Ilir Meta: Mbështetemi tek përkrahja e Gjermanisë

450
Sigal

Në kuadër të një vizite pune në Gjermani, Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta u prit dje nga Presidenti i Bundestagut Prof. Norbert Lammert, me të cilin diskutuan rreth marrëdhënieve dypalëshe Shqipëri – Gjermani, ecurisë së integrimit europian të Shqipërisë dhe zhvillimeve në rajon. Presidenti i Bundestagut Prof. Lammert, duke vlerësuar mbarëvajtjen demokratike të zgjedhjeve të përgjithshme të 23 Qershorit, shprehu bindjen se Shqipëria e ka vendin në Evropë dhe për këtë nevojitet një perspektivë e qartë për vendin. Kryetari i Kuvendit z. Meta shprehu kënaqësinë për vizitën në Berlin, duke vënë në dukje rëndësinë e madhe që Gjermania përfaqëson për Shqipërinë dhe shqiptarët. Z. Meta theksoi se, Shqipëria mbështetet fort tek përkrahja e Gjermanisë, si në planin dypalësh, ashtu edhe në drejtim të integrimit europian.

Kryetari i Kuvendit z. Meta nënvizoi se, votimi me konsensus të plotë i Rezolutës për Integrimin Europian në Kuvendin e Shqipërisë gjatë javës së kaluar, është shenjë e qëndrimit të përbashkët të palëve politike në mbështetje të rekomandimit të Komisionit Europian për miratimin e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Duke diskutuar mbi ecurinë e reformave në vend, z. Meta theksoi se, Qeveria e re po tregon vullnet të plotë duke ndërmarrë një sërë hapash të rëndësishëm në drejtim të forcimit të sundimit të ligjit në vend, sidomos në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Në këtë drejtim, z.Meta vuri në dukje se pas votimit konsensual të 3 ligjeve, zhvillimit të zgjedhjeve të lira e demokratike në qershor, dhe veçanërisht pas rekomandimit pozitiv të Komisionit, miratimi i statusit kandidat për Shqipërinë do të jepte një mesazh pozitiv vlerësimi, jo vetëm për shqiptaret, por edhe për perspektivën europiane të të gjithë Ballkanit Perëndimor. Prof. Lammert dhe z.Meta diskutuan gjithashtu, edhe mbi zhvillimet e fundit në rajon, duke ndarë bindjen se, Shqipëria ka një peshë dhe rol të veçantë, të cilin e ushtron me konstruktivitet dhe përgjegjësi.

Z. Meta theksoi se: “Shqipëria luan një rol pozitiv, dhe do vazhdojë ta rrisë këtë rol të rëndësishëm për forcimin e stabilitetit të Ballkanit Perëndimor”.

Presidenti i Bundestagut Prof. Norbert Lammert dhe Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë z. Ilir Meta ranë dakord për të intensifikuar më tej marrëdhëniet midis dy parlamenteve në të ardhmen.