Gracka e mazhorancës, kurth ndaj Opozitës për reformën në drejtësi

638
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Socialistët këmbëngulin të votohet projektligjet  për emërimet në Gjyqësor dhe “Për Magjistraturën”, edhe pse bie ndesh me Kushtetutën

Shtatori ngjan më tepër si një finish i reformës në drejtësi. Janë tejkaluar afatet kushtetuese për ndërtimin e institucioneve të reja të drejtësisë, sikurse janë KLGJ, KLP, KED, SPAK, BKH etj. Kryeprokurorja e Përkohshme është në detyrë përtej afateve kohore, për të cilat u votua nga mazhoranca dhe praktikisht ajo zbaton edhe kompetenca që nuk ia ka ngarkuar as ligji, i cili e emëroi, por as Kushtetuta, sikurse janë kompetencat e emërimeve dhe të shkarkimeve të prokurorëve. Gjykata Kushtetuese nuk funksionon më, pasi ka mbetur vetëm me 2-3 anëtarë, Gjykata e Lartë është jashtë funksionit, sepse ka vetëm 4 anëtarë, nga 19 që e ka ka organikën.

Nuk ka hapje të negociatave pa reformën në drejtësi

Bashkimi Evropian i ka kushtëzuar Shqipërisë zbatimin e plotë të Reformës në Drejtësi, ndërtimin e të gjitha institucioneve të drejtësisë, funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, emërimin e ligjshëm të Kryeprokurorit të Përgjithshëm dhe ndërtimin e SPAK, prokuroria dhe gjykata speciale që do hetojë dhe gjykojë korrupsionin e zyrtarëve të lartë. Mirëpo mazhoranca, qëllimisht i shtyn afatet e ndërtimit të institucioneve të reja të drejtësisë, për të fituar kohë, që të ketë të gjithë mundësinë të emërojë në ato institucione kandidatët e saj të preferuar. Së dyti, mazhoranca do të bëjë de fakto ngutjen e madhe kohore, kur janë tejkaluar afatet, në mënyrë të tillë, që me mënyra dhe forma ligjore, që bien ndesh me vetë reformën në drejtësi, të ndërmarrë veprime që janë vetëm në interesin politik të mazhorancës.

Gracka e Mazhorancës për opozitën

Një nga këto mënyra, që mazhoranca do të anashkalojë reformën në drejtësi, për të diktuar qëllimet e interesat e saj, është edhe projektligji “Për Magjistraturën”, i cili dështoi të votohej në seancat e fundit plenare të Kuvendit në muajin korrik. Opozita e kundërshtoi këtë projektligj, sepse e cilësoi antikushtetues dhe që rrëzon gjithë reformën në drejtësi, pasi i jep kompetenca kushtetuese kryeprokurores së Përkohshme, të bëjë ajo emërime të prokurorëve, si edhe KLD të bëjë emërime të gjyqtarëve. Me reformën e re në Drejtësi, që nga 2016-ta të drejtat e emërimeve të gjyqtarëve dhe prokurorëve i kanë KLGJ dhe KLP, të cilat ende nuk janë ndërtuar dhe zvarritja e tyre është strategji e mazhorancës, sepse ende nuk e ka kontrollin e plotë të plotësojë listat e kandidatëve. Kryeprokurorja e Përkohshme u emërua pa konsensusin e opozitës, por edhe KLD-ja tashmë është nën kontrollin e mazhorancës dhe, me projektligjin “Për Magjistraturat” këto do të emërojnë gjyqtarë dhe prokurorë edhe kandidatët për në institucionet e reja të drejtësisë. Këtu është qëllimi i mazhorancës, që Kryeprokurorja e Përkohshme dhe KLD të bëjnë emërime të gjyqtarëve dhe prokurorëve, që këta të plotësojnë edhe listat e kandidatëve për në institucionet e reja të drejtësisë. Faktikisht, kryeprokurorja e Përkohshme ka bërë emërime dhe shkarkime në prokuroritë dhe mund të pohojmë se ka plotësisht nën kontroll edhe listat për në KLP dhe në SPAK, ku, mazhoranca pretendon të zgjidhet për kryeprokuror kandidatët e saj. Mazhoranca, duke qënë se nuk i ka 84 vota, fton tani opozitën, që të formulojë ajo një amendament për projektligjin “Për Magjitraturën”, si të dojë opozita, dhe mazhoranca do ta votojë në 3 shtator, me fillimin e punimeve të Kuvendit në sesionin e ri parlamentar. Dje, kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla, në konferencën e shtypit me deputetët gjermanë, ftoi sërish opozitën: Kuvendi i Shqipërisë rifillon punimet në 3 shtator dhe unë do të doja që të ribëja edhe një herë apelin përkundrejt opozitës që në seancën e parë, atë të 3 shtatorit, të kishin mundësinë të votonim menjëherë rivendosjen në afat një dispozite tranzitore që ka të bëjë me Shkollën e Magjistraturës. Shkolla e Magjistraturës është pjesë e një projekti të rëndësishëm bashkëpunimi mes dy vendeve tona, Shqipërisë dhe Gjermanisë.” Mirëpo, kjo “ftesë” bashkëpunimi është gracka e mazhorancës, sepse thelbi nuk ndryshon. Çfarëdo amendamenti të formulojë opozita, do të jetë sërish kryeprokurorja e Përkohshme dhe KLD, që do bëjnë emërimet…

Opozita kushtëzon mazhorancën: Zhbëji 7 ligjet e reformës në drejtësi, që u votuan pa konsensus

Deri tani, opozita e ka mohuar ofertën e bashkëpunimit të mazhorancës. Nuk pranon të votojë fare projektligjin “Për Magjistraturën”, por i kërkon të zhbëjë 7 ligjet e reformës së drejtësisë, të cilat u votuan pa konsensusin e opozitës. Mazhoranca nuk i ka pranuar këto 7 kushtet e opozitës. Opozita, deri tani, ka shkuar edhe më shumë. Kërkon në shtator të fillojnë protestat për të rrëzuar qeverinë e kryeministrit Rama. Do të logjikojnë mazhoranca dhe opozita, që të bëjnë lëshimet e duhura për konsensusin? Do të qëndrojnë në llogoret e tyre partiake dhe do të acarojnë edhe më shumë klimën politike, duke rrezikuar jo vetëm që Shqipëria të mbetet akoma për një ndërkohë të gjatë pa Drejtësi e Gjykatë Kushtetuese, por do vihet në pikëpyetje të madhe edhe hapja e negociatave, afati i së cilës është qershori i 2019-s.