Oficeri i përjashtuar për spiunazh, pjesë e negociatorëve për paktin detar

413
Grupi i ekspertëve, pjesë e Ministrisë së Jashtme që po negocion marrëveshjen e detit me Greqinë, është i infektuar nga persona me integritet të ulët profesional. Rasti më konkret është i një prej ekspertëve kryesorë dhe i atij që është rekrutuar për të negociuar me palën greke marrëveshjen e detit. Bëhet fjalë për përfaqësuesin e Ministrisë së Mbrojtjes, ushtarakun Artur Meçollari, i cili shfaqet edhe në foton e shkrepur pas takimit të zhvilluar në Korçë ndërmjet ministrave të Jashtëm Ditmir Bushati dhe Niko Kocias. Ushtaraku Artur Meçollari është realisht një njohës i çështjeve të detit dhe për këtë ai ka botuar edhe një libër kushtuar incidentit të kanalit të Korfuzit. Por, jo njohuritë e tij mbi çështjet detare, sesa integriteti si ushtarak vihen në pikëpyetje sot, aq më tepër që ai është pjesë e grupit negociator për marrëveshjen e detit me Greqinë. Burime për “Fax News” bëjnë me dije se, në vitin 2012, Artur Meçollari, i cili në atë kohë mbante postin e zëvendëskomandantit të Flotës Detare me gradën kapiten i parë, është larguar nga detyra për spiunazh dhe për cenim të sigurisë kombëtare. Të njëjtat burime bën me dije për “Fax News” se, Meçollarit i është kumtuar vendimi i largimit nga zyrtarët e lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe, pasi është njohur me faktet ai ka pranuar vendimin dhe për këtë madje nuk ka bërë as rekurs në Gjykatë. Menjëherë pas ndryshimit të qeverive në vitin 2013, raportohet se Artur Meçollari është rikthyer sërish në radhët e Forcave të Armatosura si oficer detar në rrethana të paqarta. Dhe një nga arsyet se përse Presidenti i Republikës ka refuzuar të akordojë plotfuqishmërinë për negociimin e marrëveshjes së detit me Greqinë lidhet pikërisht me oficerin Artur Meçollari. Kjo për dy arsye. E para, sepse prania e Meçollarit në takimin e Korçës mes Bushatit dhe Kocias e me shumë gjasë edhe në atë të Kretës, tregon se qeveria ka negociuar me palën greke termat për marrëveshjen e detit, pa marrë më parë plotfuqishmërinë e Presidentit të Republikës. Dhe e dyta rrethanë, që ka të bëjë sërish me Artur Meçollarin, por kësaj here për informacionet që kanë mbërritur në tryezën e Presidentit të Republikës Ilir Meta për faktin që në vitin 2012, oficeri në fjalë është larguar nga Forcat e Armatosura, i faktuar për spiunazh.
Sigal