INTERVISTA/ Eriol Braimllari: Rama përdori interesat kombëtare për interesa personale. Dështim absolut me integrimin

373
Sigal

Sekretari për Marrëdhënit Ndërkombëtare në LSI Eriol Braimllari komenton në një intervistë për gazetën “standard” vizitat e kryeministrit edi Rama në Turqi dhe më pas në Greqi. Ai kritikon politikën e jashtem të ndjekur nga Shqipëria përgjatë këtyre viteve, ndërsa thekson se ajo është udhëhequr nga interesat personale të kryeministrit. Po ashtu ai komenton edhe sjelljen aggressive të kryeministrit me liderat politikë në Kosovë, duke theksuar se : “ka pasur një sjellje të qëllimshme nga qeveria Rama për të denigruar Kosoven ne arenën ndërkombëtare”.

 

Pak ditë më parë ndodhën disa ndryshime në kabinetin qeveritar, mes tyre dhe ministria e jashtme. Si e gjykoni politikën e jashtme të Shqipërisë të drejtuar në këto vite nga ministri de jure Edi Rama dhe zëvendësi i tij Gent Cakaj?  

Në kabinetin qeveritar nuk ka ndryshuar asnjë gjë, pasi krahas ndryshimit të emrave nuk shihet ndryshim cilësor, madje gjykoj se qeveria aktuale e ka treguar tashmë prej kohësh se është e paaftë të përmirësoje veten. Ministria e Jashtme e Shqipërisë prej vitesh nuk zhvillon politikë të jashtme në funksion të Shqipërisë dhe shqiptarëve, por është udhëhequr nga interesat personale të kryeministrit, çfarë ka ardhur me kosto të lartë për popullin dhe kombin shqiptar.

Bllokimi i Integrimit Europian të vendit dhe paaftësia për diplomaci ekonomike, janë treguesit më të qartë të kësaj, pasi është përkthyer edhe në ritmet rekord të emigracionit drejt vendeve të BE-së.

Ne shohim vende të rajonit si Maqedonia apo Serbia të jenë më konkurrues për thithjen e investimeve të huaja duke krijuar më shumë punësim e rritje ekonomike, më influencues dhe që ndërveprojnë me zonën Euro-Atlantike në një mënyrë më efektive për t’i ardhur në funksion politikës së brendshme. Shteti i Kosovës gjithashtu është një shembull tjetër, i një shteti shumë herë më serioz në paraqitjen e tij ne politikën e jashtme krahasuar me qeverinë shqiptare, për mbrojtjen dhe avancimin e interesave shtetërore.

Politika e jashtme nuk duhet trajtuar si monopol i ministrit apo qeverise se radhes, por krahas pasjes se ministrave me integritet, nje rol më të madh duhet ëe luaje Parlamenti i Shqipërisë, si dhe Komisionet përkates të ngritur prane tij per politikën e jashtme dhe çështjet e sigurise kombetare, sepse edhe ne politiken e jashtme duhet zbatuar vullneti i sovranit dhe jo i kryeministrit të radhës.

Në kulmin e debatit të brendshëm për çështjen e detit me Greqine, kryeministri Edi Rama zhvilloi një vizitë në Turqi dhe më pas ju drejtua Athinës. Cili është vlerësimi juaj, ne kuadrin gjeopolitik, të këtyre vizitave?

Për t’ju përgjigjur pyetjes tuaj, pa hyrë në detaje të vizitës specifike në Turqi, më lejo të theksoj se kryeministri në ikje Rama nuk e ka sot fuqinë të ndikojë zhvillime gjeopolitike afatgjata. Kuptohet se, çdo veprim i Ramës deri në zgjedhje, ka vetëm karakter personal për të ardhmen e tij pas datës 25 prill. Shqipërinë e ndajnë 106 ditë nga zgjedhjet e përgjithshme, prej të cilave Shqipëria do të ketë një parlament dhe qeverisje të re, me legjitimitet te pakontestueshem dhe me prioritete të qarta për politikën e jashtme, ku në krye të listes eshte realizimi i integrimit europian të vendit, sa më pare. Kjo është e qartë për çdo vend mik, aleat apo partner zyrtar të Shqipërisë, të cilët e bazojnë diplomacinë tek nje tradite e konsoliduar, pjesë e së cilës janë edhe marrëdhëniet që ruajnë me opozitën shqiptare.

 

Po qëndrimet e përsëritura kritike të kryeministrit ndaj BE-se, ndodhur së fundmi edhe nga Turqia në krah të Presidentit Erdogan, si do ti cilësoni?

Një deklaratë nën ethet elektorale, qe gjithsesi mbetet e papranueshme. Rama e shikon që po humbet mbështetje dhe mendon se duke u shfaqur në krah të Presidentit Erdogan, do duket me i fortë në sytë e publikut. Ai kerkon qe keto lajme qe prodhon te mbulojnë dështimet e tij dhe te shfokusojnë votuesin nga problemet reale si papunësia, përgjigja e tij nga Covidit, kostoja e lartë e jetesës, etj. Por, vlerësimi është se kjo deklaratë nuk ka patur efekt specifik tek votuesi i zakonshëm shqiptar, cilët vuajnë keqqeverisjen dhe tradhëtinë që qeveria Rama u ka bërë interesave dhe premtimeve të dhëna, e për këtë arsye do të votojnë ndryshimin në ditën e zgjedhjeve.

 

Ndërkaq një sjellje agresive është vënë re nga qeveria shqiptare ndaj liderëve të Kosovës, se fundmi edhe ndaj Presidentes Vjosa Osmani. Sipas jush pse po ndodh kjo?!

Ka pasur një sjellje të qëllimshme nga qeveria Rama për të denigruar Kosoven ne arenën ndërkombëtare. Kjo gje u pa qe ne momentin kur qeveria shqiptare refuzonte të zbatonte marrëveshjet e bashkëpunimit qe kishte lidhur me qeverinë e Kosovës, por ndërkohë angazhohej ndërkombetarisht në lojën tinëzare per ndryshimin e kufijve te shtetit të Kosovës. Edhe përzgjedhja e personave të caktuar nga Kosova me nivelin jo te duhur për ti promovuar në poste të ekzekutivit, si rasti i z.Cakaj dhe znj.Shahini, të predispozuar për të bërë një figure jo të mirë, është pjesë e kësaj qasje. Sjellja agresive është e turpshme dhe e dënueshme, jo vetem ndaj presidentes në detyrë znj. Osmani, e cila ka ditur te përballojë sulmin e ulet me një sjellje shumë dinjitoze, por edhe ndaj z. Haradinaj dhe të gjithe te tjereve me parë. Ne jo vetem qe jemi shqiptar dhe nuk na ka hije kjo sjellje mes njeri-tjetrit, por Shqipëria duhet te jete faktor stabiliteti dhe nxitës bashkepunimi në rajon, ndaj emocionet apo interesat personal vetem sa demtojnë interesin e shtetasve shqiptar dhe na bëjnë të kemi një figure të shëmtuar.