Sigal

Deklaratat anonime të AKU-së për miell pa dokumentacion, djathë me niseshte, mish me salmonelë, pa analiza konkrete, pa përmendur emrat e bizneseve e pronarëve. Pse lejohet kripa e e zezë, që shkatërron veshkat e shqiptarëve dhe rrit rastet me sëmundje kardiake

Jakup B. GJOÇA

AKU-ja është kthyer në një tabelë emulacioni, apo kënd fletërrufeje, që përditë publikon nga një deklaratë anonime, për “arrestime” sasie ushqimore të infektuara, të dyshuara për sëmundje, pa etiketime, por gjithnjë AKU “bën kujdes” që të mos përmendë emra kompanish dhe biznesesh tregtare, të cilat importojnë këto sasi ushqimesh të rrezikshme për shëndetin publik, nuk publikon as emrat e pronarëve, por, më e rëndësishme, nuk publikon as analizat e hollësishme, që të bindë, përse ushqimet janë të rrezikshme, sa është shkalla e ndotjes, cilat janë bakteret e sëmundjet përkatëse etj., etj.

 Ja njoftimi anonim i djeshëm: AKU bllokon dhe kthen 10 tonë miell të ardhur nga Greqia

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka konstatuar dhe bllokuar një ngarkesë prej 10 ton miell gruri për shkak se kishte parregullsi në dokumentacion. Të dhënat sipas dokumenteve shoqërues nuk korrespondonin me të dhënat në etiketë e kundra etiketë të produktit. Trupat inspektuese e Drejtorisë Rajonale, Korçë gjatë kontrollit të ushtruar në Pikën Doganore Kapshticë konstatuan se një subjekt, i cili pretendonte të fuste në Shqipëri produktin “miell gruri” kishte parregullsi në vërtetësinë e dokumentacionit që shoqëronte ngarkesën, konkretisht, raporti i analizës. Nga kontrolli fizik i produktit “miell gruri” rezultoi se ky produkt nuk kishte nr. loti, datë prodhimi dhe datë skadimi të stampuar në thasët prej letre 25kg, por vetëm një kundra etiketë të ngjitur në gjuhën greke, pa përkthim në gjuhën shqipe. Menjëherë nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit u bë bllokimi i ngarkesës me sasi 10 ton duke u bazuar legjislacionit në fuqi gjithashtu do të ndjek procedurat doganore për kthimin në origjinë.

Puna 2 standardesh e AKU

Para disa javësh AKU publikoi një deklaratë, që sekuestroi 3 qengja, që u therën në malin e Sopotit mbi Delvinë, jashtë çdo kushti higjenik. Barinjtë, i therën qengjat aty në lartësinë 1800 metra mbi det, në ajër të pastër, mirëpo, bënë gabim, që nuk kishin aty “thertore” moderne. AKU publikoi edhe emrat e barinjve. Pas disa ditësh AKU sekuestroi qindra ton mish me salmonelë, në kontejner, të importuar nga Brazili, mirëpo nuk publikoi as emrin e biznesit që importon qindra ton mish, as emrin e pronarit, dhe as sa ishte shkalla e infeksionit, llojin e salmonelës. Pse AKU vazhdon të veprojë me dy standarde? Kush është kompania që e ka sjellë, grurin nga Greqia? Sa herë ka sjellë grurë, apo miell? Veç mungesës së etiketës, kësaj sasie gruri çfarë analizash iu bënë? Cilat janë rezultatet? A është i dëmshëm gruri? Pse nuk u bëhet me dije qytetarëve dhe konsumatorëve transparenca e kontrollit dhe analizave të ushqimeve që sekuestron AKU? Përse e përdorte miellin? Për bukë, apo për ëmbëlsira dhe cilën firma, apo furra ka furnizuar?

Ish-ministri i Bujqësisë Panariti: Është detyrim ligjor, që AKU të publikojë emrat e kompanive që tregtojnë ushqime të infektuara

Këto përgjigje janë detyrim ligjor i AKU-së që të sqarojë konsumatorët. Ja këto pyetje janë shumë më të rëndësishme, se sa një deklaratë e thatë e AKU-së, sepse, në fund të fundit, taksapaguesit shqiptarë prandaj paguajnë qindra punonjës të AKU në të gjithë vendin, madje me tre turne…. Po përsëritet e njëjta situatë si me mishin dhe, mesa duket, prapa këtyre njoftimeve anonime, a mos vallë fshihen interesa klienteliste dhe të tjera, që vijnë era korrupsion, apo lufte klanesh në tregti, siç ndodhi pak kohë më parë me lajmin e rremë të gjoja infektimit të midhjes së Butrintit dhe pastaj, AKU u mundua ta përgënjeshtrojë, mirëpo dëmi u bë dhe konsumatorët e trembën. Ish-ministri i Bujqësisë, deputeti Edmond Panariti, në një intervistë për gazetën “Telegraf”, i pyetur, nëse duhet apo jo AKU të publikojë emrat e bizneseve dhe të pronarëve që tregtojnë ushqime të infektuara dhe të rrezikshme për shëndetin publik, u përgjigj prerë, se është detyrim ligjor i AKU që të bëjë transparencë dhe të publikojë të gjitha analizat e plota, si edhe emrat e bizneseve dhe të tregtarëve që importojnë dhe tregtojnë ushqime të infektuara.

-Prof. Panariti, a duhet të publikohen emrat e bizneseve të cilat importojnë dhe tregtojë produkte të infektuara, të dëmshme për shëndetin publik?

– Unë u kam kërkuar institucioneve përkatëse që kanë zbuluar praninë e e bakterit të rrezikshëm të salmonelës, janë të detyruar edhe me ligj të bëjnë të bëjnë një raport analitik të detyruar për rezultatin, tipin, llojin e salmonelës, nga është zbuluar, sasinë e infektuar, sepse këto tregues e bëjnë serioze. Nëse ky raport nuk ekziston, atëherë mund të ekzistojë edhe dyshimi i arsyeshëm që mund të ketë edhe spekulim të dyshimtë, që mund të nxjerrë një prodhues nga tregu. Këtu tek ne kemi një mungesë totale të transparencës, e kjo bën të dyshojmë, plus që krijon edhe një panik të madh, njerëzit janë të shqetësuar. Plus që ka edhe implikime ligjore. Mundet që subjekti që është nën akuzë, të hap një proces gjyqësor. Institucioni monitorues duhet të ketë përgatitur shumë mirë dokumentacionin teknik, subjekti të bëhet i ditur publikisht, sepse, kur këto elementë mungojë, krijojnë dyshime për abuzime dhe spekulime për qëllime të caktuara.

– A është i mjaftueshëm justifikimi nga autoritetet shtetërore, që nuk publikojnë emra të bizneseve dhe të pronarëve, sepse është hera e parë, e nuk duan të prishin imazhin e bizneseve?

– Në rast se del një kampion i ndotur, kjo nuk ka të bëjë me imazhin e biznesit. Konsumatori nuk ushqehet me imazhin e biznesit, por ushqehet me produktin që tregton ky biznes. Mund të kërkojmë edhe një referencë të institucioneve ndërkombëtare, po qe se ka përplasje. Këto janë edhe prova ligjore. Ky nuk është vetëm proces analitik, por është edhe proces ligjor.

Kripa e Zezë ndalohet me ligj prej 10 vitesh, vazhdon të shitet edhe sot

Edhe pse është e ndaluar, kripa e zezë vazhdon të përdoret masivisht në tryezën shqiptare. “E kam përdorur më tepër kur bëj turshi. Edhe kur therim ndonjë rosë, sikur ia heq puplat më shpejt. I regj lëkurën”, thonë qytetarët. Shqipëria ka qenë një vend që ka vuajtur nga deficenca jodike, për këtë arsye kripa e zezë në vitin 2008 është ndaluar të tregtohet për përdorim human dhe shtazor. Pavarësisht kësaj, ne kripën e zezë e gjetëm lehtësisht në supermarket. Mbi etiketën e produktit shënohet “Për përdorim industrial jo ushqimor”. Jolanda Hyska, specialiste e shëndeti pranë ISHP-së, shprehet: “Kjo është e ndaluar me ligj, sepse ligji e cilëson se kripa duhet të jetë kripë universale e jodizuar. Dhe në fakt në treg nuk duhet të ketë kripë të zezë për konsum human. Kripa e zezë, apo çfarëdolloj kripe tjetër e pajodizuar lejohet për destinacione industriale, por jo ushqimore. Ajo kripë nuk duhet të jetë absolutisht nëpër supermarkete”. Po çfarë është kripa e zezë dhe përse nuk duhet të përdoret ajo në industrinë ushqimore? Kapllan Sulaj, specialist për kontrollin e ushqimit, shpjegon: “Nëse ajo nuk pastrohet mirë dhe shitet gjysmë e kualifikuar ose e pastruar, siç tregtohet rëndom, kjo nënkupton që bashkë me këtë produkt në përmbajtjen e tyre të ketë edhe metale të rënda. Që mund të jenë mbetje të mërkurit, ose të zhivës në gjuhën popullore, mund të jenë edhe mbetje të plumbit, mund të jenë mbetje të kromit dy dhe tre valent. Efekti toksik i metaleve të rënda është i shumëfishtë”.