Në një postim të tij në Facebook, Presidenti i Partisë së Lirisë (PL), Ilir Meta, shprehu falënderime për thirrjen e këshilltares bashkiake në Lushnjë, Katerina Bano, drejtuar banorëve lushnjarë që jetojnë në Tiranë, për ta mbështetur atë si deputet në këtë qark.
Meta theksoi komunikimin e vazhdueshëm me komunitetin lushnjar dhe kujtoi projektet e realizuara gjatë periudhës së tij si Kryeministër, si ndërtimi i urës mbi lumin Shkumbin dhe autostradës Rrogozhinë-Lushnjë, të cilat dhanë një impuls të madh për zhvillimin ekonomik dhe lidhjen e zonës me pjesët e tjera të Shqipërisë.
Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e fitores së 11 majit dhe shprehu angazhimin për të sjellë më shumë investime për zhvillimin e bujqësisë dhe turizmit në Lushnjë, duke u premtuar mbështetje të vazhdueshme këtij komuniteti të çmuar.
Postimi i plotë:
Jam shumë falenderues për thirrjen ndaj banorëve lushnjarë, që banojnë në Tiranë për të më votuar mua si deputet në këtë qark, thirrje që këshilltarja jonë bashkiake në Lushnjë, Katerina Bano, u ka bërë atyre.
Komuniteti lushnjar është një komunitet tepër i respektuar, me të cilin kam pasur një komunikim të vazhdueshëm për shumë vite.
Kujtoj me shumë kënaqësi qe si Kryeministër, inaugurova në qershor të vitit 2001, urën e madhe mbi lumin Shkumbin, që lidh Rrogozhinën me Lushnjën, si dhe autostradën Rrogozhinë Lushnjë, që i dha nje frymëmarrje të jashtëzakonshme ekonomisë dhe komunikimit të kësaj zone aq të begatë bujqësore me pjesët e tjera të vendit.
Fitorja e 11 Majit, do të krijojë të gjitha hapësirat për investime të tjera madhore dhe për ti dhënë një zhvillim shumë të madh veçanërisht bujqësisë dhe potencialeve turistike të zonës dhe unë ashtu si gjithmonë, do të jem një mbështetës i vendosur i komunitetit lushnjar, që këto investime të çohen deri në fund.
VOTO NR.1 – Koalicioni “PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore”
VOTO ILIR METAJ – Qarku Tiranë