Huffington Post/ Keqqeverisja, origjina e dramës në Shqipëri

276
“Shqipëria duhet të ndryshojë kursin e qeverisjes dhe udhëheqjes së saj për të ndryshuar rrjedhën e historisë”. Është ky përfundimi në të cilin ka dalë Jaime Pozuelo-Monfort, në një artikull të tijin në prestigjozen amerikane ‘Huffington Post’.
Një kritikë e mirëfilltë, që i drejtohet elitës politike shqiptare, nxjerr në pah dramën e keqqverisjes në Shqipëri, e cila sipas Jaime Pozuelo-Monfort vjen nga mungesa e aftësisë së elitave aktuale për të përshpejtuar ndryshimet në mënyrë që përmirësimi relativ të jetë i realizueshëm.
Ai po ashtu u bën thirrje shqiptarëve që me kurajo të ngrihen të largojnë klasën e politikanëve shqiptarë pasi “Republika më e bukur dhe miqësore e Evropës mund të arrijë ëndrrën, por jo me lojtarët aktual.”
Pjesë nga analiza e Jaime Pozuelo-Monfort
Qëkur shkova në Shqipëri të dielën e 30 Gushtit të këtij viti, kam takuar qindra nga personalitetet më të rëndësishme të vendit, duke përfshirë ministrat, zv/ministrat, anëtarët e Parlamentit, administratorët e bizneseve, rektorët, dekanët e pedagogët e Universiteteve, ambasadorë, konsuj nderi, kryetarë të komunave, konsuj nderi, gazetarë, aktorë etj.
Shumë prej tyre po kërkojnë mendimin tim se çfarë mendoj unë në lidhje me Republikën e vogël dhe dinamike në Ballkan. Diagnoza ime është brutale: Sistemi ka dështuar në Shqipëri. Në vitin 1991, Shqipëria la pas regjimin komunist të Enver Hoxhës. Ekonomia e tregut dhe demokracia kanë sjellë kaos dhe korrupsion në Republikën e re dhe demokratike.
Shqipëria sot është një vend që drejtohet nga partitë politike të politikanëve mediokër. Ka përjashtime, si gjithmonë. Një mungesë totale e meritokracisë inkurajon të gjithë që të thërrasin një mik apo të njohurit për të zënë një vend në administratën publike.
Shqipëria sot është bërë një vend ku korrupsioni është bërë i dukshëm në çdo nivel të shoqërisë, nga të varfërit deri tek të pasurit. Anëtarët e Parlamentit drejtojnë Universitetet private me diploma të dyshimta, që të rinjtë nuk do të jenë në gjendje t’i shfrytëzojnë jashtë shtetit.
Papunësia e të rinjve dhe një ekonomi informale sfidojnë shtetin për të rritur taksat. Institucionet ndërkombëtare vetëm përkeqësojnë skenarin dhe dëmtojnë shoqërinë shqiptare duke pranuar vlefshmërinë e përgjegjshmërisë së elitave aktuale. Çdokush që ka një interes në këtë sistem nuk mund të flasë. Kurse unë zgjedh të flas, sepse jam një i huaj që nuk kam asgjë për të humbur. Çuditërisht, shqiptarët vazhdojnë të duan ‘Mercedes-Benz’ dhe i-Phone.
Drama, orgjina e keqqeverisjes dhe korrupsioni do të shkatërrojnë një vend dhe një shoqëri që tashmë është konfuze dhe e lodhur. Shqipëria duhet të ndryshojë kursin e qeverisjes dhe udhëheqjes së saj për të ndryshuar rrjedhën e historisë. Vendi duhet të përqafojë bashkëpunimin ekstrem me fqinjët e saj, duke përfshirë Kosovën, por edhe Maqedoninë e Serbinë.
Protagonistët dhe intelektualët e vendit duhet të dëgjojnë thirrjen time dhe të bashkohen për të përqafuar ndryshimin radikal. Po flas me elitat shqiptare që mund të lexojnë analizën time. Shumë do të jenë të befasuar, të habitur nga qartësia dhe brutaliteti i fjalëve të mia. Mos u habitni. Jini gati. Këto nuk janë fjalët e mia. Këto fjalë, këto deklarata që po i bëj të qarta sot i takojnë gojëve dhe zyrave të personaliteteve më të rëndësishme të vendit.
Nuk ka vend për optimizëm. Situata është dramatike. Shqipëria duhet të ndryshojë kursin e rrugës së saj për të ndryshuar rrjedhën e historisë. Vendi mund të vazhdojë të lëvizë aq shpejt sa një vagon me avull ose të bëhet një tren Maglev. Të paralajmëruar, në të dy skenarët do të jemi duke ecur përpara me një perceptim të zhvillimit.
Elitave aktuale u mungon njohuria dhe teknologjia për të përshpejtuar ndryshimet në mënyrë që përmirësimi relativ të jetë i realizueshëm. Ka ende kohë për një rrugëtim të ri drejt një të ardhme më të mirë të mundshme. Ju duhet të jeni të guximshëm dhe trima. Republika më e bukur dhe më miqësore e Evropës mund të arrijë ëndrrën, por jo me lojtarët aktualë.