Gjykata shpalli të papijshëm ujin në Tiranë/ Presidenti Ilir Meta: Prokuroria të nisë hetimet

178
Sigal

Presidenti Ilir Meta ka përshëndetur vendimin e Gjykatës së Tiranës e cila e shpalli të papërdorshëm ujin e pijshëm në Tiranës dhe e ngarkoi shoqërinë civile që të marrë përsipër që të mbikqyrë Drejtorinë e Ujësjellës Kanalizime deri në përmirësimin e situatës.

Në një shënim në profilin e tij në facebook, Meta shkruan se qytetarët e Tiranës meritojnë mbrojtje të shëndetit si edhe i ka kërkuar Prokurorisë të nisë hetimet.

‘Qytetarët e Tiranës meritojnë mbrojtje të garantuar të shëndetit përmes shërbimeve shtetërore, që mbahen dhe paguhen me taksat e tyre.

E përshëndes aktivizimin e shoqërisë civile në këtë rast për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve nga papërgjegjshmëria dhe keqfunksionimi i Ndërmarrjes së Ujësjellësit të Tiranës, në varësi të Bashkisë, që siç faktohet nga të dhënat e bëra publike, ka rrezikuar jetën e tyre duke i furnizuar me ujë të papërdorshëm sipas parametrave.

Tashmë, që pritet arsyetimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, çështja duhet të ndiqet edhe në instancat më të larta shtetërore, ndërkohë të dhënat e bëra publike, duhet të vënë në lëvizje Prokurorinë për të hetuar deri ku arrin shkalla e përgjegjësisë dhe e shkeljes së ligjit, për të nxjerrë para drejtësisë këdo, që ka vendosur në rrezik masiv shëndetin e banorëve të kryeqytetit.

Mbrojtja e shëndetit dhe e jetës së qytetarëve të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, veçanërisht në këtë periudhë pandemie, duhet të jetë prioritet absolut.’

Por cili ishte vendimi i Gjykatës së Tiranës?

Ngarkohet shoqëria civile të “mbikëqyrë” Ndërmarrjen e Ujësjellësit në masat që do të marrë për përmirësimin të cilësisë së ujit

Edhe me vendim Gjykate, ujë me të cilin furnizohet Tirana është i pa pijshëm dhe i dëmshëm për shëndetin. “Qendra Res Publika” bën me dije se Gjykata Administrative e Tiranës ka pranuar të hënën, se cilësia e ujit që furnizohet kryeqytetit është jashtë parametrave që garantojnë cilësinë e konsumimit.

Me një vendim të paprecedentë Gjykata ka ngarkuar shoqërinë civile të “mbikëqyrë” shoqërinë shtetërore Ujësjellës Kanalizime Tiranë sh.a, në masat që do të ndarmarrë në përmirësimin e cilësisë së ujit.

Në vitin 2017, “Qendra Res Publika” dhe shoqata “Impetus” iu drejtuan gjykatës së Tiranës për të detyruar ndërmarrjen e Ujësjellës Kanalizime të ndërmarrë masa që garantojnë cilësinë e ujit të pijshëm në qytetin e Tiranës.
Sipas, akt-padisë, në zona të ndryshme të Tiranës, niveli i escherichia coli (bakter i dëmshëm për shëndetin) është më shumë se norma e lejuar sipas rregullores për ujin e pijshëm.

E njëjta gjë ndodh dhe me nivelin e streptocoçi faecal, bakter i dëmshëm për shëndetin, ndërsa niveli i Klorit (kimikat) rezulton shpesh herë të jetë mbi 0.5 (norma maksimale e lejuar nga VKM nr. 379, dt. 25.05.2016.

“Ka rezultuar se analizat mikrobiologjikë apo kimikë që garantojnë cilësisë së ujit të pijshëm. janë bërë nga një laborator i pa akredituar, duke mos dhënë asnjë garanci për asnjë parametër”-thuhet në akt-padi.

Pas katër vjetësh betejë ligjor, Qendra Res Publika ia ka dalë të sigurojë nga gjykata një vendim, të paprecedent, i cili do të ndikojë në përmirësimin e cilësisë së ujit në kryeqytet.

Gjykata urdhëroi Ujësjellës Kanalizime Tiranë sh.a. të monitorojë dhe të analizojë të gjitha parametrat e ujit të pijshëm në Tiranë. Sipas vendimit, ndërmarrja e Ujësjellës- Kanalizime është e detyruar që këto rezultate të analizave ti dërgojë në Institutin e Shëndetit Publik, për të përcaktuar masat që duhet të merren për të përmirësimin cilësisë së ujit.

Po kështu, gjykata urdhëroi ndërmarrjen Ujësjellës -Kanalizime Tiranë të raportojë tek “Qendra Res Publika” dhe shoqata “Impektus” rezultatet periodike të analizave si dhe masat që do të ndërmar kjo ndërmarrje që do të çojnë në garantimin e cilësisë së ujit të pijshëm.

Avokati Dorial Matlia e konsideroi vendim si një hap të rëndësishëm që do të ndikojë në përmirësimin e gjendjes së furnizimit me ujë të pijshëm të kryeqytetit.

“Tashmë kemi dhe një vendim gjykate e cila pranon dhe zyrtarizon se uji i pishën nuk ka parametrat e duhura në Tiranë. Ajo që kemi fituar është, si të thuash, ne jemi bërë auditues të shoqërisë shtetërore, Ujësjellës Kanalizime Tiranë, të cilët gjykata i urdhëron, jo vetëm bëjë analizuat periodike të ujit të pijshëm por të na vërë në dijeni dhe ne si paditës, “Qendrës Res Publika dhe shoqatën e “Impektus” për rezultate dhe hapat që ajo do të ndërmarrë në përmirësimin e cilësisë së ujit”-deklaroi pas vendimit të gjykatës Administrative të Tiranës, avokati Dorian Matlija.