Integrimi në BE me faturë financiare me 479 milionë euro për taksagapuesit shqiptarë

381
Kontrolli i Lartë i Shtetit kallëzoi penalisht më 14 tetor 2015, Ministrin e Energjisë Damian Gjiknuri dhe Avokaten e Shtetit Alma Hicka për marrëveshjen e arritur mes qeverisë dhe kompanisë ceke CEZ, e cila shmangu arbitrazhin. Kallzimi penal nuk ka të bëjë me shkakun përse qeveria shqiptare nënshkruajti marrëveshjen me CEZ, për zgjidhjen e konfliktit, por për pasojat ekonomike në dëm të buxhetit të shtetit, faturë që do ta paguajnë taksapaguesit shqiptarë. 

KLSH: Marrëveshja e Gjiknurit përmban elementët e paktit tërësisht të pabarabartë

KLSH argumenton se marrëveshja e firmosur më 23 qershor 2014 nga Grupi i Punës i kryesuar nga Ministri Gjiknuri, përmban elementët e pakti tërësisht të pabarabartë dhe jo në proporcion me pretendimet e deriatëhershme të Shtetit Shqiptar ndaj CEZ. KLSH sqaron se Çështja kryesore në të dy këto auditime ka qenë, procedurat e ndjekura dhe negociatat që sollën zgjidhjen me mirëkuptim të mosmarrëveshjes ndërmjet Shtetit Shqiptar dhe CEZ. KLSH nënvizon se dëmi ekonomik që i është shkaktuar financave të kompanisë tashmë tërësisht shtetërore OSHEE sh.a është 479 milionë euro, nga të cilat 95 milionë euro si pagesë e dakordësuar në Marrëveshje, 352 milionë euro, detyrime financiare të prapambetura, rrjedhojë e keqmenaxhimit gjatë viteve 2009-2012 dhe 32 milion euro zhvlerësimi në zero i vlerës së 24% te aksioneve te Shtetit. Po ashtu KLSH nënvizon se dëmi duhet të jetë më i madh pasi në shifrën 479 milionë euro nuk nuk janë llogaritur kostot shtese që do duhet të përballohen nga vetë Shteti Shqiptar për rigjallërimin e sistemit energjetik dhe kthimin në parametra financiare normale të kësaj shoqërie publike. Auditi i KLSH ka treguar se shuma prej 95 milionë euro është një dëm i parikuperueshëm, dhe për këtë mban përgjegjësi Grupi i Punës i kryesuar nga Gjiknuri, ndërsa shuma 384 milionë euro është dëm ekonomik që do të rëndojë financat e shtetit për shumë kohë, duke kërkuar një regjim të fortë kontrolli financiar.

Ministri Gjiknuri mburret për faturën financiare që u ngarkon shqiptarëve, me vlerësimet e të të huajve

Ministri i Energjitikës Damian Gjiknuri, i ballafaquar tashmë me kallzimin penal të KLSH për nënshtrimin e plotë ndaj interesave ekonomike të CEZ, në negociatat që bëri në emër të qeverisë shqiptare dhe pranimin e nënshkrimit të marrëveshjes, pasojë e së cilës është fatura financiare që do paguajnë taksapaguesit shqiptare CEZ në shuma mbi 479 milionë euro, u mundua të justifikohet me deklaratat se institucionet ndërkombëtare financiare dhe energjitike sikurse FMN, BB, BE dhe Sekretariati i Komunitetit të Energjitikës të BE, e kanë përshëndetur dhe vlerësuar marrëveshjen e nënshkruar. Mirëpo, kjo është errësira e së vërtetës, që ministri Gjiknuri e përdor si argument të “suksesit” të tij firmën që hodhi në marrëveshjen Shqipëri-CEZ.
Pyetjet për Kopac: A mendove për faturën financiare që shqiptarët do t’i paguajnë CEZ?
Ky, Janez Kopac, që na flet me autoritetin institucional të Sekeratariatit të Komunitetit të Energjisë të BE, a bëhet merak që shqiptarët do t’i paguajnë CEZ edhe 100 milionë euro të tjera, meqë pranuan puthëdorë dëmshpërblimet? A bëhet merak Kopac, që shqiptarët do t’i paguajnë edhe borxhet që kishte CEZ ndaj të tjerëve, para se të ikte, që arrijnë në qindra milionë euro? A bëhet merak ky Kopac, që CEZ i vodhi, i mashtroi klientët shqiptarë në 4 vjet me aforfe dhe kamata të paligjshme? A bëhet merak Kopac, që CEZ në 4 vjet nuk investoi asgjë në sistemin e shpërndarjes të energjisë në Shqipëri, por spekulloi me investimet? A shqetësohet Kopac, që CEZ e shkatërroi dhe e falimentoi shpërndarjen e energjisë elektrike në Shqipëri? A i njeh Kopac ndonjë dëm financiar CEZ për të gjitha këto vjedhje, mashtrime, shkatërrime dhe falimentim në Shqipëri në dëm të shqiptarëve? 
Sigal