Haradinaj: 28 Nëntori festë kombëtare në Kosovë. Mini-Shegeni zgjeron ndikimin rus dhe kinez

471
Sigal

Kryeministri Haradinaj firmos vendimin: 28 Nëntori i pavarësisë, ditë pushimi edhe në Kosovë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj ka vendosur që 28 nëntori, Dita e Flamurit, të shpallet ditë pushimi edhe në territorin e Kosovës.Shefi i qeverisë në Kosovë thekson se ky vendim është marrë për të respektuar vlerat dhe traditën e kombit shqiptar, ndërsa shton faktin se ky veprim është i motivuar në aspektin historik, politik dhe tradicional.

“Me rastin e Ditës së Flamurit, mbështetur në Ligjin për Festat Zyrtare, kam marrë vendim që 28 Nëntori, të shpallet ditë pushimi në territorin e Republikës së Kosovës, për t’i respektuar vlerat e traditës kombëtare shqiptare. Vendimi, që 28 Nëntori të jetë ditë pushimi, është i motivuar nga aspekti historik, tradicional dhe politik”, shprehet Ramush Haradinaj

Haradinaj: “Mini-Shengeni” ka për qëllim zgjerimin e ndikimit rus e kinez

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova nuk duhet ta pranojë idenë e “Minishengenit Ballkanik”. Ai ka deklaruar se “Mini-Shengeni” është vetëm zgjerim i influencës ruse dhe kineze në Ballkan. Bashkëpunimi për “Mini-Shengenin Ballkanik”, iniciativë e nisur nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, pritet të finalizohet më 21 dhjetor në takimin e Durrësit. Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur në një paraqitje para gazetarëve për “Mini-Shengenin Ballkanik”. Këtë ide Haradinaj e ka quajtur influencë të rusëve dhe kinezëve me epiqendër në Beograd. Haradinaj ka thënë se “Mini-Shengeni” nuk është interes i Kosovës e se nuk lidhet asgjë me procesin e liberalizimit të vizave.“Minishengeni për të cilin po na ftojnë Vuçiqi, Rama e Zajevi është vetëm zgjerim i influencës ruse dhe kineze në Ballkan. Nuk është interes i Kosovës dhe Evropës. Rusia dhe Kina janë të instaluara në të gjitha aspektet në Beograd. Kur ne bëjmë rregulla të njëjta me automatizëm kjo influencë zgjerohet në vendet tona. A ka interes Kosova që kjo influencë të zgjerohet në Kosovë, jo pra nuk është në interes tonin”, ka thënë Haradinaj, pas takimit me ministrin italian të Mbrojtjes, Lorenzo Guerini.

Më tej, Haradinaj ka folur edhe për procesin e liberalizimit të vizave.

Sa i përket liberalizimit, unë lexoj diplomatë, i lexova znj. Apostolova unë e di që ka plot skeptikë, ka edhe të atillë që s’kanë qejf me pa liberalizimin, po mos harroni se jemi në punë, ne e përmbyllim edhe një proces të rëndësishëm, që me ndodh marrja e liberalizimit këtë vit, shpresoj që po. Unë mundem me shku sot ata me ardhë nesër, s’ka rëndësi kur jemi te liberalizimi”, shtoi ai. Sa u përket zgjedhjeve të jashtëzakonshme, Haradinaj ka thënë, se tashmë sovrani ka vendosur me votë e nuk duhet të shkohet në zgjedhje të reja. Ndryshe, takimi i fundit i liderëve të Ballkanit Perëndimor është mbajtur të dielën në Ohër të Maqedonisë së Veriut, si vazhdimësi e takimit të Novi Sadit për krijimin e një “Mini-Shengeni” mes Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Shqipërisë. Pjesëmarrjen në këtë takim e ka refuzuar Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ngase, siç ka thënë ai, Kosova ishte anashkaluar në takimin e parë në Novi Sad të Serbisë. Kjo iniciativë rajonale, sipas presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, është e pakuptimtë për aq kohë sa Serbia dhe Bosnje e Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Kandidati kryesor për mandatarin e ardhshëm të Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë, se takimi në Ohër s’është dashur të mbahet. “Vala e dytë e këtyre iniciativave rajonale nuk është dashur të mbahet. U mbajt takimi i parë në Novi Sad, u tha që në Ohër do të vijnë të gjithë dhe së pari aty nuk shkoi Kosova, së dyti Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina patën përfaqësim simbolik dhe besoj që në kohën kur spostohet edhe Samiti i Parisit nuk ka pse të mos spostohet për një datë tjetër edhe ky i Ohrit”, ka thënë Kurti. Sipas tij, është e gabueshme dhe pashpjegueshme ngutja që medoemos, tani, të mbahet takimi në Ohër në kohën kur dihej që Kosova nuk do të marrë pjesë. Krijimin e një “Mini-Shengeni” e ka kundërshtuar edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Sipas tij, kjo çon në krijimin e një “Mini-Jugosllavie”.

“Politikat e “Mini-Shengenit’ i largojnë vendet e Ballkanit Perëndimor nga rruga e integrimeve evropiane dhe i qon në strofkullën euroaziatike të dominuar nga Rusia. Janë këto manovrime të Serbisë për të bishtëruar detyrimet ndaj Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën dhe për njohje të pavarësisë së Kosovës. Ndoshta kryeministri i Shqipërisë dhe ai i Maqedonisë Veriore e kanë të qartë se ku janë interesat e vendeve të tyre por Kosova asesi”. Nisma për “Mini-Shengenin Ballkan”ik është përshëndetur nga i dërguari posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer. Në takimin e Forumit Ekonomik Botëror, Palmer tha se kjo nismë “tregon vendosmërinë e liderëve nga rajoni për të marrë përgjegjësi për fatin dhe të ardhmen e tyre”. Ai është shprehur se në këtë projekt ka vend edhe për Malin e Zi, Bosnje e Hercegovinën dhe Kosovën. Takimi i radhës së liderëve të Ballkanit Perëndimor do të mbahet në Durrës më 21 dhjetor, ku pritet të jetë sërish e ftuar edhe Republika e Kosovës./Fatos Shala