Mbi 50 emigrantë shqiptarë që jetojnë në rajonin e Toskanës (Pizë, Lukë dhe Firence) raportojnë probleme me marrjen dhe dorëzimin e zarfeve të votimit.
Ata denoncojnë se, pavarësisht dakordësisë me postën ‘DHL’ për tërheqjen e zarfeve të plotësuara, operatorët nuk kanë respektuar datat dhe oraret e përcaktuara. Qytetarët janë përpjekur prej ditësh të kontaktojnë numrat që u janë dërguar nga ‘DHL’, por marrin vetëm përgjigje automatike, pa mundësi komunikimi real.
Në disa zona, emigrantët janë detyruar të kërkojnë vetë pikat më të afërta të postës, por ata që jetojnë në zona të thella nuk kanë mundësi për ta bërë këtë. Ka edhe raste ku, edhe pse janë njoftuar për dorëzimin e zarfeve, posta nuk ka mbërritur dhe qytetarët janë ende në pritje. Shqetësimi kryesor i emigrantëve është se, për shkak të këtyre vonesave dhe mungesës së komunikimit, rrezikojnë të mos e ushtrojnë dot të drejtën për të votuar në zgjedhjet e 11 majit.