Të nxjerrim Preshevën nga trekëndëshi i harresës dhe izolimit

784
Sigal

Prof.
Dr. Lisen BASHKURTI 


Këto ditë pritet takimi i dy kryeministrave të Shqipërisë
dhe Serbisë, Rama-Vuçiç. Është vazhdimi i një dialogu të nisur këto tre vitet e
fundit në kuadër të integrimit europian. Ky dialog është i nxitur kryesisht nga
BE dhe synon të fuqizojë bashkëpunimin rajonal në nivele fqinjësore, bilaterale
dhe multilaterale. Nuk ka dyshim se dialogu politik dhe diplomatik është
pozitiv për vendet e popujt e Ballkanit, e sidomos midis shqiptarëve dhe
serbëve, të cilët për më shumë se një shekull kanë pasur marrëdhënie
konfliktoze dhe armiqësore ndërmjet tyre. Por, për hir të vërtetës duhet thënë
se deri tani dialogu politiko-diplomatik midis Tiranës dhe Beogradit ka qenë më
tepër ceremonial, protokollar dhe deklarativ sesa konstruktiv dhe produktiv. Natyrisht
edhe takimet ceremoniale, protokollare si dhe deklaratat e përbashkëta kanë
ndikim afrues dhe pajtues midis palëve. Ato, gjithashtu i kontribuojnë
relaksimit të klimës politike, duke i kontribuar rritjes së besimit midis
popujve. Kuptohet se pa këto hapa nuk shkohet më tutje drejt projekteve të
përbashkëta, që nga ato arsimore e deri tek ato infrastrukturore. Në dialogun
politiko-diplomatik Tiranë-Beograd, që pritet të zhvillohet këto ditë është me
rëndësi që palët të shkojnë drejt hapjes së çështjeve deri tani të pa-trajtuara
ose të anashkaluara. Një nga këto çështje është analiza e situatës në Luginën e
Preshevës si dhe vënia në rrugë të zgjidhjes të problemeve kryesore të
shqiptarëve që jetojnë atje. Komuniteti shqiptar në Luginën e Preshevës ka mbetur
jashtë çdo axhendë shtetërore dhe tërësisht i izoluar në trekëndëshin
Serbi-Kosovë-Maqedoni. Në këtë proces politiko-diplomatik Shqipëri-Serbi,
Qeveria shqiptare lypet të nxjerrë Luginën nga agjenda e harresës dhe izolimi.
Në takimin e ardhshëm midis Ramës e Vuçiç është e domosdoshme të shtrohen dy
aspekte themelore problematike të komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës:
aspektet e lirive njerëzore dhe etnike të shqiptarëve dhe aspektet zhvillimore
ekonomike e sociale të tyre. Në aspektin e parë, Serbia duhet të heq dorë nga
politikat diskriminuese ndaj lirive njerëzore dhe komunitare të shqiptarëve.
Liritë e të drejtat e njeriut dhe ato të komunitetit duhet të analizohen e të
respektohen në kuadër të Kartës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Nga ana
tjetër të drejtat komunitare, duke filluar nga traditat materiale e kulturore,
të simboleve dhe ato arsimore janë përballë sfidave të shumta që duhen bërë
objekt bisedimesh në nivele të larta Tiranë-Beograd. Në këtë kontekst Qeveria e
Tiranës lypet të vendosë mbi baza të plota reciprociteti statusin e komunitetit
shqiptar në Luginën e Preshevës me atë të pakicave serbe në Kosovë. Për këtë
palët kanë si reference instrumentet e KE për të drejtat e komuniteteve pakicë.
Për sa i përket aspektit të dytë, atij zhvillimor ekonomik e social kërkohen
bisedim, por edhe kontribute nga Qeveritë në Tiranë, Prishtinë dhe Beograd. Të
tre palët lypet të shkojnë drejt një strategjie koordinimi, bashkëpunimi e
bashkëfinancimi për komunitetin shqiptar në Preshevë, Bujanovc e Medvexhe.
Lugina e Preshevës është në mjerim të plotë ekonomik e social. Ka mungesa të
plotë të investimeve shtetërore, vendore dhe biznesore. Investimet e huaja
mungojnë tërësisht. Industria është e rrënuar. Bujqësia e blegtoria janë në
nivele primitive. Si pasojë problemet sociale janë të mëdha. Papunësia është
afro 80 për qind, më e larta në Evropë. Shkollat janë në kaos, për shkak të
mungesave të teksteve shqip. Shëndetësia është pothuajse shërbim një i munguar.
Burimi kryesor i jetesës ekonomike dhe i përballimit të problemeve sociale
mbeten vetëm remitancat nga emigracioni. Qeveria e Shqipërisë, por edhe e
Kosovës duhet të përfshijnë në çdo takim me autoritetet e Serbisë, por edhe me
ato të BE çështjen e shqiptarëve në Luginë. Gjithashtu Qeveria e Tiranës t’i
kërkojë Qeverisë së Beogradit që Lugina të përfshihet në të gjithë projektet
zhvillimore ekonomike, infrastrukturore dhe sociale në kuadër të projekteve të
zhvillimit nacional dhe rajonal. Është detyrë trepalëshe Shqipëri-Serbi-Kosovë
për ta nxjerrë Luginën e Preshevës nga agjenda e harresës dhe izolimit dhe për
ta përfshirë atë në mënyrë multilaterale në axhendën e Bashkimit Europian. Këto
hapa lypet të jenë konkrete për gjithë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Por në
rastin e Luginës së Preshevës këto sfida duhet të adresohen para së gjithash
nga Serbia me qëllim që të plotësojë detyrimet e kapitujve 23 dhe 24 të
negociatave për anëtarësim me BE.

“Në këtë
kontekst Qeveria e Tiranës lypet të vendosë mbi baza të plota reciprociteti
statusin e komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës me atë të pakicave serbe
në Kosovë. Për këtë palët kanë si reference instrumentet e KE për të drejtat e
komuniteteve pakicë. Për sa i përket aspektit të dytë, atij zhvillimor-ekonomik
e social kërkohen bisedime, por edhe kontribute nga Qeveritë në Tiranë,
Prishtinë dhe Beograd”.