Gjosha-Naço: Të vendosur të luftojmë krimin e organizuar dhe korrupsionin!

399
Sigal

Ministri i Drejtësisë Nasip Naço dhe Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha në një deklaratë të përbashkët për shtyp deklaruan se institucionet që ata drejtojnë janë të vendosur që të luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin. Ministrja Gjosha deklaroi se, është e vendosur të çojë përpara reformat për integrimin. “Ky plan veprimi vijon pas rekomandimit pozitiv të Komisionit Evropian. Ministria e Integrimit do të punojë me të gjitha ministritë për të vazhduar punën për të luftuar korrupsionin. Jemi të vendosur t’i çojmë këto reforma deri në fund. Këto hapa konkret që janë marrë do të shpalosen edhe në një tryezë të rrumbullakët ku do të marrë pjesë edhe Komisioneri Stefan Fyle.”- deklaroi Gjosha. Ndërsa ministri i Drejtësisë Nasip Naço deklaroi se do të çojnë në Parlament ndryshime në Kodin e Procedurës Penale. “Qeveria ka marrë sot një nga vendimet më të rëndësishme . Një nga ndryshimet thelbësore që do shkojnë në Parlament janë ndryshimet që kanë të bëjnë me imunitetet e gjyqtarëve që u propozuan por nuk u ndryshuan në Kodin e Procedurës Penale. Ne duam të dekurajojmë korrupsionin. Jemi të bindur se me masat e marra do të luftojmë realisht korrupsionin”,- deklaroi Naço.