Grushti i horrave dhe populli përballë

708
Sigal

Nga Gentian Çala

Shqipëria ka pasur një histori plot ulje ngritje dhe momenti aktual politik dhe social duket delikat për nga dimensioni dhe thellësia e krizës. Grushti i horrave në pushtet arriti deri aty sa me “komunikim institucional”, “procedurë”, apo dallavere zyrash të tentonte kapjen e majës së drejtësisë, të Gjykatës Kushtetuese. Gjykata ka në dosjet e saj për shqyrtim çështje të rëndësishme dhe marrja e një anëtari të vetëm prishte balancat. Kaq duhej dhe zjarri u ndez. Tensionit politik dhe social, i shtuan një front të ri.

Grushti i horrave mendonte se kjo mund të kalohej thjeshtë, po ngeci plani te dera e Presidencës. Pak letra, disa komunikime dhe një botim në fletoren zyrtare, shpalosnin gjithë orvatjen tinzare të kapjes së Gj.K. nga mazhoranca. Ishte një “lajthitje” e mirëmenduar ku grushti i horrave tentonte të bënte një grusht shteti. Për një vend anëtar të NATO-s dhe aspirant për në BE, kjo ishte një marrëzi poltike dhe institucionale. Grushtit të horrave i ka dalë turpi dhe frika, aq sa arrijnë të mburren me marrëzinë e tyre, madje ta quajnë diçka normale.

Për Presidencën duhej një ilaç dhe pa pritur Komisionin e Venecias, shpikin një ligj antikushtetues. Jo thjesht frikëdalë dhe të paturp, por shkojnë më tej, bëjnë shkelje të Kushtetutës brenda institucionit të Kuvendit të Republikës, me kartona që ngrihen me urdhër qeverie. Kriza thellohet deri aty sa Presidentit i mbeti vetëm një rrugë pas denoncimit të disa aktorëve të grushtit të horrave në SPAK, i mbeti thirrja e popullit. Kjo është e gjitha e përshkruar me pak fjalë. Nuk kishte zgjidhje tjetër dhe kushdo që e justifikon apo minimizon krizën thjesht po i bën një shërbim qeverisë. Ka nga ata që nuk e duan Presidentin në rrugë, po ku tjetër mund ta gjejë ai mbrojtjen e Kushtetutës, përveç se te populli i tij?!

Grushti i horrave dhe populli përballë ka vetëm një zgjidhje: rikthimin e zbatimit të Kushtetutës në të gjitha institucionet, heqjen dorë nga tejkalimi apo shkelja e saj, zhbërjen e ligjeve dhe iniciativave që nuk respektojnë Kushtetutën, si dhe krijimin sa më parë të Gjykatës Kushtetuese. SPAK-u të bëjë detyrën me ata që kanë shpërdoruar detyrën. Populli përballë grushtit të horrave, ka gjithmonë fitues popullin, por jo një popull që fle, por atë që reagon fort. Ndaj momenti është që të gjithë të reagojmë, jo për Presidentin, as për partitë, por për vendin tonë të marr peng nga një grusht horrash që nuk respektojnë asgjë.