Inaugurimi i KfW nga Berisha, “zemërohet” Holtkemper: Nuk u njoftuam!

421
Sigal

Të mërkurën në mesditë në Zemblak të Qarkut të Korçës u përurua fillimi i punimeve për zhvillimin e rrjetit të transmetimit 110 kilovolt të Jugut të Shqipërisë, një investim që financohet nga qeveria gjermane nëpërmjet KfW-së, Bankës Gjermane për Zhvillim. Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë është mbështetësja kryesore e projektit, por në këtë aktivitet inaugurues ra në sy mungesa e përfaqësuesve nga Gjermania. Për këtë fakt ambasadorja e Gjermanisë në Shqipëri, Carola Mueller  Holtkemper e pyetur nga “Deutsche Welle” dha këtë përgjigje:Përfaqësitë e Bashkimit Europian kanë rënë dakord, që të mbajnë një pozicion neutral gjatë fushatës elektorale dhe të mos shfaqen në anën e asnjë partie. Veç kësaj, ceremonia e inaugurimit është përcaktuar ditën e pardjeshme, në mënyrë krejt spontane dhe pa dijeninë tonë. Njoftimi mbërriti në ambasadë në mënyrë indirekte vetëm përpara pak orësh. Në parim, ne presim të informohemi në kohën e duhur rreth vendimmarrjeve të tilla, pasi në fund të fundit është fjala për një projekt partneriteti, i cili është bërë i mundur në sajë të mbështetjes së Qeverisë Federale Gjermane përmes një kredie të butë prej më shumë se 49 milionë eurosh dhe vënies në dispozicion të ekspertëve ndërkombëtarë.

ARBEN MALAJ: “DUHET TË BËJMË ZGJEDHJE PËR ZGJIDHJE!”

Dje, kandidati i pavarur i Qarkut të Vlorës, Arben Malaj, nga qyteti jugor i Sarandës, duke e mbështetur përshëndetjen përfundimtare elektorale në trinomin:-rritje e pjesëmarrjes në votime, zgjedhje të lira e të ndershme dhe kundër fushatës me shpifje,  ka  përcjellë një mesazh për votuesit e mbarë Shqipërisë. Sipas Malaj, pjesëmarrja në zgjedhje është më e domosdoshme për të bërë zgjedhje për zgjidhje. Dhe që zgjedhjet të sjellin zgjidhje duhet pjesëmarrje masive në zgjedhje, se zgjidhja do të jetë rotacioni. Por pjesëmarrja masive në zgjedhje dhe krijimi i qeverisë së re, sa më shpejt të jetë e mundur, hap opsione për lehtësimin dhe mosthellimin e krizës ekonomike që ka mbërthyer rajonin dhe vendin tonë. Edhe një herë, zoti Malaj ka theksuar se, mandati i tij do të jetë pro rotacionit, por kundër qeverisë së tarafeve dhe shokëve. Malaj ka bërë edhe një ekspoze të situatës ekonomike që përjeton vendi dhe tregoi rrugën e kapërcimit të kësaj krize.

PD: “PËRSE E FSHEH EDI RAMA TË VËRTETËN?”

PD-ja në një deklaratë për shtyp i kërkon Kryetarit të PS-së, Edi Rama, që të japë një përgjigje për lekët me të cilat ka botuar fotografitë me Presidentin Obama. “Edi Rama thotë se, do “ndajë me ju zemrën e tij”, por qytetarët kërkojnë që ai të ndajë me ta detajet e të ardhurave të tij të fshehura, dhe taksat e papaguara. Sepse ai nuk flet për asnjë nga to. Në fakt, kanë kaluar pothuajse dy javë që kur mësuam se, në mënyrë të paligjshme Edi Rama dështoi të paraqesë deklarimin e të ardhurave të tij. Dhe ende sot ai nuk i është përgjigjur as pyetjeve më të thjeshta të qytetarëve se përse e ka thyer ai ligjin? Më pas ne mësuam nga lajmet se Rama jo vetëm që e ka fshehur deklaratën e të ardhurave, por ai gjithashtu nuk ka paguar as taksat për miliona lekë të ardhurash. Të gjitha këto në një kohë që është duke ndërtuar vilën e tij shumë milionëshe, që bazuar në të ardhurat e tij të deklaruara, ai nuk mund ta përballojë diçka të tillë. Atëherë, kush po e ndërton vilën e Edi Ramës? Ai as kësaj pyetje nuk po i përgjigjet. Ndërsa tani, Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës i është dërguar një letër, ku i kërkohet FBI-së të hetojë Edi Ramën për pastrim parash. Nga erdhën paratë? Cili është burimi i tyre? Edi Rama as për këtë nuk po jep përgjigje. Dhe mos të harrojmë për lejen e ndërtimit që i dha gruas së tij për një pallat të ndërtuar në Tiranë. Rama thotë se ai do të rrisë taksat e qytetarëve, por ai nuk paguan taksat e tij. Rama thotë ai do të ndajë shumë gjëra me qytetarët, por ai nuk i përgjigjet as pyetjeve të tyre më të thjeshta. Dhe Rama thotë se qytetarët meritojnë një shpjegim, por ai refuzon të japë një shpjegim. Përse e fsheh Edi Rama të vërtetën?

INAUGUROHET VARREZA MONUMENTALE NË KLLOGJER

PDIU ka inauguruar dje në Kllogjer Varrezën Monumentale për të nderuar dhe respektuar kujtimin e mijëra shqiptarëve të Çamërisë që humbën jetën në rrugëtimin e tyre nga Çamëria në Shqipëri. Në fjalën e tij, kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi u shpreh se: “Sot plotësuam një amanet njerëzor, duke falur pas 70 vitesh xhenazen e tyre, si për çdo njeri që lë këtë botë. Ne i kthyem të gjithëve një pikë kujtese, për mijëra njerëz që u sakrifikuan dhe vranë që do jenë qendrestarët tanë, kjo është pika e referencës se si do kërkojmë drejtësi për çështjen çame. Sipas Idrizit, ky vend do jetë për të gjithë Meka e shqiptarisë. Ai nënvizoi më tej se do çojë përpara amanetin e çamëve të rënë për të kërkuar drejtësi. “Sot kemi një varrezë njerëzore dinjitoze, ne kërkojmë drejtësi, amaneti i tyre që dhanë jetën këtu kërkojnë drejtësi, ne i bëmë të pavdekshëm, sot shpirtrat e tyre, por edhe shpirtrat tanë janë më të lehtësuar. I bëmë të parët tanë të pavdekshëm”,- shtoi ai.

TOPI:VOTONI FRD-NË QË PARLAMENTI TË JETË PLURALIST DHE 3 POLAR

Të mërkurën FRD-ja  i  përqendroi  tubimet zgjedhore në Qarkun Shkodër ku banorë të komunave Bushat, Velipojë dhe Postribë i bënë kryetarit të  FRD-së një pritje të ngrohtë. Z.Topi i falënderoi duke thënë se, entuziazmi i  qytetarëve  paralajmëron fitoren e FRD. Kryetari Topi u ndal edhe në situatën politike në vend duke ju kujtuar pjesëmarrësve:. “Për qytetarët shkodranë 23 Qershori është moment për t’i  thënë “Ik” politikanëve që e lanë Shkodrën dhe  Shqipërinë jashtë Europës,  atyre që braktisën të përndjekurit dhe  mbledhin vota për Kaçin e zi,  atyre që tradhtuan kauzën e demokratëve”. Programi i FRD, vazhdoi Topi, është i guximshëm, ai ka përparësi  kompensimin përfundimtar të të përndjekurve, sepse ky akt, është  çështje dinjiteti dhe respekti për shtresën e vuajtur në diktaturë.  Përpara banorëve të Postribës, kryetari i FRD-së theksoi se kjo zonë me  demokratë të vërtetë, pas 23 Qershorit do të riketë vlerat e mohuara nga  sistemi komunist dhe sot nga partia në pushtet. Shkodra, nënvizoi ai, ka  personalitete dhe vlera njerëzore të çmuara dhe është e padrejtë të  identifikohet me emrin e Kryetares së Kuvendit. Një tjetër argument që preku Topi ishte dhe çështja e përmbytjeve të  çdo viti në zona të ndryshme të qarkut.  “Si ka mundësi që përmbytet  Shkodra, Nënshkodra dhe Velipoja dhe mungojnë reagimet nga njerëzit…?!