Flet Dr. Vili Minarolli, ish-ambasador në Vienë dhe Athinë
Intervistoi: Engjëll Musai, drejtor i Telegraf
Në numrin e djeshëm të intervistës së ish-ambasadorit Vili Minarolli, u analizua: Kapjen e Drejtësisë nuk e shpëtoi as puthja e dy ambasadorëve nga “ballkoni veronez” i Kuvendit Shqiptarët. Menduan se ëndrra e tyre po bëhet realitet me votimin unanim të Reformës në Drejtësi e shoqëruar me puthjet e Lu dhe Vlahutin që të kujtojnë ballkonin e Romeo dhe Xhuljetës në Verona. Prapaskenat e fondacionit famëkeq, që i ka sjellë vetëm dëme kombit, edhe pse SHBA dhe BE kanë paguar miliona për Vettingun. Përjashtimi i dhunshëm dhe antiligjor i opozitës nga zgjedhjet dhe përfshirja e vendit në një amulli, do të cënojë rendin kushtetues dhe integrimin në BE. Hetimet amerikane për skandalin Mc Gonigal, heshtja e SPAK, raportimi i kryeministrit në Parlament dhe opozita e opozitës. Sot po botojmë pjesën e dytë mbi ardhjen e PD në pushtet, dhunën e Rilindjes ndaj protestuesve, vjedhjen e votës dhe implikimin e Ramës në superskandalin McGonigal, që ka tronditur SHBA dhe mbarë opinionin botëror

Ardhja në pushtet e Partisë Demokratike solli një frymë të re në respektimin e lirive, të drejtave të Njeriut, ekonomisë të tregut, antarësimit në KE, futjen në NATO, heqjen e vizave dhe lëvizjen e lirë në vendet e BE-së. Si e shikoni sot dhunën kur protestohet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për blerjen e votës nga ‘Rilindja’? Po kleptokracinë e Kryeministrit Rama?
Së pari dua të bëj një qartësim: Nuk është partia socialiste ajo që qeveris vendin dhe ka mazhorancën në parlament, por sekti kriminal me emrin Rilindje që nuk ka asgjë të përbashkët me shtetin social, humanitar, përbashkues të social demokracive europiane. Shteti jonë sot e ka modelin e vet tek shteti i Putinit, i Lukashenkos dhe i sivëllezërve të kreut të sektit, të Vuçiçit, Erdoganit, për të mos folur për shtetet diktatoriale të Afrikës. A është në burg lideri i opozitës ruse? A po kërkohet të futet në burg lideri i opozitës turke? Po kreu ynë i sektit çfarë bëri dhe po bën? Pagoi rrushfet dhe korruptoi zyrtarë të lartë të huaj për të shmangur politikisht drejtuesit e opozitës, nxjerr “ dosje” për të sajuar akuza të paqëna dhe për shpallje e të padëshirueshmëve “non grata”. Për këtë qëllim, krijon artificialisht opozitë kundër opozitës dhe korrupton me pasuritë publike disa deputetë, që kanë si mision minimin e opozitës, përjashton opozitën nga e drejta e fjalës në parlament dhe dhunon dhe shkel hapur çdo ligj dhe nen të Kushtetutës. Dhe me këto masa antiligjore dhe antidemokratike pretendohet që në Shqipëri të bëhen zgjedhje të lira dhe të ndershme, si bëhen në të gjitha vendet demokratike. Kreu i sektit ka krijuar një sistem të frikshëm për manipulimin dhe vjedhjen e votës sa është qesharake të flitet për zgjedhje në Shqipëri. Këtë model nuk e gjen as tek sivëllezërit e tij në Ballkan apo më tutje. Nëqoftëse diktatorit Stalin i përshtatej shprehja:”ju votoni, po votat i numëroj unë” tek ne çdo institucion në varësi të shtetit, madje edhe përfaqësi të huaja diplomatike, vihen plotësisht në shërbim të pushtetit të kreut të sektit.Tashmë sllogani i mësipërm është modifikuar:” Do të votoni ata që dua unë dhe si dua unë se në fund rezultatin e jep ambasadorja amerikane edhe pa mbaruar votimi.”Sepse tashmë nuk është hipotetike, por e provuar me fakte reale se si administrata publike, sistemi i drejtësisë, policia e shtetit, media e blerë, oligarkët klientë të sektit, zyrat e hipotekës, grupe të njohura kriminale, tani dhe me modelin e djeshëm të operativëve dhe bashkëpunëtorëve vullnetarë të djeshëm të sigurimit me emra të “bukur” si patronazhistë apo aktivistë janë në gadishmëri të plotë të tjetërsimit të çdo vote. Por nuk mbaron me kaq kjo histori. Rasti i zgjedhjeve të fundit kur u implikua publikisht dhe zyrtarisht në emër të qeverisë që përfaqëson, ambasadorja amerikane, për të përligjur masakrën elektorale dhe për të mos lejuar asnjë reagim të drejtë të opozitës, duke ushtruar shantazh dhe duke kërcënuar në emër të vendit që përfaqësonte, tregoi se fijet e korrupsionit të kreut të sektit nuk zgjaten dhe përfundojnë deri tek taksisti apo ish sigurimsi shqiptar në Amerikë, deri tek zyrtari i lartë i FBI-së apo kompanive lobuese në Amerikë dhe zyrtarëve të lartë në Europë; deri tek media dhe shoqëria civile në duart e miliarderëve,por edhe tek përfaqësues të shërbimeve diplomatike në Tiranë. Ky sistem merr fund vetëm me rrëzimin nga pushteti i atij që e krijoi, e mbështet dhe e financon me financa nga buxheti i taksapaguesve të vendit, me pasuri publike dhe të ardhurat e siguruara nga trafikimi i drogës, me marrëveshje të modelit “më jep të jap”, por pa e futur asnjëherë dorën në xhepin e tij. Ai e thotë vetë dhe e përsërit me mburrje se nuk është politikan. Po çfarë mund të jetë një kryetar që drejton një forcë politike dhe që nuk është politikan? Nëqoftëse drejtuesi i saj nuk është politikan, ai mund të quhet fare thjesht kapiten i një skuadre, që meqënëse skuadra e tij “luan” në parlament, në qeveri dhe në të gjitha institucionet e një shteti, më drejt do të quhej kreu i një sekti, që është i zoti në pazar me mallin e tjetërkujt. Asnjë iluzion tjetër nuk duhet ta ushqejë opozitën, që të lejojë të bëhen zgjedhje duke qënë në krye të tyre inspiruesi dhe krijuesi i këtij sistemi vrastar për demokracinë.

Si e komentoni mos pjesëmarrjen e kreut të qeverisë për të evituar debatin me opozitën për skandalin me ish agjentin e FBI-së dhe refuzimin kategorik të tij dhe pas tij edhe të mazhorancës parlamentare, për të ngritur një komision hetimor parlamentar për këtë çështje?
Çështja e marrëdhënieve të dyshimta dhe aspak transparente midis një kreu të një qeverie të një vendi të vogël në Ballkan dhe të një zyrtari të lartë të një prej agjensive më të rëndësishme të sigurisë kombëtare të SHBA, tashmë ka marrë dimensione, që nuk mund të mbulohen me “narrativa të mediave kazan”. Kreu i sektit e ka detyrë funksionale dhe kushtetuese të paraqitet në Kuvend dhe të japë shpjegime për këtë çështje me jehonë ndërkombëtare dhe që cënon rëndë marrëdhëniet me partnerin tonë më të rëndësishëm strategjik. Ai është betuar me dorën mbi Kushtetutën e vendit për respektimin e saj kur mori detyrën e formimit të qeverisë. Refuzimi publik i nenit 77 të Kushtetutës për mospranimin dhe moslejimin e ngritjes të komisionit hetimor parlamentar, kur kërkesa është paraqitur nga një e katërta e deputetëve të Kuvendit është shkelje flagrante e Kushtetutës dhe Gjykata Kushtetuese e sapoformuar duhet ta tregojë veten se nuk është një mekanizën në shërbim të sektit Rilindje. Po ashtu të gjithë deputetët e mazhorancës dhe ata të pseudo-opozitës që ngritën kartonin për refuzimin e komisionit hetimor parlamentar për çështjen në fjalë, në marrjen e mandatit të deputetit janë betuar se do të jenë mbrojtës të Kushtetutës. Edhe për këta Gjykata Kushtetuese duhet ta tregojë veten se nuk është një instrument në dorën e sektit Rilindje. Kreu aktual i qeverisë ka disa histori interesante me komisionet hetimore parlamentare të ngritura për çështje, që kishin të bënin me funksionin e tij si kryetar i bashkisë të kryeqytetit. Ai jo vetëm nuk kundërshtoi ngritjen e tyre, por i shndërroi në proçese butaforike; një herë duke folur me një megafon ashtu siç di të flasë ai kur i cënohet interesi dhe një herë të dytë duke krijuar situata që atij i dukeshin komike dhe tallëse duke përdorur mbiemrin e kryetarit të komisionit hetimor. Herën e fundit të funksionimit të komisionit hetimor parlamentar të kërkuar po nga opozita për çështjen e megakorrupsionit të inceneratorëve, ai si duket e pranoi ngritjen e tij me mendimin se firma e tij figuronte vetëm në VKM si vendime kolektive, duke lëshuar në duart e drejtësisë viktimat e bosëve kryesorë të kësaj afere. Këtë radhë ai e kundërshton ngritjen e komisionit hetimor parlamentar dhe do të paraqitet në parlament kur ta ketë boshatisur sallën nga ata që nuk i marrin të gatshme pyetjet ashtu siç i merr drejtuesi i emisionit Opinion. Çështja McGonigal është një çështje e drejtësisë amerikane dhe unë jam i bindur se për dëmin e madh që ka shkaktuar, ajo do i shkojë hetimit dhe zbulimit të së vërtetës deri në fund, në mos e ka bërë deri tani. Për publikun shqiptar, ka interes të zbulohet marrëdhënia me këtë zyrtar të lartë të sigurisë kombëtare të SHBA, marrëdhënie, sipas informacioneve hetimore të bëra publike nga Departamenti i Drejtësisë amerikane, janë korruptive sipas parimit: “të jap kaq më bëj këtë punë”. Njollë që vështirë të shlyhet në marrëdhëniet deri tani të shkëlqyera midis dy vendeve. Komisioni hetimor parlamentar, që kërkohet të ngrihet me firmat e opozitës në Kuvendin e Shqipërisë, veç transparencës ndaj opinionit publik të vendit ka edhe një vlerë për të ndihmuar drejtësinë amerikanë, për të dalë sa më shpejt në shesh e vërteta dhe për të rikuperuar sado pak dëmin e shkaktuar në këtë marrëdhënie jetike për kombin tonë. Edhe për mua si qytetar dhe njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare është e habitshme fakti se si një zyrtar i lartë i një agjensie kaq të rëndësishme dhe prestigjoze siç është FBI-ja vjen në një udhëtim “pune” pa vënë në dijeni eprorët dhe me shpenzime udhëtimi nga persona privat, për të këshilluar kryeministrin e Shqipërisë për një problem, që lidhet me investime nga persona me shtetësi të huaj të shpallur të rrezikshëm për sigurinë kombëtare të një vendi antar të NATO-s. Dhe në këtë takim në dukje zyrtar, po tërësisht privat dhe aspak transparent, për nivelin e lartë dhe të rëndësishëm të takimit. A është pjesmarrëse ambasadorja zonja Juri Kim, që nuk ka përtuar të shoqërojë edhe zyrtarë të administratës të Kongresit në takime me pjestar të opozitës të sponsorizuar prej saj? Heshtja e saj, në një kohë që siç u shpreh një gazetar, se nuk përtonte të dënonte aktin e thyerjes të këmbës të një pule në një fshat shumë larg rezidencës të saj, flet më qartë se përgjigja e saj. Çdo përfaqësi diplomatike i ka burimet e veta që në çdo rast informohet edhe nëqoftëse nuk informohet nga qëndra, për prezencën e një zyrtari të lartë të vendit të tij. Aq më shumë kur bëhet fjalë për ambasadën e SHBA në Tiranë që ka persona super të specializuar për të ditur se cili zyrtar i lartë hyn dhe del në këtë vend të vogël, aq më tepër kur ka dhe një numër punonjësish vendas, ish pjestar të sigurimit famëkeq të diktaturës, që e kishin profesion zbulimin dhe informimin. Nuk do më vinte aspak mirë të mendoja se është pjesë e këtij qerfulli që ka angazhuar strukturat më të larta të shtetit amerikan.Të habit një fakt i thjeshtë, kur mendon si u bë kjo lidhje e paprecedentë e një kryeministri të një vendi të korruptuar dhe të mbizotëruar nga krimi i organizuar me shtrirje në disa kontinente dhe një zyrtari të lartë të administratës amerikane, që ishte i gatshëm të paguhej për të zgjidhur problemet e kreut të qeverisë, që të vazhdonte i qetë punën e tij korruptive në dëm të interesave të vendit të tij, por edhe të interesave të vet shtetit amerikan sipas Aktit Normativ të Presidentit Biden? Kush ishte shkuesi i kësaj marrëdhënie të çuditshme, okulte dhe misterioze dhe si u gjet pikërisht ky person që njihej si një figurë me reputacion dhe i respektuar nga kolegët dhe eprorët e tij, të ishte i gatshëm kundrejt pagesash, që vinin nga rrugë të dyshimta dhe të tradhëtonte interesat kombëtare të vendit të tij? Këtë radhë kreu i sektit e kundërshton me arrogancë ngritjen e komisionit hetimor se e di që është fajtor deri në fyt dhe ka frikë. I duhet kohë të fashitet ndoshta si skandal ndërkombëtar dhe po kohë që miqtë e tij të shumtë, tani nuk është e pabesueshme, të paguara me financat publike dhe të joshura me prona publike të shqiptarëve, të mund të shpëtojnë ç’mund të shpëtojnë nga ky skandal! Dhe sigurisht në këtë fushatë shpëtimi nuk mund të rrijë i papërfshirë miku i tij dhe mentori i tij multimilioner, Soros, me ushtrinë e tij në administratë, media dhe shoqërinë civile të SHBA. Atij i duhet kohë që të mbajë sektin e tij me gojë mbyllur, të bindur deri në verbëri dhe të mos lejojë asnjë mundësi të shmpleksjes të lëmshit. Por e di edhe këtë të vërtetë se kur fillon të mbytet anija janë minjtë ata të parët që ia mbathin. Pjesë e këtij plani ishte edhe vizita turistike në Japoni, me mendimin se në atë vend të largët nuk ka arritur jehona e skandalit McGonigall. Por nuk do ia dali, sepse ai është bashkëpuntor në njollosjen dhe bërjen pis të këtij institucioni të rëndësishëm të këtij vendi demokratik, që e ka të shenjtë nxjerrjen e të vërtetës dhe drejtësinë e barabartë. Ai do të vazhdojë të detyrojë delet e tij në Kuvendin e vendit të kundërshtojnë të drejtën kushtetuese të opozitës për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar. Ashtu siç e ka të qartë se me rënien e tij shkatërrohet ngrehina e korrupsionit, e pandëshkueshmërisë, e mbështetjes të krimit dhe organizatave kriminale, që i përdor me efiçencë për të vjedhur votat, për të tjetërsuar vullnetin e zgjedhësve dhe për të siguruar mbështetjen e pakufizuar me anë të korruptimit nga ata që caktohen për të qënë arbitër të paanshëm për të garantuar një proçes zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, që do i japë vendit pas një dekade një parlament dhe qeveri të zgjedhur nga vullneti i lirë i qytetarëve të lirë.

















