Ilirjan Celibashi hap thesin për kryetarët e partive, do paguhen 94 lekë/ vota nga taksat e popullit

Ilirjan Celibashi ka nisur ndarjen e tortës të parave publike për partitë në zgjedhjet e 11 Majit. KQZ ka vendosur të ndajë fondet e kompensimit paszgjedhor për partitë që morën pjesë në zgjedhjet e 11 majit, të cilat nuk kishin fituar fonde paradhënie.

Sipas vendimit, në total shpërndahen 12.756.458 lekë për forcat politike që arritën të kalojnë pragun prej 1% të votave të vlefshme në rang kombëtar: Partia e Qorrit, ajo e Tik Lapajt, Gon Shehajt dhe Lul Bashës.

NOA

Çdo votë e fituar do të shpërblehet me 94 lekë nga Buxheti i Shtetit. Ky sistem bën që dy partitë kryesore, PS dhe PD, të jenë përfitueset më të mëdha. Sipas llogaritjeve, socialistët do të arkëtojnë rreth 80.4 milionë lekë, ndërsa demokratët afërsisht 49.6 milionë lekë.

Megjithatë, të dyja këto forca politike kishin marrë financim paradhënie përpara zgjedhjeve, PS 65.2 milionë lekë dhe PD 44.8 milionë lekë. Pjesa e mbetur e fondit do të ndahet për partitë e tjera që arritën të kalojnë pragun minimal prej 1% të votave të vlefshme.

Sipas relacionit që pritet të miratohet sot nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, shpërndarja do të bëhet si më poshtë:

  • Partia “Mundësia” – 4,601,488 lekë
  • Lëvizja “Shqipëria Bëhet” – 3,884,362 lekë
  • Lëvizja “Bashkë” – 2,307,418 lekë
  • Koalicioni Euroatlantik (Lulzim Basha) – 1,963,190 lekë

Edhe pse partitë e reja përfitojnë shuma më të vogla krahasuar me PS dhe PD, ato nuk mbeten pa financim, duke siguruar mbështetje të mjaftueshme për të vijuar aktivitetin e tyre politik.

Ligji parashikon që, përveç kompensimit paszgjedhor, forcat parlamentare të përfitojnë edhe mbulimin e qirasë së selive nga shteti, si dhe fonde shtesë për stafet dhe zyrat që krijohen në nivel bashkie pas formimit të grupeve parlamentare.

Edhe pse koalicioni i drejtuar nga Basha nuk siguroi asnjë mandat deputeti, ai arriti të mbledhë 20.885 vota, që përbëjnë 1.30% të totalit.