Ilir Meta-Drejtuesve të kompanisë kineze: Shikoni me interes ndërtimin e hekurudhës që lidh Shqipërinë me Maqedoninë

535
Sigal

Gazeta Telegraf/


Kryetari i Kuvendit z.
Ilir Meta u prit në takim nga drejtuesit e kompanisë “Power Construction
Corporation of China”

 

Me ftesë të Presidentit të korporatës “Power
Construction Corporation of China”, z. Yan Zhiyong, Kryetari i Kuvendit të
Shqipërisë z. Ilir Meta, vizitoi zyrat qendrore të saj dhe pati një bashkëbisedim
me drejtuesit e kompanisë.

Në këtë takim z. Meta shoqërohej nga delegacioni i
Kuvendit të Shqipërisë dhe nga Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe
Administrimit të Ujërave, z. Edmond Panariti.

Gjatë prezantimit të aktivitetit të kompanisë, z. Yan
Zhiyong shprehu interesin për vazhdimin e investimeve në Shqipëri. Ai nënvizoi
se “Power Contruction” është e gatshme të vlerësojë projekte të tjera me interes
të përbashkët në Shqipëri.

“Përveç by-pass-it të Beratit, ne po
angazhohemi për ndërtimin e rrugës Thumanë-Vorë-Rrogozhinë”,- tha Z.
Zhiyomg.

Gjatë bashkëbisedimit, Kryetari i Kuvendit z. Ilir
Meta kërkoi nga korporata kineze që të shihet me shumë interes edhe ndërtimi i
hekurudhës që lidh Shqipërinë me Maqedoninë, projekt me interes edhe në
kuadër të Korridorit të 8-të.

Më tej, z. Meta u njoh me synimet e kësaj kompanie për
të investuar në Shqipëri ku u shpreh se Kina ka qenë për dy dekada në Shqipëri
kur janë bërë investimet më të mëdha në sistemin hidroenergjetik dhe u krijua
një elitë e tërë drejtuese dhe të inxhiniereve që mund të shërbejë për bashkëpunimet
e mëtejshme ndërmjet dy vendeve.

“Ne mirëpresim edhe investime jo vetëm në infrastrukturë,
por edhe në bujqësi, turizëm, ku mundësitë janë të mëdha”,- theksoi ndër të
tjera z. Meta.

Ndërsa Ministri i Bujqësisë z. Edmond Panariti kërkoi
mbështetjen nga pala Kineze për ndërtimin e kanaleve kulluese në kuadër të
projektit të menaxhimit të ujërave si shfrytëzimin e mundësive alternative
të energjisë si ajo e diellit dhe e erës, si një mundësi e pa shfrytëzuar dhe
fitimprurës për palën Kineze.

Pas këtyre diskutimeve, përfaqësuesit e kompanisë “Power
Construction Corporation” vendosën të dërgojnë një grup pune në Shqipëri për të
vlerësuar në terren propozimet e bëra nga ana e delegacionit shqiptar.

“Power Construction Corporation” është një nga
korporatat më të mëdha kineze me prezencë në të gjithë botën, që zotëron një
kapital shtetërore dhe privat.