Integrimi, Meta: Anëtarësimi në BE rrit standardin e jetesës

477
Nën kujdesin e Kuvendit të Shqipërisë u zhvillua në ambientet e Kryesisë së Kuvendit Konferenca e 11-të e Komisioneve Parlamentare të Integrimit Evropian të Shteteve pjesëmarrëse në Procesin e Stabilizim-Asociimit të Evropës Juglindore. 
Të pranishëm në këtë konferencë ishin Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta, Kryetarja e Komisionit për Integrimin Evropian, znj. Majlinda Bregu, Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ditmir Bushati dhe z. Knut Fleckenstein, Anëtar i Parlamentit Europian, Raporter për Shqipërinë. 
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u shpreh se rajoni ndodhet në një moment historik, që pavarësisht sfidave me të cilat po përballet i gjithë kontinenti, ka përjetuar një transformim të jashtëzakonshëm nëse marrim në konsideratë se ku ishte Evropa Juglindore vetëm 15 vite më parë.
“Ky progres substancial nuk duhet marrë si i mirëqenë. Meritë për këtë kanë vetë pritshmëritë dhe kërkesat e qytetarëve dhe shoqërive tona, por kontribut të spikatur ka gjithashtu edhe procesi i integrimit evropian, që e ka mbajtur të gjallë perspektivën e vendeve tona dhe avancimin e proceseve të brendshme reformuese. Sot kemi hyrë në një fazë tjetër më domethënëse, më intensive dhe secili vend po avancon në marrëdhënien e tij kontraktuale në BE. Kjo marrëdhënie kontraktuale ka domethënien pikërisht në prekshmërinë dhe qëndrueshmërinë e reformave të nevojshme që duhet të kryejmë me qëllim anëtarësimin e plotë në BE, i cili në vetvete është një mjet i pazëvendësueshëm për të përmirësuar standardet e jetesës së qytetarëve tanë”, – tha z. Meta.
Në këtë kontekst, z. Ilir Meta theksoi se parlamentet e rajonit dhe veçanërisht Komisionet e Integrimit kanë mundësitë që të shumëfishojnë përpjekjet e tyre të përbashkëta, në nxitje të qeverive për të përshpejtuar ritmin e reformave vendimtare në çdo vend.
“Ne jemi mirënjohës për Procesin e Berlinit, që rikonfirmoi perspektivën evropiane të vendeve tona dhe krijon një moment të ri pozitiv pikërisht në kulmin e lodhjes së zgjerimit. Njëkohësisht, unë e shoh këtë proces të nisur si një impuls të ri, në drejtim të transformimit të rajonit tonë në një hapësirë më dinamike, ekonomike, demokratike dhe sociale”, – tha z. Meta.
Duke përshëndetur deklaratën e Vjenës, Kryetari i Kuvendit shprehu besimin se ajo do të shtyjë më tej një sërë projektesh të prekshme për të gjithë vendet e rajonit. 
“Njëkohësisht ne presim dhe na duhet të përgatitemi të gjithë së bashku për Konferencën e ardhshme të Parisit, që duhet të avancojë projektet e dakordësuara në Vjenë. Jam i bindur se përfshirja e parlamenteve kombëtare në Procesin e Berlinit forcon rolin mbikëqyrës të tyre ndaj procesin e integrimit evropian, duke kontribuar në rritjen e stabilitetit politik dhe në përmirësimin e klimës politike dhe ekonomike rajonale. Ne e shohim perspektivën e saj, pra të vendit tonë në BE, të lidhur ngushtë me axhendën e reformave në vend të fokusuar në konsolidimin e shtetit të së drejtës përmes Reformës në Drejtësi në mënyrë të veçantë, si reforma kyçe e cila do të garantojë edhe mbarëvajtjen e procesit të integrimit. Konsiderojmë se hapja e negociatave do të jetë një nxitje dhe një angazhim i mëtejshëm për një adresim më të mirë të sfidave që sjell zbatimi i këtyre reformave. Ne jemi të bindur se duhet të përshpejtojmë ritmin e reformave, që lidhen me forcimin dhe sundimin e ligjit, pasi korrupsioni dhe krimi i organizuar ende qëndrojnë si barriera serioze për një zhvillim më të shpejtë dhe për një cilësi tjetër të mirëqeverisjes. Bashkimi Europian po ndihmon shumë në këtë drejtim, pavarësisht se ka mjaft sfida të tjera të shtuara”, – theksoi z. Meta.
Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta deklaroi se ritmi i reformave të qëndrueshme duhet të përshpejtohet në secilin vend dhe kjo do të realizohet në radhë të parë duke garantuar edhe një përfshirje më të madhe e të gjithë grupeve të interesit dhe të gjithë shoqërisë civile. Z. Meta u shpreh se vendet e rajonit duhet të punojnë akoma më shumë për të përmirësuar marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe të bashkëjetesës midis të gjithë vendeve në rajon.
“Ne duhet të rrisim angazhimin tonë aktiv në të gjitha iniciativat rajonale duke rënë dakord që këto nisma të udhëhiqen nga parimi i gjithëpërfshirjes me qëllim konkretizimin e programeve të prekshme, ekonomike, infrastrukturore dhe punësimi për të gjithë qytetarët tanë. Në lidhje me këtë temë, ne mbështesim plotësisht përfshirjen e Kosovës në të gjitha iniciativat rajonale dhe shpresojmë që të gjitha vendet tuaja do të jenë po aq mbështetëse ose të paktën mirëkuptuese. Përfitoj nga rasti këtu të përshëndes praninë e delegacionit parlamentar të Kosovës në këtë konferencë të KOSAP-it sot në Tiranë”, – tha z. Meta. Gjatë fjalës së tij, z. Meta tha se parlamentet duhet të bashkëpunojnë edhe më ngushtë për të forcuar parametrat e përbashkëta të sigurisë të cilët janë kyçe për zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit tonë dhe për adresimin e problematikave që sjellin sfidat e ekstremizmit, radikalizmit, terrorizmit, por edhe populizmit. 
“Në këtë kontekst, si një vend anëtar në NATO, ne mbështesim aspiratat e gjithë vendeve të rajonit tonë për t’u përfshirë në Aleancë, pasi kjo do të forcojë paqen, stabilitetin dhe sigurinë në një mënyrë më afatgjatë. Njëkohësisht, ndërlidhja infrastrukturore dhe shkëmbimet tregtare janë kyçe për investimet e huaja dhe për një zhvillim më të shpejtë. Shtrirja e rrjetit të transportit trans-europiane dhe projektet e përbashkëta infrastrukturore, ekonomike dhe tregtare, që do të realizojë lidhjen e qyteteve tona me qendrat ekonomike dhe portet kryesore të rajonit, janë esenciale për intensifikimin e shkëmbimeve tregtare dhe do ta transformojnë rajonin në një hapësirë më tërheqëse për thithjen e investimeve të huaja”, – tha z. Meta.
Kryetari i Kuvendit u shpreh se vendet e rajonit duhet të marrin masa praktike për të përmirësuar mobilitetin dhe të investojnë akoma më shumë për arsimin e të rinjve duke i dhënë përparësi formimit profesional të të rinjve si një element kyç për t’u bërë më konkurrues në këtë treg rajonal, por edhe global që ndryshon shpejt. 
“Kjo është e vetmja mënyrë për të trajtuar dhe luftuar papunësinë e lartë, që për fat të keq ende dekurajon të rinjtë tanë për të investuar energjitë dhe aftësitë e tyre në vendet tona dhe në rajonin tonë. Ky prioritet ka një domethënie të jashtëzakonshme sidomos gjatë këtij viti ku për fat të keq kërkesat e azilantëve në vendet e Europës Perëndimore janë rritur në mënyrë shqetësuese edhe nga vendet tona. Duhet të jemi të vetëdijshëm se ne mund të tërheqim investimet e huaja domethënëse vetëm duke punuar në aspektin rajonal dhe jo thjesht atë të ngushtë kombëtar. Dhe siç u bë e qartë gjatë Konferencës së Vjenës, qeverisja më e mirë, forcimi i shtetit ligjor, arsimi profesional i të rinjve dhe ndërlidhja infrastrukturore dhe energjetike, janë fushat kryesore për një zhvillim më të shpejtë të gjithë rajonit tonë”, – theksoi z. Ilir Meta në Konferencën e 11-të e Komisioneve Parlamentare të Integrimit Evropian të Shteteve pjesëmarrëse në Procesin e Stabilizim-Asociimit të Evropës Juglindore. 
Sigal