Ilir Meta betohet si President i Shqipërisë

524
Ilir Meta betohet si president i Shqipërisë: Do t’i shërbejë frymës së bashkëpunimit
Me një ceremoni madhështore, të përgatitur me detaje, Ilir Meta duke prekur Kushtetutën e vendit, u betua para deputetëve të pranishëm në sallën e Kuvendit
Ilir Meta mori dje zyrtarisht detyrën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Ai mbërriti në orën 18:02 në parlament, i shoqëruar edhe nga Valentina Leskaj, ku përshëndetën të pranishmit. Seanca u drejtua nga nënkryetarja e Parlamentit Valentina Leskaj, e cila lexoi dhe formulën e betimit, pas të cilës Ilir Meta tha “Betohem”, e do të marr zyrtarisht detyrën. Në ceremoninë e betimit në Parlament ishin të pranishëm dhe deputetët e opozitës si dhe kryeministri Rama. Pas betimit Meta ka mbajtur edhe një fjalë përpara të pranishmëve në Kuvend. Në fjalën përpara deputetëve dhe familjarëve të tij si bashkëshortja Monika Kryemadhi, dy vajzat dhe djali, Meta u shpreh se do ushtrojë detyrën e Presidentit në përputhje me Kushtetutën, ndërsa u zotua si garant i zbatimit të reformës në drejtësi dhe avancimit të reformave kushtetuese.”Sot kam nderin e veçantë t’ju përshëndes përzemërsisht dhe me ndjenjën më të madhe të përgjegjësisë Kushtetuese e qytetare, në cilësinë e detyrës më të lartë të Shtetit, në atë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Në këtë funksion, Presidenti i ri tha se do punojë në funksion të bashkëpunimit maxhorancë-opozitë në Kuvend për realizimin e detyrave të mëdha kushtetuese. “Reformat e qëndrueshme me rëndësi kombëtare, në funksion të forcimit të institucioneve dhe konsolidimit të pavarësisë së tyre, nuk mund të jenë produkt vetëm i një mazhorance, por i një sipërmarrjeje kolektive kombëtare, ku roli i opozitës është i pazëvendësueshëm dhe i domosdoshëm”. Meta iu referua edhe seancës së 28 prillit, kur u votua në Kuvend si president i ardhshëm. Meta tha se vendosi të kandidojë me mendje, por jo me zemër, ndërsa betimin si kryetar shteti e bën plotësisht me zemër. “Më 28 prill vendosa të kandidoja për President më shumë me mendje sesa me zemër sepse opozita nuk ishte këtu. Vetëm Demokracia mund të më jepte mua mundësinë që të shërbeja edhe si Kryeministër, Kryetar Kuvendi e nga sot si President i Republikës.

Ndaj me ndjenjën e mirënjohjes për ju e për të gjithë shqiptarët kudo ku jetojnë të cilët presin më shumë nga ne, dua t’ju siguroj se për Presidentin e ri, Shqipëria dhe Demokracia do të jenë gjithnjë të Parat”, deklaroi presidenti i ri Ilir Meta në seancën e betimit të tij. Në përfundim të fjalimit, Meta pati një shkëmbim duarsh me ish-kryetarin e PD, Sali Berisha, por jo me kryeministrin Edi Rama. Kreu i qeverisë mbërriti në seancën e Kuvendit rreth 6 minuta me vonesë. Ndonëse s’ishte e pranishme në zgjedhjen e Ilir Metës President, opozita mori pjesë në ceremoninë e betimit. Të pranishëm në seancë ishin edhe përfaqësues të trupit diplomatik si ambasadori i SHBA, Donald Lu dhe ajo e BE, Romana Vlahutin si dhe krerë të tjerë të institucioneve.

Ceremonia në Presidencë
Pas përfundimit të ceremonisë së betimit në Kuvendin e Shqipërisë, Meta u nis për në Presidencë, atje ku pasi shkëmbeu mesazhe falënderimi me ish-Presidentin Bujar Nishani, mbajti një fjalim të shkurtër. Ilir Meta ka mbërritur në Presidencë ku ka takuar edhe paraardhësin e tij, Bujar Nishani. Takimi është zhvilluar në zyrën e presidentit, ku Nishani i ka dorëzuar Metës edhe zyrtarisht detyrën.
Më pas të dy, Presidenti në ikje Bujar Nishani dhe Presidenti i ri, Ilir Meta mbajtën edhe ceremoninë publike të dorëzimit të detyrës. Ishte një ceremoni mjaftë elegante dhe e përgatitur me detaje. Jashtë institucionit të pranishëm kanë qenë një numër i konsiderueshëm personalitetesh. U organizua një festë . Tashmë Shqipëria ka një president të ri, Ilir Metën. Zyrtarisht ai u vendos në krye të shtetit dje, për katër vitet e ardhshme. Të pranishëm në ceremoninë e marrjes së detyrës nga Ilir Meta, ishin edhe përfaqësues të medias. Ndërkohë urimet e të gjithë të pranishmëve, i kanë pritur tre fëmijët e Metës, dy vajzat dhe djali i tij. 

Ceremonia e betimit të Presidentit
Ceremonia e fillimit të detyrës së Presidentit të Republikës zhvillohet si një e tërë, e ndarë në dy momente kryesore, në sallën e Kuvendit dhe në Selinë e institucionit të Presidentit të Republikës.

Ditën e caktuar, në seancën e Kuvendit të Shqipërisë, përveç deputetëve, mund të marrin pjesë edhe të ftuar të tjerë të huaj dhe titullarët e përfaqësive diplomatike. Protokolli i Kuvendit drejton ceremoninë në sallën e Kuvendit.

Presidenti në detyrë, me familjen e tij, zë vend në lozhën nr.1, kurse në atë ngjitur vendoset familja e Presidentit të zgjedhur.
Sigal