Ilir Meta: Të gjitha votat e LSI-së kanë shkuar në drejtimin e duhur

467
Tani kur përfundimisht janë numëruar të gjitha fletët e votimit në përgjithësi në shkallë kombëtare, por në mënyrë të veçantë për Bashkinë e re të Tiranës dhe për Qarkun e Tiranës, nuk mund të rrija pa ndarë së bashku me të 13-të këshilltarët tanë të shkëlqyer të kryebashkisë së vendit, të cilët me në krye Erisa Xhixhon dhe Profesor Shezai Rrokaj, kanë bërë një fushatë të jashtëzakonshme, të pandihmuar dhe të pambështetur nga Kryetari i LSI-së dhe drejtuesit kryesorë të LSI-së, por të mbështetur fuqimisht nga gjithë drejtuesit e LSI-së të njësive të kryeqytetit dhe të ish-komunave, dhe në mënyrë te jashtëzakonshme nga Lëvizja Rinore për Integrim në të gjithë Tiranën, të cilat kanë arritur një rezultat të jashtëzakonshëm të shkëlqyer, duke bërë të mundur që LSI nga 5 këshilltarë që kishte deri më tani, të ketë 13 këshilltarë dhe këshilltare në Bashkinë e re të Tiranës që bazohet në 54 mijë vota të fituara.
Njëkohësisht nuk mund të mos ndaj me ju kënaqësinë edhe të një rezultati të shkëlqyer në të gjithë Qarkun e Tiranës, ku LSI-ja ka arritur një rezultat më të lartë edhe se dyfishimi i saj, pra nga 25 mijë vota në vitin 2013, ka arritur në më shumë se 73 mijë vota.
U takon falënderimi, sepse gjithçka e kanë drejtuar vetë, në një frymë të shkëlqyer ekipi, në një bashkëpunim të ngushtë me të gjithë anëtarët, simpatizantët dhe përkrahësit tanë.
Duke u uruar suksese në emër të gjithë Lëvizjes Socialiste për Integrim, dua të shpreh besimin tim të plotë se do të jenë një grup i shkëlqyer dhe në kuadër të gjithë grupit të mazhorancës me mbi 2/3 e “Aleancës për Shqipërinë Europiane” në Bashkinë e re të Tiranës dhe në bashkëpunim të ngushtë edhe me kryebashkiakun e ri të Tiranës, z. Erion Veliaj, do të punojnë çdo ditë për të mbajtur premtimet e bëra gjatë kësaj fushate, në interes të gjithë komunitetit të kryebashkisë së vendit dhe natyrisht në mënyrë të veçantë për të gjithë të rinjtë dhe të rejat, vota masive e të cilëve është ajo që e ka fuqizuar Lëvizjen Socialiste për Integrim në kryeqendrën e vendit, por dhe në shumë kryeqendra të tjera.
Sigurisht që nuk mund të mos jap edhe disa vlerësime për zgjedhjet e 21 qershorit me këtë rast, ku në radhë të parë dua të falënderoj gjithë qytetarët tanë, të cilët kanë shkëlqyer në 21 qershor, duke marrë pjesë me shumë qetësi dhe kulturë në zgjedhje të cilat kanë qenë zgjedhjet më të qeta dhe më të mira të zhvilluara ndonjëherë në vendin tonë.
Natyrisht, që nuk mund të rri pa uruar edhe të gjithë fituesit e 61 bashkive të reja të vendit, edhe ata të kandiduar nga opozita dhe njëkohësisht t’i siguroj të gjithë se ne kudo do të punojmë për të implementuar me sukses këtë reformë historike administrative-territoriale, e cila besoj shumë do ta ndryshojë faqen e qeverisjes vendore në vendin tonë në interes të qytetarëve, në interes të komunitetit dhe ky do të jetë angazhimi kryesor i pari dhe i fundit i të gjithë përfaqësuesve të zgjedhur nga ana e Lëvizjes Socialiste për Integrim. 
Njëkohësisht dua të shpreh dhe disa falënderime të tjera. Një falënderim të jashtëzakonshëm e kam për qytetarët e Durrësit, të cilët arritën të na japin një kënaqësi të jashtëzakonshme dje, ku LSI ka arritur rezultatin që do ta konsideroja më të mirin në shkallë kombëtare, duke arritur jo vetëm të ketë 13 këshilltarë në Bashkinë e re të Durrësit, një më pak se sa forca e dytë politike, por njëkohësisht ka arritur të ketë 30 mijë vota, përkrahës në të gjithë qarkun e Durrësit, që do të thotë 3 herë më shumë se sa në vitin 2013. Dhe kjo është një arritje e shkëlqyer.
Dua të falënderoj në mënyrë të veçantë të gjithë ata që votuan në mënyrë mjaft të qartë dhe të vendosur për Lëvizjen Socialiste për Integrim në Qarkun e Fierit dhe në Bashkinë e re të madhe të Fierit, ku LSI si në bashkinë e re doli në mënyrë bindëse forcë e dytë politike në këshillin bashkiak, ashtu sikurse ka dalë forcë bindëse e dytë në të gjithë qarkun e Fierit, që është qarku i dytë më i rëndësishëm i vendit. Natyrisht, një falënderim të veçantë edhe për të gjithë ata që besuan masivisht LSI-në dhe kandidatët tanë në qytetin e Elbasanit, në Bashkinë e re të Elbasanit, por dhe në të gjithë qarkun e Elbasanit ku LSI rezulton të jetë edhe aty forca e dytë më e madhe pas këtyre zgjedhjeve në qarkun Elbasanit që është gjithashtu një nga qarqet më të rëndësishme të vendit. 
Natyrisht nuk mund të mos falënderojmë përkrahësit tanë në qarkun Gjirokastrës ku LSI ka dalë forcë e parë politike, ku një falënderim më i veçantë për këtë rezultat i takon anëtarëve dhe simpatizantëve në Bashkinë e re të Dropullit, aty ku LSI ka arritur një rezultat spektakolar, duke fituar edhe shumicën e këshillit bashkiak. 
Por natyrisht do të doja të falënderoja edhe përkrahësit tanë në Bashkinë e re të Korçës dhe në të gjithë qarkun e Korçës. Rritja e LSI-së është mjaft e ndjeshme, gati 60 për qind të votave, në krahasim me 2013-n. Po kështu, një falënderim të veçantë të gjithë përkrahësve tanë në bashkinë e re të madhe të Kamzës, ku LSI rezulton të jetë forcë e dytë politike dhe me një trefishim në krahasim me vitin 2013. Një falënderim të padiskutueshëm për përkrahësit tanë në qytetin e Shkodrës dhe në të gjithë bashkinë e re të Shkodrës, ku LSI ka një rritje të ndjeshme në krahasim me vitin 2013 dhe në shumë njësi të tjera, të cilat nuk mund t’i përmend, sepse nuk mund t’i përmend të gjitha. Përmenda bashkitë më kryesore, sepse duke patur konsideratë specifikën e zgjedhjeve vendore, dihet që vota në këto zgjedhje në bashkitë më të mëdha, është një votë shumë më politike se sa në bashkitë më të vogla ku natyrisht ka edhe ndikime të karakterit lokal duke qenë se kemi zgjedhje vendore. 
Megjithatë, pavarësisht nga të gjitha këto arritje që unë përmenda, të cilat bazohen tek puna e shkëlqyer e anëtarëve dhe simpatizantëve tanë në të gjithë vendin, dhe e cila janë dhe ata një vlerësim për gjithë kulturën politike dhe demokratike që ka sjellë LSI-ja në gjithë politikën tonë, tek mesazhet pozitive të saj, tek një politikë që do të bazohet tek propozimet konkrete dhe jo tek agresiviteti ndaj kundërshtarëve, tek një politikë që bazohet tek kujdesi i vazhdueshëm ndaj qytetarëve dhe jo vetëm në kohë fushatash, dhe sidomos tek kujdesi që ne gjithmonë tregojnë për të rinjtë dhe të rejat anembanë Shqipërisë, ku një meritë të veçantë të jashtëzakonshme për gjithë këtë rritje e ka pikërisht Lëvizja Rinore për Integrim e cila padyshim që është e jashtëzakonshme.
Padyshim edhe LGI-ja dhe gjithë të tjerët dhe i përshëndes të gjithë për këtë kontribut që ka dhënë dhe natyrisht që nuk kemi realizuar çdo objektiv, por objektivi kryesor, mendoj ai i standardeve të zgjedhjeve është një objektiv plotësisht i realizuar, pavarësisht se u punua në mënyrë sistematike për të dëmtuar imazhin e zgjedhjeve, për të krijuar tensione të paqena nga ata të cilët kishin frikë nga rezultati i zgjedhjeve, por për fat mirë, pas 21 qershorit kemi vetëm të fituar, të gjithë kanë shpallur fitoren dhe qëllimi ynë ky është, të fitojmë të gjithë në këtë vend.
Kështu që ju urojmë të gjithëve mbarësi dhe tani të bashkëpunojmë, sepse ne e kemi thënë dhe përpara zgjedhjeve që më i rëndësishëm është standardi se sa rezultati, këtë e themi përsëri. Rezultati i kënaq të gjithë, kështu që kjo është gjë shumë pozitive dhe natyrisht tani është e rëndësishme të punojmë për implementimin e kësaj reforme të jashtëzakonshme që do të sjellë më shumë shërbime dhe punësim për qytetarët shqiptar, që të sjelli më shumë shpresë dhe perspektivë për familjet shqiptare dhe sidomos për të rinjtë dhe të rejat e vendit tonë.
Pyetje nga gazetarët 
Z. Meta për të cilat bashki LSI-ja do të bëj ankimime, i referohem këtu rastit të bashkisë së Vorës ku kandidati jua ka kontestuar rezultatin?
Kjo është një pyetje që i takon përfaqësuesve ligjorë të LSI-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, dhe natyrisht që duhet ndjekur rruga ligjore dhe institucionale nga kushdo që ka ankimime. Ajo që unë dua të nënvizoj është që Lëvizja Socialiste për Integrim mbetet një forcë politike e vendosur për t’i qëndruar premtimeve të saj kudo në të gjithë vendin, dhe për të treguar se për të më të rëndësishme janë interesat e qytetarëve dhe interesat e komunitetit.
Ju kemi thënë shpesh, “PO”-ja juaj është “PO” dhe “Jo”-ja është JO”, por ky pazari i Pogradecit duke se ju mërziti pak. A ndiheni i tradhtuar apo i prerë në besë nga Kryeministri Rama, aleati juaj dhe nga Partia Socialiste për përgjithësi, kam fjalën jo vetëm për Pogradecin, por edhe Bashkinë e Lezhës në këtë rast dhe si e shpjegoni ju votën në këto dy bashki? Pse nuk arriti LSI të marrë një rezultat pozitiv?
Së pari mua më vjen keq që ju paskeni dashur që ne të fitojmë në të 61 bashkitë e vendit, dhe ky nuk ka qenë qëllimi ynë, pavarësisht se ne kemi punuar për t’i mbështetur kandidatët tanë për fitore në 61 bashkitë. Ashtu siç kemi deklaruar para zgjedhjeve që për ne ka rëndësi standardi, jo rezultati, nuk është ky kryesori. Madje kemi uruar, po të ketë mundësi opozita le ti fitojë 61 bashkitë se këto zgjedhje vendore janë, nuk janë zgjedhje politike. Për ato bashki ku kandidatët e përbashkët të Aleancës për Shqipërinë Europiane, pavarësisht se janë propozuar nga LSI-ja apo Partia Socialiste apo parti të tjera nuk kanë rezultuar fitues, jam i bindur që ne do të bëjmë një analizë të plotë, të përgjegjshme, të detajuar për çdo qendër votimi për të lexuar arsyet e mosrealizimit të suksesit dhe njëkohësisht për të reflektuar në të ardhmen, ku natyrisht arsyet janë nga më të ndryshmet në bashkitë e ndryshme të vendit. Por sigurisht që edhe pse unë kam thënë se do të punojmë për të fituar 61 bashkitë në rast se populli shqiptar na beson, shpresoj që ju të mos të keni besuar vërtetë se do të fitonin 61 bashkitë, sepse nuk do të ishte dhe aq e shëndetshme për demokracinë në vend.
Z. Meta vërtet që ju nuk mund të fitonit dot në të gjitha bashkitë që kandiduat, por kemi humbur në dy bastione të së majtës, Pogradeci dhe Mallakastrën. Në analizën paraprake që i bëni, është cilësia e kandidatit, ka një pazar siç tha z. Luan Rama brenda koalicionit me aleatët tuaj, sepse vihet re jo vetëm në bashkitë ku keni humbur, por edhe në bashkitë ku e majta ka fituar si Korça, Tirana, nuk është në përputhje vota për këshillat me votat për kandidatët?
Patët një urim publik për humbësin e garës të Tiranës, për z. Halim Kosova, por nuk ju pamë që të kishim një urim të tillë për fituesin e kësaj gare, për z. Erion Veliaj, pse mungoi ky urim?
Së pasi unë z. Veliaj e kam uruar që kur ai është vendosur si kandidat i “Aleancës për Shqipërinë Europaine”. Së dyti, e kam uruar dhe publikisht në takimin e madh të organizuar nga Lëvizja Rinore për Integrim z. Veliaj si kryebashkiak i ardhshëm i Tiranës, dhe natyrisht që e kam uruar dhe pas zgjedhjeve dhe jemi në komunikim të vazhdueshëm si me z. Veliaj si me shumë kryebashkiakë të tjerë që janë zgjedhur apo edhe me kandidatët, të cilët nuk u zgjodhën si kryebashkiak në këto zgjedhje.
Pse e kam uruar unë z. Halim Kosova? E kam uruar, sepse vlerësoj shumë kulturën e tij të pranimit të rezultatit, të urimit të kundërshtarit, të dëshirës së tij që pavarësisht nga një zhgënjim për rezultatin, kryebashkiaku i ardhshëm të mbajë premtimet, dhe vullnetin e tij për të qenë bashkëpunues. Nuk para ndodh në vendin tonë që ai që nuk fiton ta pranojë humbjen. Pavarësisht se në këtë rast nuk kemi ndonjë humbje personale.
Përveç saj, sepse mendoj që edhe reagimi i tij i fundit ishte në vijim të një fushate qytetare, të hapur, larg atij agresivitetit të shëmtuar dhe të neveritshëm për qytetarët shqiptarë, që shohim për fat të keq çdo të enjte. Kemi qenë rehat në fakt se këto të enjtet e fundit s’kemi patur kështu, por çfarë t’i bëjmë, po vjen e enjtja tjetër, të shpresojmë që të mësojmë të gjithë nga kultura e re që solli doktor Halim Kosova me kandidimin e tij që besoj që sjell një risi në politikën tonë.
Pyetja e parë z. Meta, për pazaret brenda aleancës dhe si shpjegohet vota më shumë për partitë se sa për kandidatët për kryetar bashkie?
Do të isha mjaft i nxituar të bëja një analizë pa lexuar rezultatet për çdo bashki dhe për çdo qendër votimi pa bërë krahasimet dhe ende janë mjaft kuti që po numërohen në disa bashki, kështu që nuk dua të nxitohem, por ajo që duhet të nënvizoj është që LSI-ja në të gjithë qytetet kryesore të vendit dhe në qarqet kryesore të vendit ka treguar një rritje mjaft të shëndetshme. Pothuajse në çdo qendër votimi dhe natyrisht që kjo është votë mjaft solide politike kur bëhet fjala për qytetet e mëdha dhe kur bëhet fjala për qarqet e mëdha. Në rast se do të shkojmë pastaj më tej në bashki më të vogla kuptohet që aty vota është gjithnjë e më pak politike. Mund të përmend shumë bashki ku LSI-ja ka dalë forcë e parë, por nuk mendoj se është një tregues shumë domethënës po të shohim shpërndarjen e votave për shkak të specifikës që kanë zgjedhjet vendore. Ndaj edhe përmenda bashkitë kryesore të vendit dhe qarqet më të mëdha të vendit, ku vota është gjithnjë e më politike.
Z. Meta si e shpjegoni votën në Tiranë, ku Erjon Veliaj mori më pak vota se koalicioni i majtë, ku LSI-ja është rritur, ndërsa Halim Kosova i opozitës ka dalë shumë më lart se koalicioni i tij?
Së pari të gjitha votat e LSI-së kanë shkuar në drejtimin e duhur. Së dyti, kjo meriton një analizë më komplekse por natyrisht një defekt në mospërputhjen ndoshta të gjitha votave të kandidatit me të aleancës duhet ta gjejmë në faktin që të gjithë ne kemi një përgjegjësi, duke filluar nga unë i pari, sepse parashikoja një fitore shumë më të thellë dhe natyrisht edhe shumë përfaqësues apo drejtues të tjerë, por edhe vetë elektorati i majtë në kryeqytet kishte besim në një fitore mjaft bindëse të kandidatit tonë të përbashkët, z. Erion Veliajn, të cilin dua ta vlerësoj për një fushatë jashtëzakonisht energjike dhe me propozime mjaft konkret që ka realizuar. Pra në rast se ka disa probleme këto do t’i kërkojmë në një eufori për vetë epërsinë që kishte mazhoranca jonë ashtu sikurse nuk duhet të nënvlerësojmë edhe një qasje të ndryshme nga ajo e Partisë Demokratike dhe e kandidatit të saj në tërësi, z. Halim Kosova, i cili me një sjellje shumë më konstruktive se sa kandidatët e tjerë arriti të merrte më shumë vota se sa forca e tij politike. Por në qoftë se juve nuk ju mjaftojnë 45 mijë votat e z. Veliaj unë përsëri do të shprehja shqetësim për këto pretendime të tuajat që nuk më duken edhe kaq demokratike. 
A e keni humbur ju Vorën? Të paktën rezultati flet për mbi 200 vota diferencë për kandidatin e djathtë dhe a bëni përgjegjëse një fushatë agresive në Vorë siç thonë një pjesë e opinionbërësve në vend? 
Së pari unë nuk jam këtu për t’iu përgjigjur analistëve të cilët paguhen në të zeza për të sharë LSI-në dhe për të hedhur baltë mbi LSI-në. Së dyti i gjithë opinioni publik e di shumë mirë se në Bashkinë e Vorës janë regjistruar në mënyrë të paligjshme 600 votues. Dhe e dinë shumë mirë se cila është diferenca dhe së treti LSI-ja është një forcë politike që ka arritur një rezultat shumë spektakolar atje, si në të gjithë Qarkun e Tiranës. Por për analist që paguhen në të zezë për të hedhur baltë mbi LSI-në unë nuk marr përsipër që të përgjigjem. 
A e njihni rezultatin për kryetar të bashkisë së Vorës?
Besoj se rezultati në të gjithë Shqipërinë flet vetë dhe më e rëndësishme se sa rezultati e kam theksuar edhe një herë tjetër, është implementimi i reformës administrative-territoriale. Shqiptarët duhet të prekin tani frytet e një reforme të domosdoshme, historike të mençur, që duhet t’i zgjidhë më shpejt problemet e tyre dhe t’u ofrojmë më shumë shërbim dhe punësim se sa deri tani. 
Z. Meta, po atëherë pse po protestoni për aq kohë sa jeni në pushtet dhe kontestoni rezultatin e Vorës?
Unë nuk përgjigjem për qytetarët. Unë përgjigjem për LSI-në. 
A do të kërkoni ndryshime ne qeveri për ministrat që përfaqësojnë Lëvizjen Socialiste për Integrim?
Çështja e qeverisë i takon Kryeministrit dhe ajo që është e rëndësishme pavarësisht se kjo ishte një votë vendore, sipas gjykimit tim, duhet të lexojmë të gjitha mesazhet që vijnë nga kjo votë. 
Që do të thotë se do të kërkoni më shumë përfaqësim në qeveri?
E thashë edhe një herë, për ne ishte një votë vendore. Patjetër, duhet të lexuar gjithçka në mënyrën më të mirë të mundshme dhe ju e dini shumë mirë që LSI rritet sepse di të lexojë. Kjo është arsyeja. Do të lexojë vlerësimet dhe di të lexojë kritikat. Fuqia e LSI-së është normaliteti dhe aftësia për të reflektuar. 
Ka pasur edhe parti të tjera që kanë pasur rritje në këto zgjedhje. Cili është komenti juaj?
Jemi të lumtur për rritjen e të gjithëve, prandaj e thashë që jemi të lumtur që të gjithë kanë fituar në këto zgjedhje. 
Z. Meta flitet se ju po bëni të pakënaqurin për të kërkuar në vitin 2017 postin e Presidentit të Republikës…
Nuk jam këtu për të hedhur fall sepse nuk është në natyrën time kjo gjë. Unë jam këtu për t’iu treguar kush është ekipi i ri, i të rejave dhe të rinjve të LSI-së, duke filluar nga Profesor Shezaiu që gjithë ditën është me të rinjtë dhe me studentët. 
A ka pasur një ftohje në raportet tuaja me Kryeministrin Rama?
Ne i kemi raportet mjaft konstruktive dhe bashkëpunuese me Kryeministrin Rama dhe unë e falënderoj për përkrahjen që ai u ka dhënë të gjithë kandidatëve të Aleancës sonë dhe në mënyrë të veçantë atyre të propozuar nga LSI-ja. 
Do të takoheni këtë të mërkurë me Kryeministrin siç keni bërë gjithmonë?
Ju nuk e keni arrë vesh që unë u takova të mërkurën që sapo kaloi? Edhe një herë tjetër falënderimin e përzemërt për 260 mijë votuesit tanë por në mënyrë të veçantë mbi 54 mijë qytetarë të Bashkisë së re të Tiranës që na votuan që na besuan dhe për mbi 73 mijë qytetarët e Qarkut të Tiranës, që na votuan që na besuan dhe në mënyrë të veçantë për të gjithë të rinjtë dhe të rejat e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë. Ata janë forca jonë por ata janë edhe frymëzimi ynë për rritjen dhe arritjet e reja. 
Sigal