Ilir Meta: Qëllimi im është të blindohet marrëveshja me Greqinë, qendrimi i Kushtetueses është “vija e kuqe” në vendimmarrje

559
Ilir Meta: Qëllimi im është të blindohet marrëveshja me Greqinë
Intervista e Presidentit të Republikës për emisionin “Studio e Hapur” të Eni Vasilit në “News 24”. Kreu i Shtetit flet për negociatorët, marrëdhëniet me qeverinë dhe integrimin 
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, deklaroi se qëllimi i tij është që të ketë një marrëveshje të plotë dhe të sigurt me Greqinë për çështjen e detit, ndërsa theksoi se nuk ka pasur dhe nuk do të ketë veto të Athinës për integrimin e Shqipërisë. Në intervistën për “News 24”, Meta foli për negociatorët e paktit të detit, marrëdhëniet me qeverinë, procesin e integrimit, reformën në drejtësi dhe rastin e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla.

Marrëveshja e detit, negociatat midis Shqipërisë dhe Greqisë janë disa nga pikat e nxehta të intervistës sonë, sepse në fakt është një debat i madh mes politikës dhe medias vitet e fundit. A do ta japë Presidenti plotfuqishmërinë e tij për grupin negociator për marrëveshjen e detit?
“Ajo që mund t’ju them me bindje të plotë është që Presidenti do të bëjë gjithçka për të përmbushur të gjitha detyrimet e tij kushtetuese dhe institucionale për mbarëvajtjen e kësaj marrëveshjeje që synohet dhe natyrisht edhe të marrëdhënieve me Greqinë”. 

A është e vërtetë që ju e ktheni kthyer sërish në Ministrinë e Punëve të Jashtme për informacion procesin?
“Jetojmë në kohën e “news-eve” dhe të “fake news-ve”. Dhe në këtë drejtim unë theksoj se nuk ka pasur në asnjë rast kthim apo refuzim për dhënien e një autorizimi të tillë, por gjithmonë ka pasur dhe do të ketë deri në pikën e plotë dhe përfundimtare sipas të gjitha standardeve që përcakton vendimi i posaçëm i Gjykatës Kushtetuese, një procedurë, e cila duhet të jetë nga ana kushtetuese sa më e saktë. Edhe për një arsye, për të gjithë ata që duan ta dinë dhe nuk kanë kohë të merren me detaje: është çështja më e debatuar, të paktën në dhjetë vitet e fundit, për shkak të asaj që ndodhi në vitin 2009, dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2010 që e rrëzoi atë marrëveshje. Dhe për këtë çështje ky vendim i Gjykatës Kushtetuese është vetë kushtetutë. Pra në hierarkinë ligjore prevalon (mbizotëron) mbi çdo ligj dhe çdo akt tjetër. Që do të thotë se do të mjaftonte qoftë edhe një gabim formal i mosrespektimit të kërkesave dhe detyrimeve kushtetuese formale që janë disa çështje të rëndësishme në mënyrë që ne si një grupim të bënte të njëjtën gjë, pra të ankohej në Gjykatën Kushtetuese për ta shpallur një marrëveshje të re antikushtetuese”.

Unë do t’ju pyes edhe pse ju doni t’i qëndroni kaq strikt këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese…
“Jo, kjo është detyra ime, nuk është se unë dua t’i qëndroj strikt. Vendimi është i qartë dhe është i detyrueshëm për aq kohë sa ne jemi një shtet i së drejtës ku Kushtetuta dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese prevalojnë”.

A është e vërtetë që ju e keni kthyer sërish në Ministrinë e Punëve të Jashtme letrën e informacioneve për të kërkuar informacion rreth takimeve me Kocias? A keni kërkuar informacion shtesë?
“Për të qenë sa më transparent, duhet të kemi në konsideratë që unë u detyrova për disa arsye, që u bënë edhe publike, për të sqaruar qëndrimin e Presidentit dhe Institucionit ndaj kërkesës së parë të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme – pa publikuar kërkesën e tyre, sepse nuk ka asnjë arsye që ta marrim ne këtë iniciativë – ashtu sikurse në kushte më normale edhe kur do të ekzistonin edhe lajme apo keqinterpretime lajmesh, kjo nuk kishte pse të bëhej publike, e kemi bërë të qartë çfarë kërkohet nga Institucioni i Presidentit në mënyrë që të procedohej sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Pas kësaj ka pasur një reflektim nga Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, i cili përsëri në disa elementë është vlerësuar i domosdoshëm për t’u plotësuar më tej edhe ky është një proces që vazhdon”.

Pra keni kërkuar informacione të tjera përveç informacioneve të para?
“Po, patjetër. E theksoj edhe një herë për të gjithë ata që nuk kuptojnë dhe thonë gjëra të tipit “çfarë është kjo, Presidenti ka prapë mundësi pasi të bëhet marrëveshja ta bllokojë, të mos e firmosë, etj”. Jo vetëm që është detyra ime, sepse nuk ka detyrë më të rëndësishme se sa të respektoj Kushtetutën, sidomos kur ajo flet qartë se çfarë duhet të bëjë Presidenti dhe në këtë rast vendimi i Gjykatës Kushtetuese për herë të parë i ka elaboruar qartë përgjegjësitë e Presidentit sa i takon traktateve shtetërore. Jo marrëveshjet mes dy qeverive, por traktateve shtetërore. Së dyti, duhet të kemi parasysh se edhe një element formal i këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese, që është vetëm për këtë çështje dhe vetëm për çështjen me Greqinë, do të mjaftonte edhe një mosrespektim nga ana formale kushtetuese e këtyre kërkesave që nesër, edhe sikur të ishte një përmbajtje shumë e mirë, një grupim të ankohej përsëri në Gjykatës Kushtetuese dhe kjo të rrëzohej qoftë edhe për shkelje formale apo procedurale. Prandaj është detyrë e Presidentit dhe e Institucionit të Presidentit për të bashkëpunuar dhe për të ndihmuar, që ky proces të ecë jo vetëm në shina kushtetuese por edhe ana përmbajtësore sa më sukses, sepse vetëm një proces që përmbyllet me sukses i shërben qëllimeve të tij dhe forcimit të marrëdhënieve me Greqinë”.

Një ditë më parë ka mbërritur në zyrën tuaj lista me emrat e 12 negociatorët shqiptarë që do të ulet përballë palës greke. Një prej tyre Artur Meçollari është akuzuar fort për pastërtinë e figurës së tij. Berisha e akuzon si spiun. Çfarë do të bëni me emrin e tij?
“Lidhur me çështjen e negociatorëve, unë vlerësoj që integriteti i tyre, njohuritë e tyre, personaliteti i tyre është mjaft i rëndësishëm. Edhe për një arsye tjetër, pasi Gjykata Kushtetuese kur ka folur për metodologjinë ka theksuar rëndësinë e ndjekjes së një metodologjie, e cila bën fjalë për korrektime apo për përshtatje të cilat e rrisin shumë rolin e negociatorëve në këtë marrëveshje, pra rëndësinë e aftësive të tyre rëndësinë edhe të integritetit të tyre. Për sa u takon emrave të tyre, unë nuk kam asnjë arsye. Shtypi natyrisht mund t’i komentojë, mund të jepen mendime të ndryshme. Unë si President jam i detyruar të kërkoj informacione sqarime nga institucionet përkatëse, pra nuk mund të komentoj në bazë të komenteve të raporteve të ndryshme politike. Për sa i takon rastit konkret, nuk mund të them se kam ndonjë informacion përveç atyre qëndrimeve të ndryshme që ju keni lexuar në media, por elementi më pozitiv për personin konkret është letra që kam lexuar që z. Meçollari i kishte dërguar ish-Prokurorit të Përgjithshëm, z. Llalla kur ky i fundit ishte në këtë detyrë, ku ai protestonte për mbylljen e çështjes penale ndaj ekipit negociator që kishte negociuar për marrëveshjen e viti 2009, duke dhënë shumë argumente dhe shumë fakte sipas tij, një pjesë e të cilave ishin vërtetë shumë interesante e që i ngarkonin normalisht me përgjegjësi negociatorët, me përgjegjësi ligjore, me përgjegjësi penale e që sipas tij Prokuroria në mënyrë jo të drejtë e kishte mbyllur këtë çështje. Në këtë aspekt, unë nuk mund bëj gjykatësin nëse ka të drejtë apo jo, por tregon që ka një ndjeshmëri ka një përgjegjshmëri për integritetin që këta negociatorë duhet apo do të duhet të kenë gjithmonë kur përfaqësojnë interesat e shtetit”.

Ish-ministri zoti Imami thotë se dokumentet për Meçollarin janë kopromentuese dhe se ai fitoi gjyqin kur në pushtet ishin socialistët, se vetë Ministria e Mbrojtjes nuk nxori dokumentet me qëllim që Meçollari mos shpallej fajtor.
“Nuk mund të japë përgjigje për fakte për të cilat nuk jam në dijeni nga ana institucionale. Ne kemi kërkuar informacione tek institucionet përkatëse, presim informacionet e tyre”.

Pse do të vinte në zyrën tuaj një emër që gjithsesi është lakuar, survejuar nga institucionet ligj-zbatuese, i dyshuar për “spiun i agjencive të huaja”. A mund ta zëvendësoni me një person që nuk i ka këto precedentë?
“Unë mendoj që kjo është një çështje që nuk zgjidhet këtu. Është një proces dhe unë do të bëj gjithçka që në këtë proces të ecim në respekt të Kushtetutës sonë dhe në mënyrë të veçantë vendimit të Gjykatës Kushtetuese që e kam thënë ‘është një vijë e kuqe’. Së dyti, të kemi një ekip negociator me një integritet sa më të lartë që merr përgjegjësi shumë më të mëdha këtë radhë, ndoshta dhe më të mëdha se sa herën e parë dhe për shkak të një një metode që është sugjeruar nga Gjykata Kushtetuese”. 

A keni informacione nga Shërbimet Inteligjente shqiptare rreth përputhshmërisë së këtij personi me procesin?
“Ne kemi dërguar kërkesa në disa institucione për të gjithë negociatorët, pa përjashtime, për ndonjë ndoshta duke kërkuar dhe informacione më të veçanta, por nuk mund të them asgjë pa i pa i marrë dhe pa i verifikuar dhe këto informacione”. 

Ky person me këtë hije dyshimi të pavërtetuara sigurisht, po flasim çka është thënë deri tani, ka qenë prezent në takimet me Kocias, në Korçë. A është normale kjo?
“Jo vetëm në Korçë, por ka qenë dhe në një takim në vitin 2014 dhe Ministria e Jashtme nuk është se e ka fshehur këtë fakt. Kjo mbetet për t’u vlerësuar. Nuk besoj se kanë zhvilluar negociata teknike, sepse do të ishte një shkelje e rëndë e Kushtetutës, aq më tepër që zotëria është ushtarak”. 

A cenohet integriteti i tij qoftë dhe nga sa është thënë deri tani për të qenë pjesëmarrës në këtë grup negociatorësh?
“Për faktin se ka qenë në Korçë apo ka qenë në takime të mëparshme me Ministrin e Jashtëm, kjo varet nga arsyeja për sa ka qenë takimi. Nëse ka qenë për negociatat, kjo është një gjë shumë e rëndë, por nuk e besoj që kjo gjë mund të ketë ndodhur. Për fakte për të cilat pretendojnë ish-Ministri i Mbrojtjes, apo ish-Drejtori i SHIU-t apo zoti Berisha, këto mbeten për t’u verifikuar në rrugë institucionale”.

Nëse kanë qenë për negociata, thatë që është një fakt i rëndë.
“Nuk e besoj këtë gjë, sepse s’ka se si të jetë”. 

Por për çfarë tjetër do të ishte?
“Mund të jetë për të diskutuar për çështje të ndryshme të mbrojtjes. Nuk është e thënë që duhet të diskutojnë patjetër për koordinata konkrete, sepse nuk mundet, nuk ka pasur një delegim të këtij negocimi”.

Përkundrejt pretendimeve të ish-zyrtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe opozitës ‘Meçollari është i pajisur me Certifikatë Sigurie nga DSIK dhe NATO. E bën ky fakt të panevojshëm debatin për Meçollarin?
“Nuk mund të konkludojë asgjë sot, sepse ne kemi dërguar kërkesa në disa institucione. Presim nga të gjitha institucionet për të dymbëdhjetë negociatorët dhe të gjithë ata që do të vlerësohen që janë të domosdoshëm në këtë proces. Natyrisht që është një gjë e parakohshme për t’u shprehur për mua sot”.

Pretendimet e opozitës dhe medias për figurën e disa nga negociatorët, por dhe kërkesa nga ana tjetër e qeverisë për miratimin e listës dhe plotëfuqinë, a e ka vënë Ilir Metën midis dy zjarreve?
“Absolutisht! Dikush mund të mendojë që jam në një situatë shumë të vështirë, por në fakt unë jam në një situatë tepër komode falë vendimit të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje. Vendimi i Gjykatë Kushtetuese përcakton shumë qartë se çfarë duhet të bëjë Presidenti dhe të gjitha institucionet hap pas hapi në gjithë këtë proces. Kështu që, në këtë drejtim jam komod. Kuptoj, opozita ka një qëndrim tjetër. Qëndrimi i opozitës është që kjo çështje të shkojë në Gjykatën Ndërkombëtare ku sipas saj mund të bëhet ndarja më e drejtë. Qeveria ka mendimin tjetër, që kjo çështje mund të zgjidhet me një marrëveshje të re. Unë e respektoj vullnetin e qeverisë. E rëndësishme është të përmbushen të gjitha kërkesat e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Unë besoj se do të përmbushen”.
A do ta miratoni këtë listë negociatorësh zoti President?
“Nuk kam synim, apo paragjykim ndaj listës. Lista është një kërkesë, një domosdoshmëri për vet rëndësinë e një marrëveshjeje të tillë shtetërore sepse dhe autorizimi dhe plotfuqia janë delegim besimi në emër të shtetit dhe unë shpresoj që ne do të kemi listën më të mirë dhe unë jam bashkëpunues për këtë proces. Nuk kam paragjykime pavarësisht se të gjithë ndikohemi nga opinionet që dëgjojmë. Në fund fare do veproj në mënyrë institucionale dhe t’u referohem institucioneve”.

Si i komentoni negociatat e deritanishme midis ministrave të jashtëm dhe ekipeve të tyre?
“Negociatat përse? Negociata për detin s’ka pasur”.

A keni informacion ekstra Ju si President i Republikës së Shqipërisë se çfarë është negociuar, çfarë është biseduar në takime?
“Nuk mund të them se kam ndonjë informacion të jashtëzakonshmëm. Kemi disa informacione nga komunikimi i fundit i Ministrisë së Jashtme. Kemi kërkuar disa plotësime, disa saktësime të tjera. Nuk është më e rëndësishme çështja e informacionit kur flasim për problemin e autorizimit, problemin e plotfuqisë, problemin e negociatave. Këtu çështja themelore dhe vendimtare është plotësimi i gjithë detyrimeve që përcakton vendimi i Gjykatës Kushtetuese hap pas hapi për titullin, për objektin, për metodologjinë dhe për gjithë elementet e tjera më të rëndësishme që garantojnë kurorëzimin me sukses nga pikëpamja kushtetuese të negociatave”.

A jeni në kontakt me Ministrinë e Jashtme dhe si e kanë pritur ata qëndrimin për mos-dhënien e plotëfuqishmërisë?
“Do të doja të korrektoja vlerësimin tuaj. Nuk kemi të bëjmë me mos-dhënie, as shtyrje nuk është sepse mendoj ne jemi përpjekur të reagojmë apo t’i përgjigjemi Ministrisë në kohën më të shpejtë të mundshme. Kemi të bëjmë me përpjekjen tonë për të bashkëpunuar, për të qenë sa më korrektë dhe sa më seriozë në përmbushjen e këtij detyrimi. Ua thashë dhe jam i detyruar t’ua përsëris. Edhe një element i vetëm formal të mos respektohet nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje, do të mjaftonte që nesër një marrëveshje sado e mirë, sado e drejtë të realizohet, të atakojë Gjykatën Kushtetuese dhe të kishte një fat ndoshta jo të mirë. Nuk do të ishte e mirë as për ne dhe nuk do të ishte e mirë as për partnerët tanë, për Greqinë”.

Çfarë duhet të bëjë qeveria shqiptare që ju të jepni plotfuqishmërinë, autorizimin apo le ta quajmë si të duam?
“Do të vazhdojmë këtë proces bashkëpunimi në mënyrë që çdo gjë të ecë në shinat kushtetuese, sepse edhe qeveria është e interesuar që jo vetëm produkti të jetë i mirë, por edhe marrëveshja të jetë solide dhe e pacenueshme apo jo. Kjo është interes i përbashkët”.

Kryeministri i Greqisë Cipras ka parashikuar një vizitë në muajin prill në Korçë me rastin e Pashkëve ortodokse. A është e mundur që kjo marrëveshje të nënshkruhet para vizitës së tij?
“Nuk mund të komentoj synimet të bëra mediatike nga burime zyrtare, jo zyrtare. Kjo marrëveshje po të jetë nga ana kushtetuese solide në respekt të vendimit të Gjykatës dhe e drejtë për të dyja vendet, le të firmoset që sot. Nuk ka përse të firmoset as në prill dhe as në maj. Por është tepër e rëndësishme që çdo gjë të bëhet në mënyrën më të pjekur dhe të mos jemi në një situatë të padëshirueshme për të gjithë”.

Jo vetëm Kushtetuese, siç thoni ju…
“Por po nuk qe kushtetuese ajo…, nuk funksionon, nuk ekziston. Dhe është detyra ime”.

Përse ju këmbëngulni kaq shumë në respektimin strikt të pikave të vendimit të Gjykatës Kushtetuese?
“Sepse është detyra ime. Sepse unë mbaj përgjegjësi edhe ligjore nesër për mosrespektimin e këtyre kërkesave, përveç se mbaj edhe përgjegjësi politike. Nesër mund të thonë që ja edhe Presidenti ka përgjegjësinë e vet, sepse nuk u respektua kjo pikë e vendimit të Gjykatës, ajo pikë e kështu me radhë”.

Por duket nga njëra anë sikur ju po doni ta zvarrisni këtë proces zoti President, aq më tepër që Cipras vjen për Pashkë.
“Unë dua që këtë proces ta blindoj. Nga pikëpamja kushtetuese, por edhe nga përmbajtja sepse mendoj se këto janë të dyja të lidhura bashkë, kaq!”

Ta blindoj?
“Dhe unë këtu kam qenë që nga 24 korriku në rast se ka pasur mundësi që kjo gjë të bëhej më përpara. Veprimet e Presidencës dhe të Presidentit kanë qenë më të shpejtat e mundshme”.

Ka mungesë aftësie në leximin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese?
“Për mua është e rëndësishme të ecim sa më shpejt për ta blinduar këtë marrëveshje nga ana kushtetuese dhe nga ana përmbajtësore. Të jetë një sukses për Shqipërinë, për Greqinë, për të gjithë. Kaq!”
Sigal