Gjyqtari i Apelit Ilir Toska në sitën e vettingut, vlerësimi i DSIK: I papërshatshëm

627
Sigal

Pas shkarkimit të Gentjan Trenovës, prokurorit të Prokurorisë së Apelit në Tiranë, në sitën e vettingut ka kaluar gjyqtari i Apelit të Tiranës, Ilir Toska. Sipas deklarimit të pasurisë rezulton se Toska ka një apartament 83 m2 me një vlerë 50 mijë e 292 euro dhe pas kontrolleve të kryera nuk rezulton të ketë fshehje të pasurisë.

Por duket se Toska ka probleme me pastërtinë e figurës, të paktën sipas DSIK, që ka konstatuar papërshtatshmëri të figurës.

Vlerësimi i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar është bërë publik sot në seancën gjyqësore në Kolegjin e Pavarur të Kualifikimit, i cili nga ana e tij e ka vlerësuar si të pabazuar këtë konkluzion të DSIK-së.

KPK duke iu referuar këtij raporti ka verifikuar më tej vërtetësinë e provave, ka administruar dosjen përkatëse nga informacionet e ardhura nga KLD dhe nuk rezulton i bazuar.

Sakaq, gjytari ka kërkuar rikonfirmimin në detyrë.

“E konsideroj procesin të rregullt dhe ligjor, përfundimet e KPK janë tërësisht korekte dhe kërkoj konfirmimin në detyrë”, është shprehur Toska.

Seanca e radhës u caktua më 21 qershor në orën 11.30, ku pritet të jepet edhe vendimi për gjyqtarin e Apelit të Tiranës, Ilir Toska.