Hije të forta dyshimi mbi “ekipin negociator”

595
Në një shënim për marrëveshjen dhe bisedimet në Kretë dhe Korçë mes ministrave të Jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë, përkatësisht Bushati dhe Kocias, “syri.net” nënvizon se delegacioni i është mbajtur i fshehtë Presidentit të Republikës, Ilir Meta. Aty nënvizohet se një pjesë e pjesëtarëve të delegacionit shqiptar janë me integritet të dyshimtë. 

Nuk ka më asnjë dyshim që me porosi të Edi Ramës dhe në drejtimin e tij janë zhvilluar jo bisedime, por negociatat mes Ditmir Bushatit dhe Niko Kocias për marrëveshjen e detit. Por edhe për të hequr nga agjenda “çështjen e Çamërisë”. Kjo gjë konfirmohet qoftë nga media greke, qoftë nga qëndrimet e opozitës greke po ashtu edhe po t’i referohemi përbërjes së “ekipit negociator” të Ditmir Bushatit dhe fshehtësisë me të cilin ai është kompozuar. Por ajo që është po aq shqetësuese nuk është thjesht se Ditmir Bushati ka shkelur Kushtetutën dhe orientimet që rezultojnë nga Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për çështjen në fjalë, apo sepse ai ka ngritur një “ekip negociator të fshehtë” pa marrë plotfuqishmërinë nga Presidenti i Republikës Ilir Meta, por sepse “integriteti i ekipit negociator” është i dyshimtë për të mos thënë i dëmtuar rëndë. Këto janë prova dhe fakte shumë të rënda që ngarkojnë me përgjegjësi për “dhunim të Kushtetutës” Ditmir Bushatin. Në “ekipin negociator- të fshehtë dhe antikushtetues” bëjnë pjesë individë me “integritet të dyshimtë” dhe që janë përzgjedhur nga Rama për të ruajtur “sekretet e negocimit” brenda “barkut të Shënmërisë”, pra brenda një rrethi të ngushtë miqsh e shokësh me lidhje të forta nepotike, të largëta nga regjimi i vjetër, e ndoshta deri antishqiptare. Në ekipin e fshehtë të Ditmirit gjendet Artur Meçollari, i përjashtuar nga forcat detare si “spiun” i grekëve, gjë që nuk e ka kundërshtuar apo apeluar dhe që është rimarrë në detyrë pas ardhjes së Ramës në krye të vendit në 2013. Në ekipin e fshehtë ka qenë edhe ish-shefi i kabinetit të Ditmir Bushati, Pirro Vengu, me nënshtetësi greke, i cili u evidentua nga media si skandal, pasi u thirr nga paka greke për të kryer shërbimin ushtarak. Për më tepër ky personazh me integritet të dyshimtë, edhe për shkak se gjyshi i tij ka qenë zv/ministër i Enver Hoxhës, është marrë dhe vendosur në krye të Zyrës Antikorrupsion nga Edi Rama. Pra një individ me integritet të dyshimtë për të negociuar marrëveshjen me Greqinë, ndërkohë që ka nënshtetësinë greke pra përfaqëson interesat greke, por i besuar i Ditmirit dhe Ramës e me lidhje të hershme nga koha e regjimit komunist. Çuditërisht në ekipin e fshehtë negociator të Ditmir Bushatit bën pjesë edhe Qirjako Qirko, ambasador aktual i Shqipërisë në Britaninë e Madhe. Qirjako Qirko njihet si një personazh i “preferuar” nga pala greke, dhe për më tepër për momentin nuk ka asnjë pozicion që të justifikojë prezencën e tij në ekipin negociator. Por ajo që e bën të dyshimtë integritetin e Qirjako Qirkos është, jo vetëm se emri i tij i është mbajtur sekret Presidentit Meta, por për lidhjet me një histori të dyshimtë të familjes së tij. Ai jo vetëm që është një nga pinjollët me origjinë nga një prej familjeve më të fuqishme të nomeklaturës së lartë komuniste, por xhaxhai i tij ka qenë zëvendësministër i Enverit. Dhe për më tepër një zëvendësministër i përjashtuar po nga Enveri si “agjent i grekëve”, ndërkohë që familja e Qirjakos ka mundur të ruajë privilegjet gjatë regjimit komunist për shkak të besimit që kishte Enveri te pjesa e shëndoshë e familjes Qirko për shkak të lidhjeve të saj me majën e regjimit. Si përfundim në ekipin e fshehtë negociator dhe antikushtetues të Ditmir Bushatit, me porosi të Ramës janë përfshirë individë me integritet të dyshimtë për të zhvilluar negociata për një çështje kaq delikate. Kjo mesa duket është bërë e qëllimshme për të ruajtur sekretet në një rreth sa me të ngushtë individësh me lidhje nepotike e të largëta që nga koha e baballarëve drejtues në nomenklaturën e lartë komuniste. Por ky ekip plotëson edhe një kriter, është i preferuar apo i adhuruar edhe nga pala greke. Pyetja që shtrohet është për Presidentin: A mund të pranojë presidenti një ekip të përcaktuar në mënyrë të fshehtë. Dhe për më tepër me integritet të dyshimtë të disa prej anëtarëve të tij. Ky nuk është vetëm një veprim anti-kushtetues, por do kompromentonte rëndë edhe Presidentin.
Sigal