Ilmi S. Qazimi: Kryetari ynë i Qeverisë, po i vë zjarrin shtëpisë!

159
Sigal

-Përderisa ish-kryeministri e ish-presidenti grek, Elefteris Venizellos, famëkeq, aneksues e agresiv ndaj Shqipërisë, e ka një bust edhe në Beograd, si mik i Pashiqit, e përse të mos e ketë nipi i tij, Kostandinos Mitsotaqis një bust në Shqipëri

– Kush e detyroi Edi Ramën të kryejë tërë këto temenara, kur asnjëherë dhe askush prej udhëheqësve grekë nuk ka bërë një gjë të ngjashme për ndokënd shqiptar, ca më pak ish-kryeministër shqiptar?!

-Me cilat organizma shtetërore u konsultuakëtu në Tiranë kryetari ynë për këtë hap kaq “dashamirës” ndaj qeverisë greke?

– Do të ishte në nderin dhe detyrimin tuaj ligjor, kombëtar, shpirtëror, personal dhe shtetëror që në atë shesh të bukur të Derviçanit të kishit vendosur bustin e, Heroit  të Popullit, Theodhori Mastora

Në 27 tetor 2023, porsa ka kaluar një muaj nga viti i dhjetë drejt të njëmbëdhjetit në kolltukun kryeministror shqiptar Edi Rama, shkon për të dytën herë në Derviçan, fshati më i madh në Dropullin e Poshtëm, të banuar thuajse tërësisht nga popullsia minoritare greke. Para një viti ishte i shoqëruar nga dy-tre ministre dhe kishte objektiv punët e kulturës dhe bujqësisë! (Sektorët ku vidhen më lehtë fondet dhe keqpërdoren grandet europiane, siç e ka provuar edhe ndonjë akt i shkruar i Kontrollit të Lartë të Shtetit). Tani ka ardhur që të përurojë bustin e ish-presidentit dhe ish-kryeministrit grek Konstandino Mitstotaqis që u vendos në sheshin e fshatit, i cili, për rrjedhojë merr emrin e tij!? Në këtë aktivitet sa politik aq edhe popullor, nuk munguan as këngët e vallet dropullite në gjuhën greke, aq shumë të bukura.

Kryetari ‘ynë’ i qeverisë sonë, mbajti një fjalim goxha të gjatë, të plotë, të dinjitetshëm, glorioz për një personazh-siç e quajti ai- të madh të historisë së popullit grek, pjestar i dinastisë politike shumëvjeçare drejtuese greke, nip i E.Venizellos dhe babai i z. Qirjako Mitsotaqis kryetar i qeverisë aktuale greke. Mirëpo historia dhe dialektika na kanë mësuar se e tashmja e zbërdhuqur apo e pseudoshkëlqyer nuk duhet të na eklipsojë errësirën e të këqijave të së kaluarës. Nuk ecim dot përpara pa hedhur sytë herë pas here prapa.

“Zoti Kryeministër! Do të ishte në nderin dhe detyrimin tuaj ligjor, kombëtar, shpirtëror, personal dhe shtetëror që në atë shesh të bukur të Derviçanit të kishit vendosur bustin e, bie fjala, Heroit  të Popullit, 24 vjeçarit minoritar Theodhori Mastora, lindur në fshatin Çatista, që ra dëshmor në 1944 duke luftuar në Malin e Zi kundër nazistëve gjermanë”

Kush ishte E.Venizelos? Jetoi në harkun kohor 1864-1936. (kurse i nipi,’bustfituesi’ në Shqipëri, jetoi 98 vjet në segmentin e gjatë 1918-2017). Venizelos ka qenë disa herë kryeministër i Greqisë dhe në politikën e jashtme, si përfaqësues i borgjezisë së madhe greke ka ndjekur synime ekspasioniste dhe agresive aneksuese jo vetëm ndaj  Shqipërisë, por edhe ndaj fqinjëve të tjerë. Në vitin 1912 krijoi’Lidhjen Ballkanike’, e cila shpuri në Luftën Ballkanike, që Shqipërisë i kushtoi pushtimin e disa trojeve, Çamërinë, Korçën dhe Gjirokastrën. Ai bëri e ç’nuk bëri që këto dy qytete-krahina t’i fuste në territorin grek, por nuk e arriti dot.

Me këtë që pamë për vendosjen në truallin shqiptar të një busti politikani grek, aksekushin e shpie në pyetjen: përderisa ish-kryeministri e ish-presidenti grek, Elefteris Venizellos, famëkeq, aneksues e agresiv ndaj Shqipërisë, e ka një bust edhe në Beograd, si mik i Pashiqit, e përse të mos e ketë nipi i tij, Kostandinos Mitsotaqis një bust në Shqipëri? Dhe më tej akoma, jo për fantazi të sëmurë, po për realitet të mundshëm ogurzi, pse të mos ketë në ndonjë copë tokë shqiptare edhe një bust të presidentit aktual serb që ka deklaruar në vitin 1995” Nëse ju vrisni një serb, ne do të vrasim 100 myslimanë” dhe, konkretisht, po sulmon pa reshtur veriun e Kosovës sonë martire!

Se cili është kryeministri i sotëm i Greqisë e dimë të gjithë. Vlerësojmë lart përpjekjet e tij për fqinjësi të mirë, ekonomike, kulturore, etj. Por dimë edhe se si po lufton ai dhe klanet përkrahëse greke për të marrë Himarën. Pikërisht atë Himarë që tërësisht, gjithanshmërisht e katërcipërisht është shqiptare. Pyetja shtrohet: përse Edi Rama i bën kaq nderime një politikani grek dhe harron të mbrojë territorin e mirëfilltë shqiptar? Dhe më tej: kush e detyroi Edi Ramën të kryejë tërë këto temenara, kur asnjëherë dhe askush prej udhëheqësve grekë nuk ka bërë një gjë të ngjashme për ndokënd shqiptar, ca më pak ish-kryeministër shqiptar?! Me cilat organizma shtetërore u konsultuakëtu në Tiranë kryetari ynë për këtë hap kaq “dashamirës” ndaj qeverisë greke? Kësaj qeverie që po dërgon thuajse çdo ditë ambasadoren në gjykatë që të shfajësohet e lirohet pa kushte një farë Bejleri, i zgjedhur me vota të vjedhura?

E.Rama, mesa del prej asaj video që pamë, kishte  vënë në dijeni për këtë lloj aktiviteti vetprezantues, së pari si progrek e pastaj si “prijës paqeje dhe mirëkuptimi në Ballkan”, edhe të birin e atij që i vendoset busti, siç tha ai, “mikun tim Qiriakos”. Por ja që ky nuk i erdhi !? Përse vallë? Kuptohet lehtazi: Është i mençur i biri i botës! E di se çfarë bën, kur e si e bën! Erdhi vetëm ish-kryebashkiaku i Athinës Avramopulos, shok e mik i Ramës, dikur ‘qimezi e tani flokëbardhë’. Banorët e Derviçanit, dëgjuan duke qëndruar në këmbë për shumë minuta shiu e pastaj dielli të mekur, fjalën ekzaltuese të kryetarit tonë të qeverisë, plotësisht të merituar për ish-kryetarin e qeverisë së popullit grek, i cili –siç theksoi dy herë kryetari ynë – ngjan me popullin shqiptar si dy pika uji”!! Kryetari ynë, si njohës i disa gjuhëve, nuk  mund të mos thoshte edhe dy fjali në gjuhën greke në mbyllje të fjalës së tij aq të ndjerë. Po ashtu ata pak banorë pleq e plaka dhe ata të moshës së mesme, që kanë ardhur kastile për këtë  ngjarje të madhe, dëgjuan dhe duartrokitën fjalën e ish-kryebashkiakut të Athinës, panë edhe çastin e zbulimit të bustit.

Bustin e ka kompozuar një skulptor shqiptar, që paskësh qenë, edhe ai, në emigracion në Greqi, gjithashtu miku i E.Ramës. Bukur fort! Cilat janë meritat, atributet, kontributet, e atij personazhi në bust, për Shqipërinë? Cilat janë arsyet përse duhet vendosur ky bust këtu në këtë shesh truall shqiptar? Nuk u tha asgjë. Mos vallë, sepse në maj të vitit 1992 u takua me Aleksandër Meksin dhe bënë një konferencë shtypi sa për sy e faqe, dhe ku ai nguli këmbë që problemi i Çamërisë është i mbyllur ?!Pse nuk shpjegohet kryetari ynë?!

“Mbase vjen një ditë që ta kuptoni postin aq të lartë që ju kemi besuar e po mbani dhe rolin e ulët, që po luani në ecurinë dinjitoze kombëtare përparimtare të vendit e të popullit tonë! Me logjikë të ftohtë larg patetizmit patriotik, kushdo e kupton se është nder për Shqipërinë që të përurohet një bust për heroin e popullit minoritar që dha jetën për lirinë e atdheut, apo për një hero të punës, apo një personalitet vendas dropullit të ditëve tona. Dhe është vetposhtërim personal e shtetëror që të  përurohet  busti iish-kryeministri grek, pa lidhje fare me truallin dhe  emrin shqiptar, që nuk ka bërë ndonjë gjë të mirë për Shqipërinë”


Kanë kaluar 80 vjet nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, ku vendi ynë  mori pjesë i detyruar dhe u çlirua me forcat e veta me gjakun e 28 mijë dëshmorëve midis të cilëve jo pak minoritarë grekë. Asnjë këmbë ushtari rus, amerikan apo anglez nuk erdhi këtu për të ndihmuar për të shporrur, shfarosur bishën naziste e fashiste dhe për të çliruar vatanin. Ne u çliruam me luftë të të gjithë popullit në trojet tona, udhëhequr nga Partia Komuniste dhe komandanti legjendar Enver Hoxha. Të gjitha qeveritë e kryeministrat grekë të këtyre 80 viteve nuk kanë rreshtur në qëllimet e tyre aneksuese. Kujtojmë agresionin e armatosur në dy gushtin e vitit 1949, ku forcat  e ushtrisë shqiptare i treguan vendin me plumb. Kujtojmë që akoma ata nuk duan ta heqin ligjin famëkeq të luftës edhe pse jemi bashkanëtarë në NATO! Kujtojmë ngjarjen e Lazaratit etj.

Sjellim në kujtesë se pushteti popullor i diktaturës së proletariatit që u vendos në Shqipëri ashtu si në një të gjashtën e rruzullit, pas vitit 1945,partizanëve e dëshmorëve iu ngriti buste, iu dha tituj  e dekorata, u bëri varreza të posaçme, për disa kohë u shpërndanë edhe shpërblime minimale në monedha. Të gjitha, aq shumë të merituara. Madje edhe deri vonë familjeve të dëshmorëve në Shqipëri u jepej një shpërblim simbolik që e hoqi me ligj  kryetari  i të gjithë të këqijave Sali Berisha.

Kur erdhi në karrigen e kryetarit të qeverisë, Edi Rama, me qëndrimet që mbajti e vijon të mbajë, tregoi se  nuk deshi t’ia dijë thuajse asfare për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar, për fitoren, heronjtë, dëshmorët, veteranët, invalidët, të humburit, të internuarit në kampet famëkeqe naziste…Jo! Ai as që shfaqi ndonjë interesim për ta. Është një lloj treguesi tepër  i rëndë fakti që Edi Rama është i vetmi kryeministër i këtyre tetëdhjetviteve, që nuk ka folur apo të marrë pjesë në ndonjë datë përkujtimore për ndonjë formacion madhor luftarak partizan, për ndonjë hero (Shqipëria ka 158 të tillë) apo dëshmor të Shqipërisë, që edhe kryetarit të veteranëve dikur i tha:”Ule kokën dhe dëgjomë mua!” Vetëm data 29 Nëndor e çdo viti atij ia ka futur këmbët në një këpucë: e detyron që të vendosë kurora me lule te Varrezat e Dëshmorëve të Kombit! Dhe me këtë veprim honorifik formal, ai mesa duket, e quan veten të larë me dëshmorët dhe partizanët, me invalidët (për sa kohë ata ishin gjallë) dhe me veteranët, (aq pak sa kanë mbetur), sepse ata i përkasin …varrezave!!

Zoti Kryeministër! Do të ishte në nderin dhe detyrimin tuaj ligjor, kombëtar, shpirtëror, personal dhe shtetëror që në atë shesh të bukur të Derviçanit të kishit vendosur bustin e, bie fjala, Heroit  të Popullit, 24 vjeçarit minoritar Theodhori Mastora, lindur në fshatin Çatista, që ra dëshmor në 1944 duke luftuar në Malin e Zi kundër nazistëve gjermanë; apo heroit të popullit Themo Vasi lindur në Nivan të Zagories dhe ra dëshmor në vitin 1943 në malet e Golemit; apo të Lefter Talos lindur në Vurg të minoritetit grek në Shqipëri që ra dëshmor në luftimet e Kalasë së Margëlliçit. Mbase vjen një ditë që ta kuptoni postin aq të lartë që ju kemi besuar e po mbani dhe rolin e ulët, që po luani në ecurinë dinjitoze kombëtare përparimtare të vendit e të popullit tonë! Me logjikë të ftohtë larg patetizmit patriotik, kushdo e kupton se është nder për Shqipërinë që të përurohet një bust për heroin e popullit minoritar që dha jetën për lirinë e atdheut, apo për një hero të punës, apo një personalitet vendas dropullit të ditëve tona.Dheështë vetposhtërim personal e shtetëror që të  përurohet  busti iish-kryeministri grek, pa lidhje fare me truallin dhe  emrin shqiptar, që nuk ka bërë ndonjë gjë të mirë për Shqipërinë. Atdheu nuk mbrohet duke fshirë me gomë të kaluarën sipas qejfit të dikujt, por duke e parë atë me syrin objektiv e vigjilent për të garantuar të ardhmen.