Ilir Meta: T’i jepet fund menjëherë indiferencës dhe papërgjegjshmërisë. Qeveria duhet të marrë masa për industrinë fason dhe eksportuesit

Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta, të martën nga selia e partisë që ai drejton, doli në një deklaratë për mediat. Zhvlerësimi i euros dhe mos dëgjimi i zërit legjitim të shoqatave të biznesit prodhues dhe eksportit ishin në thelb në qendër të kësaj deklarate. Meta kërkoi që qeveria të marrë masa për të mbështetur dhe kompensuar në një masë të arsyeshme, si politikë e menjëhershme për humbjet që kanë aktiviteti i industrisë fason dhe eksportuesve për humbjet për shkak të mbiçmimit artificial dhe të qëllimshëm të lekut.

Deklarata e plotë e Z.Ilir Meta:

Sigal

1. Prej kohësh zëri legjitim i shoqatave të biznesit prodhues edhe eksportues ka rënë në vesh të shurdhët të Qeverisë dhe të gjithë institucioneve përgjegjëse, përfshirë dhe Kuvendin.
2. Shqetësimi i drejtë i tyre për zhvlerësimin spekulativ dhe të qëllimshëm të Euros është një këmbanë alarmi për ekonominë tonë dhe për zhvillimin e vendit.
3. Viktimat e këtij spekulimi janë shumica e qytetarëve dhe e bizneseve të ndershme shqiptare duke pasur parasysh nivelin e lartë “euroizimit” të ekonomisë shqiptare.
4. Qindra mijëra qytetarë po vuajnë rënien e fuqisë blerëse me rreth 15% për 1 vit. Gjithashtu edhe kursimet e mijëra familjeve – shumica e të cilëve i kanë në valutën Euro – u janë zhvlerësuar pasuria e tyre me rreth 15%.
5. Prodhuesve dhe eksportuesve shqiptarë jo vetëm që u janë zeruar fitimet, por po humbasin tregjet ndërkombëtare dhe po u falimentojnë bizneset e tyre. Për rrjedhojë me dhjetëra mijëra punonjës kanë humbur dhe pritet të humbasin vendin e punës.
6. Ajo çfarë është e patolerueshme deri në kufijtë e kriminales është cinizmi i Qeverisë për ta paraqitur këtë çështje si axhustim i tregut të punës apo duke bërë thirrje për të përmirësuar konkurrencën.
7. “Taksës” shtesë të zhvlerësimit të Euros i shtohet edhe kostot e rritura me të paktën 30% të krahut të punës. Në këto kushte falimentimi i bizneseve është i pashmangshëm.

Mbiçmimi i lekut po sjell pasoja negative në të gjithë ekonominë. Mbiçmimi i lekut ka ulur vëllimin e eksporteve, ka përkeqësuar bilancin e pagesave dhe do të ketë pasoja negative në rritjen ekonomike. Gjithashtu mbiçmimi i lekut ka goditur familjet përfituese të remitancave, kreditorët individë, si dhe bizneset, eksportuesit, si dhe të gjitha aktivitetet e tjera, kontratat e të cilave janë në monedhën Euro. Vështirësitë e jashtëzakonshme që po kalon industria fason, si dhe ajo eksportuese në përgjithësi është një goditje në prodhimet “Made in Albania”, me efekte negative në falimentimin e këtyre aktiviteteve dhe rritjen e numrit të të papunëve. Qeveria për fat të keq nuk rezulton të merret aspak me ndikimin negativ në ekonomi të mbiçmimit të lekut dhe falimentimin e kompanive eksportuese. Ekonomia jonë vazhdon të jetë atraktive për koston e ulët të krahut të punës. Dhe kjo do të vazhdojë për disa kohë pasi edhe strukturimi i ekonomisë do të marrë kohë.

Duhet t’i jepet fund menjëherë indiferencës dhe papërgjegjshmërisë. Qeveria duhet të marrë masa për të mbështetur dhe kompensuar në një masë të arsyeshme, si politikë e menjëhershme për humbjet, që kanë aktiviteti i industrisë fason dhe eksportuesve për humbjet për shkak të mbiçmimit artificial dhe të qëllimshëm të lekut. Qeveria duhet të mos miratojë politika diferencuese fiskale, që do të thotë të lehtësojë fiskalisht industrinë fason, si dhe esportuesit si ka vendosur për të lehtësuar aktivitetin e investimeve automative. Qeveria duhet në mënyrë të veçantë të marrë masa të menjëhershme për të forcuar luftën ndaj pastrimit të parave, të kriminalitetit dhe të informalitetit, që është arsyeja kryesore dhe vendimtare pse kemi këtë mbiçmim të lekut. Qeveria duhet të dëgjojë kërkesën e shoqatës së eksportuesve për krijimin e një grupi pune, për të arritur në një zgjidhje të shpejtë dhe afatgjatë, me qëllim ruajtjen e aktivitetit të këtyre bizneseve. Banka e Shqipërisë të vlerësojë mundësinë e ndërhyrjes në treg me qëllim të ndalimit të mbiçmimit të mëtejshëm të lekut. Banka e Shqipërisë të balancojë politikën monetare ndërmjet asaj shtrënguese për të arritur në objektivin e inflacionit, si dhe asaj lehtësuese për të mbajtur ose ulur normat e interesit si një masë shtesë për të ndaluar mbiçmimin e mëtejshëm të lekut”.

Deklaratë e Shoqatave të Eksportuesve: Mbiçmimi i lekut po na “përvëlon”

Përmes një deklarate Shoqata e Eksportuesve në reagimin e saj për çfarë po ndodh në Shqipëri vuri në dukje se mbiçmimi i lekut po godet dhe po falimenton çdo ndërmarrje që prodhon e eksporton dhe se nga kjo pa dyshim pasojat do i kenë edhe ato që prodhojnë e shesin në vend, pasi importi nuk shpreh rritje proporcionale me situatën e krijuar dhe rritja e çmimeve nga ana tjetër ka ulur fuqinë blerëse. Eksportuesit pohuan se po goditet brandi dhe angazhimi qeverisë “Made in Albania”, po rritet numri i të papunëve, rritet pasiguria në treg dhe krijohet një atmosferë jo transparente në shoqëri në përgjithësi. Në deklaratën e Shoqatës së Eksportuese thuhet ndër të tjera: “Në mes të javës së kaluar, adresuam në konferencë shtypi qëndrimin tonë lidhur me mbiçmimin e lekut që: Po sjell pasoja në të gjithë ekonominë, ka rrudhur xhepat e atyre që kanë të ardhura nga remitancat e kredi në euro, ndërsa ka përvëluar eksportuesit. Pas kësaj, pati një tendencë rritje të euros, e cila ndaloi po aq shpejt sa tentoi të niste, ndërsa publikisht lidhur me këtë çështje pati dy zhvillime: 1. Prononcimi i Zotit Kryeministër se: është histori suksesi vlerësimi i lekut, ndonëse ka sjellë stres tek eksportuesit; ka këshilltarë të mirënjohur ekonomikë (këshilltarin e Merkelit); “Shqipëria tashmë nuk është favorit për krahun e lirë të punës siç ka qenë vite më parë, ndaj bizneset duhet të vrapojnë për të mbyllur ciklin (pra fasoneria nuk ka të ardhme)”. 2.Prononcimi i Bankës së Shqipërisë se: nuk mund të fiksojë kursin e këmbimit siç sugjerohet nga eksportuesit; banka e Shqipërisë nuk mund të ketë instrument ndihmës për kategori të veçanta biznesesh, ndërsa shpreh gadishmërinë për të diskutuar me çdo grup interesi. Qëndrimi ynë ishte me shumë luajalitet, duke shprehur shqetësim dhe sugjeruam zgjidhje.” thuhet në deklaratë. “Pavarësisht kësaj, e theksojmë se edhe për ndërmarrjet e ashtuquajtura fason, falimentimi i pritshëm është për shkak të mbiçmimit të lekut në mënyrë të menjëhershme prej 14% dy muajt e fundit, pra për shkak të një ambienti të pasigurtë ekonomik e financiar, për të cilin theksojmë sërish, se Banka e Shqipërisë nuk ka bërë asnjë transparencë. Nga ana tjetër, mbiçmimi i lekut nuk po godet vetëm fasonët, por ka goditur e po falimenton çdo ndërmarrje që prodhon e eksporton. Në vijim, pa dyshim pasojat do i kenë edhe ato që prodhojnë e shesin në vend, pasi importi nuk shpreh rritje proporcionale me situatën e krijuar dhe rritja e çmimeve nga ana tjetër ka ulur fuqinë blerëse. Pra goditet brandi dhe angazhimi qeverisë “made in Albania”, rritet numri i të papunëve, rritet pasiguria në treg dhe krijohet një atmosferë jo transparente në shoqëri në përgjithësi. Për sa lidhet me këshilltarët, nga të cilët Zoti Kryeministër evidentoi këshilltarin e Merkelit, nuk kemi asnjë mëdyshje në përpjekjet e Kryeministrit, ndërsa shprehim respekt për këshilltarin ekonomik e të tjerë. Mirëpo e themi me bindje, që këshilltarëve të huaj ju është modeluar në mënyrë të pasaktë problemi, ndaj rekomandimet e mundshme nuk mund të kene premisë të jenë të sakta!Ka edhe raste të mëhershme në hartimin e zbatimin e politikave fiskale, për të cilat qëndrimet e këshilltarëve të mirënjohur të qeverisë, kanë ndryshuar qëndrimet kur tabloja lidhur me çështjet u është bërë e plotë dhe e qartë. Në këtë kontekst, përsërisim kërkesën tonë për vëmendje dhe krijimin e një grupi pune, që ka në fokus zgjidhje reale, me qëllim ruajtjen e ekulibrave në tregun financiar, atë të punës dhe atë të Shqipërisë me prodhimet vendase, që do rrudhen për tu ekspozuar me dinjitet në tregun ndërkombëtar. Grupi i shoqatave të eksportit është i gatshëm të thërrasë ekspertët më në zë të ekonomisë ndër vite dhe është i hapur për të diskutuar mbi këtë çështje me përfaqësuesit e qeverisë, qoftë këshilltarë pranë kabinetit të Kryeministrit, ashtu dhe nga institucionet e tjera përgjegjëse dhe gardiane të politikave ekonomike.