INTERVISTA/ Arian Starova: Ndërkombëtarët nuk besojnë se Ministria e Brendshme lejoi hashashin pa dijeninë e kreut të qeverisë

636
Jakup B. GJOÇA

Krimi i lidhur me politikën pengon hapjen e negociatave
Sado të bëjë alibi Kryeministri, ai nuk mund ta shmangë kriterin konkret të ndërkombëtarëve për qëndrimin ndaj njerëzve konkretë të politikës. Por, siç e dinë të gjithë, askush nuk mund të besojë se një veprimtari kriminale, aq e gjerë e një ministri të brendshëm të mund të jetë bërë pa dijeninë e kryeministrit tonë… 
Arian Starova, Kryetari i Partisë Bashkimi Liberal Demokratik në intervistën për gazetën “Telegraf” , thotë se kryeministri Rama, jo vetëm që nuk ka bërë detyrat e integrimit, por ai ka një pengesë të madhe: “ndëshkimin konkret dhe me emra të krimit të lidhur me politikën”. Sipas zotit Starova, asnjë veprimtari kriminale nuk është bërë pa dijeninë e kryeministrit tonë. Dhe, cilido tjetër kryeministër të ishte në vend të Ramës, duhet të kishte dhënë dorëheqjen, sepse qëndrimi i Ramës ndaj ndërkombëtarëve dëmton Shqipërinë. 
– Zoti Starova, pse kryeministri Rama zgjodhi përplasje frontale me ata deputetë gjermanë, që deklaruan se është ende herët për hapjen e negociatave? 
– Besoj se nuk është hera e parë se përse Kryeministri ynë zgjedh këtë mënyrë kundërpërgjigjeje, pra nuk është më diçka e re, ideja që qëndron pas pyetjes tuaj. 

Sipas tij, Shqipëria i ka plotësuar të gjithë kriteret e çeljes së bisedimeve për anëtarësim, kurse sipas meje ka një pengesë të lartë përpara: Ndëshkimin konkret dhe me emra të krimit të lidhur me politikën. Natyrisht, këtë kryeministri ynë nuk e bën dot, por jo sepse respekton paanësinë e sistemit të drejtësisë. Reforma në drejtësi është bërë në emër të paanësisë dhe ndershmërisë së gjyqësorit, kurse në rastin e Shqipërisë, së fundi, duket se ajo ka rënë kundërthënie me vetveten, sepse po e nxit politikën të ndërhyjë në gjyqësor për favore ndaj politikanëve të caktuar, në këtë rast për mbrojtje të tyre… 

Mua më ka lënë mbresë një fakt që ka sjellë kundër-qëndrime të fortë politikë, porse nuk ka marrë komente të drejtpërdrejtë për aq sa kam parë unë. Ditën, kur u mësua lajmi i çeljes së bisedimeve me BE-në, Saimir Tahiri, i akuzuari kryesor për veprimtarinë e kultivimit dhe trafikimit të drogës në Shqipëri, shkon në Kuvend, çka për mua ishte si një mesazh i rremë se gjoja ndërkombëtarët nuk e fajësojnë atë dhe nuk e lidhin me problemet e anëtarësimit në BE. 

Sado të bëjë alibi Kryeministri, ai nuk mund ta shmangë kriterin konkret të ndërkombëtarëve për qëndrimin ndaj njerëzve konkretë të politikës. Por, siç e dinë të gjithë, askush nuk mund të besojë se një veprimtari kriminale, aq e gjerë e një ministri të brendshëm të mund të jetë bërë pa dijeninë e kryeministrit tonë…?! 

– Kryeministri Rama ndaj Brukselit luajti fort kartën e rrezikut të ndikimit rus në Ballkan, apo qasjen me Turqinë. Sipas jush, ishte bllof politik ndaj Brukselit apo presion politik?
– Pyetje të tilla ndihmojnë për të krijuar idenë e rreme se kryeministri ynë mund të ushtrojë trysni politike ndaj ndërkombëtarëve. Ai ka mbetur “në rrjetën” e shpërdorimit të pushtetit për trafiqe të paligjshëm dhe kur je “në rrjetë” nuk bën dot trysni ndaj kujtdo. Të gjitha fjalët e tij, madje fjalimet dhe fjalëzimet e pambarueshme parazgjedhore dhe paszgjedhore në lidhje me ndëshkimin e krimit dhe politikanëve të lidhur me të kanë kaluar drejt koshit të plehrave dhe njerëzit, të vetët dhe të opozitës, janë të zhgënjyer thellë. Halli tjetër i madh i kryeministrit tonë është hendeku që vazhdon të thellohet midis politikave të tij taksuese tejet rënduese ndaj njerëzve dhe shpenzimit të parave të taksapaguesve për gjëra të dorës së dytë si stadiume, sheshe, pyllëzime, rrugë të biçikletave, ndriçime të reja, etj., etj., gjëra jo parësore për shqiptarët. Të gjithë e dimë se edhe ato çka ai ka bërë janë gjëra që nevojiten, por në një vend me shumë probleme ka përparësi të tjera. Ditët e fundit, duket sikur kryeministri e ka kuptuar këtë gjë, por tani është vonë. 

– A është nervozizëm, ngutje e kryeministrit Rama që publikisht të përgënjeshtrojë deputetin gjerman me një gjuhë jo kaq komode për një kryeministër? Apo mendoni se ka objektiv të caktuar kjo sjellje nga Kryeministri Rama? Nga përvoja juaj diplomatike, sa i pranueshëm është në sallonet dhe tryezat e negociatave të Brukselit një kryeministër që sillet e vepron publikisht sikurse Kryeministri Rama në Berlin dhe në Rinas?
– Për mua është, thjesht, një kundërqëndrim i njohur i një njeriu të shqetësuar. Nuk mendoj, siç ka edhe njerëz që e mendojnë këtë, se ai në të vërtetë nuk e do hapjen e bisedimeve zyrtarë me BE-në. Nëse ai do të mendonte këtë, kjo mund të quhej edhe si tregues i përpjekjeve të fshehura të nxjerrjes së vendit, dikur, edhe prej NATO-s. Megjithatë, unë nuk i besoj arsyetimet, sipas të cilave, Rama nuk e do integrimin evropian. Sjellja e kryeministrit tonë jashtë vendit mund të ishte edhe e ndryshme, por kjo duhet të na shqetësojë më shumë ne që e kemi përfaqësues të Shqipërisë, por sa për politikanët e huaj, atyre aq u bën dhe, me siguri, me vete thonë “lere të vazhdojë me mendjen e vet se nuk ia vlen të merremi me komente rreth saj”. 

– Mendoni se te sjellja e kryeministrit Rama në Berlin ndikuan për keq nervozizmi dhe ankthi politik për hapjen e negociatave, apo është taktika e zgjedhur politike e Ramës?
– E theksoj edhe njëherë, nuk është sjellja që ndikon, por qëndrimi ndaj detyrimeve që ka Shqipëria përpara anëtarësimit në BE. Ankthi, ose makthi si të doni mund ta quani lidhet me ngushtimin e hapësirës së veprimit të kryeministrit tonë. Dhe ju e dini mirë, ashtu si të gjithë se ai nuk e do dështimin, madje e urren atë, porse ai po i afrohet çdo ditë me shpejtësi. Suksesi i tij varet nga qëndrimi politik ndaj krimit të lidhur me politikën. Thuhet se kërkon të bëjë zgjedhje të parakohshme, me shpresën që të largohet “vetë”, sepse, që të dënojë politikisht krimin, duhet të dënojë edhe veten. Kryeministra të tjerë evropianë, në rrethana të tilla do ta kishin dhënë tashmë dorëheqjen. 

-Sipas jush, zoti Starova, cilat mund të jenë pasojat për Shqipërinë e qëndrimeve dhe sjelljes të kryeministrit Rama në Berlin? 
– Shqipërisë, gjithsesi në çdo rast i bëhet mirë, sepse nuk vlen të shkosh drejt Evropës së institucionalizuar me mendësinë e vjedhësit dhe të të korruptuarit. Edhe shqiptarët do të kenë mundësi të mendojnë se nevojiten zgjedhje të parakohshme dhe për të zgjedhur më në fund dikë që të mendojë vërtet për ata, të cilëve duhet t’u shërbejë, për të gjithë qytetarët dhe interesat e tyre.

– Ju si mendoni: Mund të jetë i mjaftueshëm vetëm arrestimi i ish-ministrit Tahiri që BE-ja të hapë negociatat dhe, më vonë të kryhen reformat, apo në prapaskenë tashmë Brukseli kërkon dorëheqjen e Kryeministrit Rama?
– Besoj se idetë rreth kësaj pyetjeje ua thashë në përgjigjet e mësipërme. Nuk bëhet fjalë vetëm për një ish-ministër, por për njerëz të kriminalizuar të politikës, të cilët kanë kryer shpërdorime për shumë vjet dhe i kanë materializuar ato në pasuri të grabitura dhe shkelje të të drejtave të thuajse të gjithë qytetarëve shqiptarë, duke nisur që prej asaj të drejte që është themelore si ajo e pronës. Ky është një problem gjigant, prandaj atë edhe nuk mund ta zgjidhë as opozita e tanishme, e cila, në njëfarë mënyre, është edhe pjesë e problemit, por vetëm një forcë, apo grupim i ri politik i mbështetur në ide dhe program të qartë të veprimit. 
Sigal