dhënë asgjë,sepse nuk ka asnjë mundësi për t’ju dhënë atë që u premton,  plus që 5 muaj para zgjedhjeve nuk kanë as strategji bashkimi.

Pyetje: Gjatë këtij viti është vënë re një rritje e dhunës sidomos te adoleshentët. Vetëm kohët e fundit kemi raste, të cilat kanë përfunduar ose me vdekje ose me plagosje të rëndë.  Madje dhe Kryeministri ka bërë disa takime ku kërkon edhe mbylljen e rrjetit social Tik- Tok.  Si mund ta shpjegoni këtë?

Shoqëria është në Kaos. Familja është në Kaos. Dhe këtu përgjegjësja kryesore është dhe media. Ajo kastë e opinionistëve që mbushin mbrëmjet e televizioneve shqiptare është shkatërruesja e ndërgjegjes sonë kolektive. Emisionet mediatike janë të mbushura me kronikë të zezë, dhunë e mashtrime. Çoroditja që u kanë bërë mëndjes së shqiptarëve po i çon ata drejtë zgjedhjeve më të pamenduara ndonjëherë. Por pronarëve të medias ju intereson Kaosi, sepse ata nga ky kaos përfitojnë duke siguruar pasuri që zor se dikush ua gjen dot rrënjët!

E kemi poshtëruar rolin e mësuesit e pedagogut deri në atë pikë sa askush nuk ka më respekt, jo më për mësuesin e pedagogun por as për arsimin. (Për këtë do na duhen shkrime të tjera për ta sqaruar tërësisht gjendjen). Ama arsimi po shkon me shpejtësi drejt një degradimi total. Kemi kurrikula të viteve 2000 me mendësi të viteve 70, ndërsa sot kërkohen kurrikula të kohës me mëndësi të së ardhmes. Kaos.

Sa për rrjetet sociale, gjykoj se ato tashmë e kanë bërë punën e tyre dhe varësia ndaj tyre është e pashmangshme. Mbyll sa të duash, në daç tik-tokun e në dac Fcb-në apo Insta-n. Varësia është tashmë patologjike. Ama e vetmja mundësi është EDUKIMI i njerëzve për të kuptuar dhe vepruar me sy e mendje të zgjuar. A e bëjmë dot këtë? JO! Sepse media krijon kaos, arsimi është në kaos, familja është në kaos.

Pyetje: Viti që vjen është vit elektoral, si e parashikoni situatën?

Si jo të jashtëzakonshme. Ai që humbet do shpallë se nuk i njeh zgjedhjet, se zgjedhjet u vodhën dhe militantët e asaj force do t’i “hedhë” në veprime dhune… më tej besoj se shqiptarët do e gjejnë rrugën e arsyes e do kuptojnë se ky sistem që kemi ndërtuar kërkon mjergull për të mos lejuar shikim qartazi të situatave. E që të arrihet kjo ne kemi nevojë për ata njërëz me ideale që kanë mbetur në Shqipëri, njerëz me filozofi optimiste, njerëz që e duan këtë vend, dhe uroj që mbase do bëhen bashkë për t’i dhënë tjetër kuptim jetës në vend.

Pyetje: A mendoni që ardhja e z Tramp në krye të administratës amerikane do i japë një qasje tjetër politikës në Shqipëri?

Politika amerikane kthen sytë nga Shqipëria kur ka interesat e veta imediate. Në të kundërtën nuk i bie “ndërmend” as për Shqipërinë e as për shqiptarët. Dhe deri tani nuk shoh të ketë interesa të tilla.

Pyetje: Pra Ju jeni pesimiste edhe për vitin që vjen?

ASPAK! Jam optimiste e moderuar! Gjithnjë kam besuar e besoj se nga kaosi lind diçka e re, ndoshta edhe më e mirë. Ndaj shpresoj se filizat e reja do t’i shohim nga fundi i vitit që vjen!