Hashashi “trullos” ministrin Tahiri: “Dhunuesit e kafshëve dënohen 3 vjet burg, të njerëzve me gjobë”

410
Sigal

Arjan ZADRIMA

 

Çudirat që shpikin dhe hedhin në veprim shtetarët e politikanët shqiptarë
nuk kanë fund, aq sa shpesh janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen edhe komik në sy
të botës, duke përfunduar si lëndë e parë për batuta, barcaleta e epitete ndaj
tyre. Një prej shtetarëve e politikanëve të lartë që ka shpikur një çudi të
tillë është edhe Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i cili thuhet se ka
shpikur dhe ka hartuar e ka paraqitur në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, një
ligj “rilindës” që u jep prioritet të drejtave të kafshëve, përpara të drejtave
të njerëzve. Projekt-Ligji “Tahiri”, ka lidhje me dhunën që ushtrohet ndaj
kafshëve në Shqipëri, të cilave ministri Tahiri u del në mbrojtje jo me fjalë
si shefat e “dhimbsur” të OJF-ve që përlajnë miliarda në emër të të drejtave
dhe lirive të kafshëve, por me ligj parlamenti, pra me shtesë në Kodit Penal. Që
ndaj kafshëve në Shqipëri ka dhunë, kjo tashmë dihet. Por që ka dhunë edhe me shumë
ndaj njerëzve edhe në mjediset e policisë, edhe ky është realitet. Mirëpo,
ministri Tahiri siç duket, në këto 3 vite si ministër i policisë së shtetit,
paska zhdukur dhunën ndaj njerëzve dhe i është futur reformës për të eliminuar
dhunën ndaj kafshëve. Këtë Projekt-Ligj, ministri Tahiri thotë se e ka hartuar dhe
kërkon ta bëjë pjesë të Kodit Penal, nisur prej denoncimeve të shumta edhe
filmike që bëhen në polici për dhunë ndaj kafshëve. Sipas projekt ligjit
Tahiri, më shumë dënohen ata që dhunojnë kafshët se sa ata që dhunojnë njerëzit,
madje dënohen edhe ata që shikojnë e nuk denoncojnë dhunën ndaj kafshëve. pa bërë
komente, po publikojmë të plotë Projekt-Ligjin që Ministri i Brendshëm Saimir
Tahiri, ka shpikur dhe ka çuar për miratim në parlament…

 

Ja përmbajtja e projektligjit:
Dhuna ndaj kafshëve me burg, dhuna ndaj njerëzve me gjobë

 

Neni 1

1. Braktisja e kafshëve përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga
10.000 lekë gjer në 30.000 lekë.

2. Kushdo që, pa arsye të ligjshme, plagos një kafshë, apo e nënshtron atë
ndaj veprimeve që sjellin vuajtjen e saj, dënohet me burgim nga 3 muaj gjer në
6 muaj.

3. Kur si pasojë e veprimeve të kryera në pikat 1 dhe 2 të këtij neni
shkaktohet ngordhja e kafshës, dënohet me burgim nga 6 muaj gjer në 12 muaj dhe
me gjobë nga 50.000 lekë gjer në 100.000 lekë.

 

Neni 2

 

1. Shfaqjet dhe konkurset e jashtëligjshme ku marrin pjesë kafshë, dënohen
me gjobë nga 20.000 deri në 50.000 lekë

2. Prodhimi, shpërndarja, shitja e botimi i imazheve të luftimeve ndërmjet
kafshëve, me çdo mjet ose formë, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohet me
gjobë deri në 200.000 lekë ose me burgim deri në 1 vjet.

3. Organizimi i luftimeve dhe veprimtarive të dhunshme me kafshët, dënohet
me burgim nga 1 vit gjer në 2 vjet dhe me gjobë nga 100.000 deri në 300.000
lekë.

4. Luftimi mes kafshëve që organizohet për qëllime përfitimi financiar
dënohet me burgim nga 1 vit gjer në 2 vjet dhe me gjobë nga 500.000 deri në
1.000.000 lek

5. Nëse nga aktet e përcaktuara në pikën 1, 2, 3 dhe 4 të këtij neni
shkaktohet ngordhja e kafshës, dënohet me burgim deri në 3 vjet, si dhe me
gjobë deri në 1.000.000 lekë.

 

Neni 3

Kryerja e eksperimenteve të jashtëligjshme me kafshët dënohet me burgim
deri në 3 vjet, si dhe me gjobë deri në 1.000.000 lekë

 

Neni 4

 

1. Përdorimi i jashtëligjshëm i lëkurës së kafshëve shtëpiake, për
prodhimin e artikujve prej lëkure, dënohet me burgim 2 vjet deri në 3 vjet dhe
me gjobë deri në 500.000 lekë.

2. Përdorimi i jashtëligjshëm i lëkurës, pendëve apo pjesëve të tjera të
trupit të kafshëve të shpallura specie të rrezikuara dënohet me burgim deri në
3 vjet dhe me gjobë deri në 1.000.000 lekë.