Ina Zhupa: Çadra, agora e demokracisë, qytetarët nuk do lejojnë zgjedhje moniste

448
Alma Çuka
“Pas 83 ditësh Partia Demokratike është më se e sigurt, se është më pranë republikës së re, e cila pritet të marrë rrugë në 13 maj. Shqiptarët kundër uzurpimit të votës së lirë” 
Zëdhënësja e Partisë Demokratik , Ina Zhupa, pedagoge në Departamentin e Shkencave Politike dhe Ndërkombëtare pranë Universitetit Evropian të Tiranës, në një intervistë për gazetën “Telegraf”, flet për situatën politike, për kauzën e forcës politike zërin e së cilës ajo përcjell dhe për protestën e 13 majit. Që nga 18 shkurti kur Partia Demokratike organizoi protestën më të madhe në vend gjatë këtyre viteve, gjithçka është zhvilluar brenda çadrës së ngritur në mes të bulevardit. Për zëdhënësen Ina Zhupa, 13 maji do të jetë dita kur shqiptarët do t’i thonë jo zhvillimit të zgjedhjeve moniste në 18 qershor. Ajo është e bindur se qytetarët nuk do të pajtohen me kryeministrin që sipas saj kërkon të rimarrë pushtetin përmes votës së blerë nga paratë e drogës e krimit të organizuar. 
Jeni zëdhënësja e Partisë më të madhe opozitare në vend. Çdo të thotë për ju qëndrimi në çadër prej 18 shkurtit dhe vendosmëria për të mos dalë prej andej deri në arritjen e kauzës?
Opozita shqiptare dhe qytetarët shqiptarë janë në një protestë për garancitë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Një protestë e këtij lloji 24 orë në 24, në 83 ditë rresht, të vendosur dhe të palëkundur nuk ka ndodhur kurrë më parë dhe kjo tregon forcën e madhe të kësaj kauze dhe të këtij bashkimi popullor. Të gjithë ata qytetarë që mbushin Sheshin janë aty të udhëhequr vetëm nga vullneti i tyre dhe të bindur, që janë duke kontribuuar në të ardhmen e vendit, të fëmijëve të tyre, të familjeve të tyre, për veten dhe për shqiptarët.
Cili është zëri që përcjell Ina Zhupa përmes fuqisë së marrë nga lidershipi i Partisë Demokratike për të qenë në atë post?
Përditë në Sheshin e Lirisë siç e kanë pagëzuar qytetarët, ka një bashkëbisedim të hapur dhe të sinqertë me qytetar që i bashkohen Çadrës. Unë e moderoj këtë bashkëbisedim me këdo që kërkon të thotë fjalën e tij, historinë e tij, arsyet personale pse protestojnë. Jam e nderuar që nga pozicioni që kam mund të përcjell zërin e qytetarëve të thjeshtë që nuk janë dëgjuar dhe nuk janë përfillur kurrë në parë politikisht. Çadra tashmë veç protestës është shndërruar edhe në agorën e demokracisë që po lind me Republikën e Re. Një Republike ku qytetari me nevojat dhe kërkesat e tij do të jetë në qendër të sistemit politik, ekonomik dhe social dhe jo një grusht oligarkësh. 
Si e sheh doktoresha e shkencave politike, situatën aktuale në të cilën ndodhet vendi?
Shqiptarët të djathë dhe të majtë janë bashkuar rreth opozitës jo për ti dhënë PD pushtet në tavolinë por për të krijuar mundësinë që ata vetë të jenë të lirë kur votojnë, të votojnë pa presione të tipave të ndryshme si droga, paratë e pista, kriminelët, shteti i përfshirë në fushatë. Pas 27 viteve, vota e lirë duhet të kthehet në institucionin e vetëm për të garantuar zgjedhjet dhe ndryshimet në qeverisje. Përballë kërkesës së qytetarëve për zgjedhje të lira dhe të ndershme ndodhet një kryeministër që është shkaktari i gjendjes së mjerueshme ekonomike, i gjendjes së rënduar të krimit në politikë dhe i drogës, i cili ka frikë nga zgjedhjet. Ka frikë nga zgjedhjet se duke mos mbajtur asnjë premtim, duke mos i shërbyer asnjë ditë në 4 vjet qytetarëve por oligarkëve e ka humbjen e sigurt. E vetmja mënyrë që të garantoj fitoren është ose zgjedhje fasadë, ose votime moniste. Asnjërën nga këto nuk do e lejojnë qytetarët se është kosto për jetët e tyre. PD është dhe do jetë në krye të kësaj beteje për qytetarët shqiptar.
A rrezikohet te shkohet ne destabilizim?
Në fakt Shqipërisë destabilizimi i vjen vetëm nga krimi, nga droga dhe nga korrupsioni.Droga në Shqipëri sipas BBC-së arriti vjet, në vlerën 3,5 miliardë euro. Ka vlerësime të tjera deri në 5 miliardë euro, sa gjysma e prodhimit vjetor të vendit. Ky fitim është një burim i jashtëzakonshëm për krimin e organizuar: në kultivimin dhe trafikimin e drogës janë përfshirë rrjete të rrezikshme ndërkombëtare dhe grupime të krimit të organizuar, të cilat kanë qindra e mijëra bashkëpunëtorë, investojnë në blerjen e policisë dhe të qeveritarëve dhe nuk kanë asnjë interes kombëtar. Ky është i vetmi skenar destabilizimi që do ishte edhe më i rëndë nëse opozita dhe qytetarët nuk do i kishin dalë përballë. Pastaj kemi edhe mediat fake news që përhapin propagandën e Ramës, i cili e filloi me rrezikun rus për Shqipërinë, pastaj vazhdoi me rrezikun e skenarit maqedonas për Shqipërinë, tani ka filluar me rrezikun ukrainas, marinsat amerikanë, etj. Janë të gjitha shpifje për të ngjallur frikë, për ta paraqitur Edi Ramën si shpëtimtar të domosdoshëm të kombit, si Skënderbeun e kandidatëve të tij.
Keni thirrur një protestë të shtunën më 13 Maj? Flitet për një skenar dhune, a ka një koment Ina Zhupa?
Protesta e 13 Majit do jetë një protestë mbarë popullore, masive si kurrë më parë, paqësore dhe demokratike si të gjitha protestat e tjera të ndërmarra nga kjo opozitë në këtë 4 vjet. Protesta do nis në orën 12 në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, do bashkohen aty qytetarët që do vijnë nga të gjitha anët e vendit dhe drejtimet që të çojnë në shesh. Me forcën e bashkimit do arrijmë të tregojmë vendosmërinë, qëndrueshmërinë e kësaj kauze. Askush nuk duhet ti trembet akteve të dhunës, por të gjithë duhet të kenë veshët dhe sytë hapur për të kuptuar që populli nuk humb kur përballet me qeverinë. Është përherë qeveria që bie, jo populli.
PD ka deklaruar se nuk do të ketë zgjedhje ne 18 qershor, pavarësisht se KQZ ka miratuar listën e 15 partive që janë regjistruar. Cili është plani konkret që ka PD pre këtë rast të paprecedent?
18 Qershori tashmë ka rënë edhe ligjërisht, KQZ ka shkelur Kodin Zgjedhor duke pranuar listat e kandidatëve përtej afatit 50 ditor para datës së zgjedhjeve. Por jo vetëm kaq 18 qershori ka rënë edhe politikisht dhe moralisht sepse aty janë regjistruar vetëm partitë e ish koalicionit të Ramës në 2015 dhe ato jo të gjitha. Nuk mund të ketë votime moniste më 18 qershor, të stilit të Ramiz Alisë kur e kishte të vështirë të pranonte që kishte ardhur koha e pluralizmit politik. Plani është që me një qeveri teknike që garanton kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme të shkohet në zgjedhje me të gjitha forcat politike. Çdo lloj tentative për votime moniste do pamundësohet me vullnetin e qytetarëve të bashkuar. 
Në këto kushte a rrezikohet shpërbërja e Partisë më të madhe opozitare?
Nuk ka se si. PD sot është edhe më e fortë dhe më e bashkuar sesa para kësaj proteste shembullore. PD ka lindur nga mundësia për votë të lirë dhe është partia që i takon ta çoj deri në fund këtë betejë që siguron tashmë standarde për zgjedhje. Partia Demokratike është e përgatitur për zgjedhje të lira, do marr pjesë në to, ka një program ekonomik të përgatitur me konsulencën e ekspertëve të CDU gjerman, do paraqis një ekip të denjë dhe do ti fitoj zgjedhjet. Në këtë mënyrë do kthehet realiteti projekti për një Republikë të Re që është e ardhmja më çdo shqiptar të ndershëm dhe që e do vendin e tij. 
Çfarë do t’u thuhet votuesve të djathtë për mospjesëmarrjen në këto zgjedhje?
Zgjedhje nuk do ketë pa opozitën. Në zgjedhje të lira dhe të ndershme PD do jetë në garë dhe do iu thotë votuesve që ta votojnë.
Mendoni se një pjesë e votuesve të djathtë rrezikojnë të votojnë për partitë e majta?
Përkundrazi mendoj që veç votuesve të djathtë, edhe votues të majtë që kanë votuar Rilindjen dhe janë zhgënjyer do të votojnë për alternativën e Republikës së Re. Në Sheshin e Lirisë janë bashkuar edhe anëtar të PS, që kanë qenë jo vetëm votues por edhe komisionerë nëpër zgjedhje. Dhe mendoj se një pjesë e mirë e tyre do votoj PD në zgjedhjet e ardhshme. PD në pushtet do qeveris pa dallime mes votuesve të majtë apo të djathtë, për të mirën e çdo shqiptari. 
Ju falënderoj për intervistën. 
Edhe unë ju falënderoj për mundësinë. Gazeta Telegraf është nga të paktën që ka hapësirë lirie për çdo zë dhe nuk ka rënë pre e përdorimin të fake news për më shumë klikime apo blerës. Ju uroj suksese.
Sigal